Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Kuçovë?
Reforma administrativo-territoriale bashkinë e re të Kuçovës e gjen me 4 njësi administrative, ku pjesë përbërëse ka qytetin e Kuçovës dhe njësitë administrative Kozare, Lumas, Perondi. Gjatë vitit të parë të mandatit, ndër shumë arritje të suksesshme, do të përmendja:
- Unifikimi dhe konsolidimi administrativ dhe financiar i veprimtarive bashkiake në gjithë popullsinë dhe territorin e vet. Administrata bashkiake po vepron si një strukturë e vetme në zonën urbane dhe rurale, duke amortizuar në një kohë të shkurtër efektet e bashkimit të 4 njësive ekzistuese, ku çdo qytetar i njësisë sonë ndihet i vlerësuar prej saj.
- Hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor, si një “kushtetutë e zhvillimit urban të bashkisë”, pret të implementohet duke i dhënë fund kaosit urban në këto 20 vjet dhe zhvillimit të territorit sipas vizionit dhe qëllimeve të këtij plani.
- Mbështetja dhe zgjidhja e problematikave për funksionimin e sistemit të kanaleve kullues dhe vaditës në njësitë administrative Kozare, Lumas, Perondi, duke bërë të mundur eliminimin e dëmeve të mundshme nga përmbytjet si edhe duke mundësuar vaditjen e parcelave të fermerëve.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Me konsultimet publike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, bashkia Kuçovë ka një eksperiencë shumë të mirë ndër vite. Bashkia Kuçovë është ndër bashkitë e para në Shqipëri që ka ngritur Komisionin Qytetar që nga viti 1998, i cili është funksional edhe sot. Kjo eksperiencë është përmirësuar duke siguruar pjesëmarrje të vazhdueshme qytetare edhe nga njësitë administrative. Kështu janë zhvilluar deri tani pesë dëgjesa publike për diskutimin e planit të përgjithshëm vendor, ku bashkia është një nga pesë bashkitë që asistohet nga projekti PLGP/USAID. Gjithashtu dëgjesa publike janë organizuar për miratimin e paketës fiskale dhe buxhetit në të katra njësitë administrative të bashkisë. Takime të ndryshme me pjesëmarrje qytetare janë organizuar për transparencën dhe financat vendore.
Është mundësuar hapja e portalit zyrtar të bashkisë Kuçovë, ku pasqyrohen të gjitha aktivitetet e bashkisë dhe informacionin e nevojshëm për qytetarët.
Mbledhjet e këshillit bashkiak janë në proces monitorimi me kamera dhe janë të aksesueshme për të gjithë qytetarët. Ato pasqyrohen në internet.
Bëhet publikimi i vendimeve të këshillit bashkiak dhe aktiviteteve të bashkisë në gazetën “Lajmëtari i Kuçovës”, e cila shpërndahet falas për qytetarët.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Si çdo bashki, sfidat për realizimin e programit social-ekonomik janë të larmishme, por nga më të rëndësishmet do të përmendja:
- Ndërtimi i rrugës Kuçovë-Lumas për të shkurtuar distancat kohore dhe për të shërbyer në lëvizjen sa më shpejt të njerëzve dhe mallrave të kësaj zone dhe ujësjellësin komunitar të Lumasit, i cili mundëson përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së jetesës së banoreve të kësaj njësie administrative.
- Rehabilitimin mjedisor të territorit të ish-Uzinës së Përpunimit të Naftës, duke e nxjerrë nga harta e zonave të nxehta kombëtare me mbetje të rrezikshme, duke ofruar mundësinë që ky territor, pronë e bashkisë, të mundësojë zhvillimin për aktivitete prodhuese dhe industriale nëpërmjet investimeve nga donatorë vendas dhe të huaj, të cilët i janë ofruar bashkisë Kuçovë me projekte konkrete.
- Futja e bashkisë Kuçovë në guidat turistike vendase dhe të huaja, duke mundësuar ngritjen e muzeut kombëtar në natyrë të industrisë së naftës shqiptare, muzeut kombëtar të aviacionit ushtarak shqiptar, objekteve mesjetare të kultit, kanionit dhe burimit të ujit të Sinecit, shpellës prehistorike të Katundasit, etj
Çfarë hapash konkretë po ndërmerr bashkia për të parandaluar përmbytjet në këtë bashki? Çfarë masash do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën mbrojtëse përgjatë lumit Devoll?
Bashkia Kuçovë është në proces të vazhdueshëm monitorimi të situatave emergjente dhe punon për përballimin e tyre në çdo kohë. Janë evidentuar të gjitha pikat e nxehta që mund të shkaktojnë përmbytje në njësitë administrative Lumas, Kozare dhe Perondi. Janë bërë ndërhyrje emergjente në Lumas duke riparuar prita, argjinatura, dy ura në lumin Lapardhicë dhe janë ndërtuar prita të përkohshme. Jemi duke hartuar projekte të plota për zgjidhje afatgjata nga përmbytjet e lumit Devoll në Kozare dhe lumit Lapardhicë në Lumas, si dhe lumit Osum që kalon në fshatin Tapi pjesë e njësisë administrative Perondi.
Bashkia e Kuçovës tashmë ka mundësi dhe për zhvillimin e turizmit me kanionet e Sinecit që ndodhen në ish-komunën Lumas. ⌂farë po bëhet për promovimin e tyre?
Kanionet e Sinecit, burimi i ujit të Sinecit, shpella prehistorike e Katundasit dhe pyjet përreth kësaj zone tashmë janë në fokusin e bashkisë për t’u kthyer në atraksion turistik jo vetëm lokal, por edhe kombëtar, si edhe për të zhvilluar turizmin malor dhe atë të aventurës. Jemi duke grumbulluar dokumentacionin mbi pasqyrimin e historisë së kësaj shpelle, e cila është një nga vendbanimet më të hershme në Shqipëri. Ka përfunduar projekti “Sineci atraksion turistik”, i cili është i gatshëm për zbatim, dhe është paraqitur për financim pranë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve (FZHR). Ky projekt merr në konsideratë zhvillimin turistik të gjithë zonës (infrastrukturë, sinjalistikë, guidat, zhvillim ekonomik të zonës, biznesit familjar nëpërmjet kthimit të banesave në shtëpi pritëse “guest houses” për turistët vendas dhe të huaj). Ndërkohë një vëmendje të veçantë bashkia i ka kushtuar edhe promovimit të bukurive të kësaj zone në operatorë të ndryshëm turistik).
Kuçova ka trashëguar jo vetëm industrinë e naftës, por edhe një sërë ndërmarrjesh si ajo e përpunimit, riparimi i avionëve… Çfarë do të bëjë bashkia për shfrytëzimin e tyre?
Kuçova ka qenë dhe ende është një qytet industrial dhe veçanërisht i industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të naftës si dhe degëve mbështetëse të kësaj industrie. Industria nxjerrëse e naftës shtrihet edhe në territoret e njësive administrative Perondi e Kozare. Për hir të së vërtetës, kjo industri e ka humbur shkëlqimin e vet të dikurshëm, por ajo mbahet në këmbë si një kompani me kapital shtetëror dhe me një numër të konsiderueshëm punonjësish. Ndërsa për sa i përket sektorit të aviacionit ushtarak dhe uzinës së riparimit të avionëve, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është strukturuar në bazë të politikave që ka kjo Aleancë.
Bashkia ka hedhur idenë për hapjen e një muzeu në mjediset e aeroportit që është nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Çfarë synon ky projekt dhe në çfarë fazash është realizimi i tij?
Bashkia, në kuadrin e promovimit të turizmit historik, të vlerave dhe aseteve industriale dhe ushtarake të sistemit të kaluar dhe që sot Kuçova i ofron si potencial dhe si mundësi , synon që nëpërmjet ngritjes së muzeut kombëtar historik të aviacionit ushtarak shqiptar në një nga ambientet e bazës ajrore të Kuçovës, si edhe ngritjes së muzeut kombëtar në natyrë të industrisë së naftës shqiptare, të bëjë të mundur futjen e Kuçovës në itinerarin e guidave turistike vendase dhe të huaja. Jemi në bisedime me institucionet përgjegjëse që kjo ide të kthehet në realitet.
Një nga premtimet tuaja si kandidat ka qenë dhe përmirësimi i shërbimeve publike dhe infrastrukturës. Çfarë po bëhet për ndërtimin e rrugës nga Ura Vajgurore në drejtim të Kuçovës?
Synim kryesor dhe një premtim që po mbahet është përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore, cilësisë së shërbimeve në përgjithësi dhe në zonën rurale të bashkisë në veçanti, në mënyrë që komunitetet rurale të ndjejnë shumë shpejt epërsinë e organizimit të ri administrativo-territorial.
Vlen të theksoj disa investime të rëndësishme publike:
- rikonstruksionin total i rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të Kuçovës duke bërë të mundur furnizimi me ujë të pijshëm cilësor, të sigurt dhe me orar më të zgjatur, duke ulur humbjet në rrjetin ujësjellës dhe duke eliminuar ndërhyrjet në rrjet.
- Rikonstruksioni i rrugëve “Kristaq Lacka”, “Qemal Stafa”, shkallëve të pikës Turistike etj.
- Rikonstruksioni i KUZ në lagjen “1 Maj”
- Rikonstruksioni i kanaleve vaditëse në njësitë administrative.
Janë përfunduar dhjetëra projekte rikonstruksionesh dhe ndërtimesh të reja për të cilat është aplikuar për fonde në institucionet përkatëse.
Rikonstruksioni dhe rivitalizimi i rrugës Kuçovë-Urë Vajgurore do të jetë një investim që do t’i shërbejë banorëve të dy bashkive fqinje. Për këtë është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis bashkive Kuçovë – Urë Vajgurore. Bashkia e Kuçovës, me fondet e saj, ka realizuar prokurimin për hartimin e projektit “Studim-Projektim i rrugës Urë Vajgurore-Kuçovë”. Ky investim do të bëj të mundur modernizimin e infrastrukturës që përshkon rruga për Kuçovë, duke marrë pamjen e një bulevardi që lidh qendrat e dy bashkive.
Interes të veçantë bashkia Kuçovë ka shfaqur dhe ka realizuar projekt-idenë e rivitalizimit të zonës industriale pranë TEC-Ndërtim Montim, për ta kthyer atë në një zonë me kreativitet të lartë dhe në shërbim të qytetarëve të Kuçovës.
Po kështu kanë filluar punimet inxhinierike për përcaktimin e gjurmës së rrugës Kuçovë-Lumas (një nga përparësitë kryesore të bashkisë).
Çdo ditë e më shumë, bashkia Kuçovë po kthehet në një zonë ku investimet publike do të vijnë duke u rritur, cilësia e shërbimeve publike duke u përmirësuar dhe jeta social-kulturore duke u gjallëruar.