Gjykata Administrative e Durrësit, dritaret e godinës të së cilës shohin mbi sheshin para portit tek i cili po ndërtohet projekti “Veliera”, ende nuk ka caktuar një datë për gjyqin e ngritur nga shoqëria civile për të shpallur të pavlefshëm projektin që sipas paditësve cënon vlerat arkeologjike të qytetit. Ndërkohë realizimi i objektit, edhe pse i bllokuar në disa segmente, ka hyrë në një fazë mjaft të avancuar.
Në sekretarinë e gjykatës e konfirmojnë se ende nuk është përcaktuar data e seancës së radhës, megjithëse kanë kaluar të paktën 20 ditë nga seanca pararendëse.
“Ne vlerësojmë seriozitetin e Gjykatës, kur ajo vendosi ta ndjekë çështjen me një trupë gjykuese me tre anëtarë”, tha avokatja Mirela Jorgo që përfaqëson një grup organizatash të shoqërisë civile. Por sipas saj, vonesat në intervalet e seancave, kur ligji parashikon vetëm 10 ditë mes tyre “janë një ogur i keq”.
Nga ana tjetër, në drejtorinë juridike të Bashkisë vlersojnë se gjykimi me tre anëtarë është pasojë e kompleksitetit të çështjes që shqyrtohet dhe vjen në zbatim të ligjit. Interesat e bashkisë mbrohen nga dy jurist të kësaj drejtorie, të cilët kanë paraqitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar për trajtimin në themel të çështjes-thanë burimet.
Mbi padinë e ngritur nga Shoqëria Civile ndaj Bashkisë, Gjykata Administrative e Durrësit po shqyrton çështjen në themel, por zvarritja e procesit lehtëson përparimin e punimeve në terren.
Mirela Jorgo, avokate e Shoqërisë civile, tha për BIRN se ndërtimi në sheshin pranë portit po kryhet në kundërshtim të plotë me ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ç’ka u vërtetua sipas saj me zbulimet arkeologjike pranë kompleksit “Fly”.
Sipas saj ky nuk është një gjyq i lehtë. Përballë shoqërisë civile në seance përveç Bashkisë paraqiten 13 palë ndërgjyqëse të thirrura nga Gjykata, institucione të lidhura me trashëgiminë kulturore, që nga Ministria e Kulturës, deri te Drejtoria e Mjedisit, dhe firmat ndërtuese.
Territori ku grupi i arkeologëve zbuloi fragmente të mureve romake dhe pjesë nga fortifikimi osman, në mesin e muajit shkurt u bllokua me një vendim të gjykatës së rrethit gjyqësor të Durrësit. “Megjithëse parashikonte pezullimin e punimeve në një pjesë të vogël të sipërfaqes ku avanconin ndërhyrjet e kompanisë ndërtuese, ky urdhër që mbërriti pas kërkesës sonë, u zbatua nga përmbarimi dhe vazhdon të jetë i vlefshëm edhe sot”, – nënvizon Jorgo.
Në fakt, edhe tani që punimet kanë përfshirë një vijë prej gati 1 km, nga godina e Bankës Tregtare deri në atë të ish-hotel “Vollgës” sipërfaqja e zbulimit arkeologjik vijon të jetë e paprekur. Dallon në pjesën qendrore të murit fortifikues kurora prej shufrash hekuri të pilotës së ngulur në fillim të vitit, e llogaritur të mbajë njërën prej këmbëve të Velierës.
Ngjitur me të është ngritur faqja anësore prej betoni e nënkalimit, ndërsa vendimi i 17 majit i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë që kërkon ruajtjen dhe integrimin e objekteve të zbuluara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve jep shpresa për shpëtimin qoftë edhe gjysmak të vlerave të trashëgimisë.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile ngulmojnë se jo vetëm në Zonën A të rriskut arkeologjik, por edhe në Zonën B mund të ketë element të dëmtuar të vlerave arkeologjike, ndërsa po mbledhin të dhëna për t’i paraqitur në gjykatë edhe mbi pronësitë e disa familjeve, pikërisht aty ku po bëhen ndërhyrje ndërtimore.
Përpjekja ligjore për të bllokuar projektin, në favor të cilit ndërkohë janë lëvizur nga sheshet e qytetit edhe një sërë statujash dhe monumentesh, vijon prej fillimit të muajit shkurt, kur një grup organizatash dhe përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan protestat kundër ndërhyrjes në shesh dhe paraqitën në prokurori dhe në gjykatë padi për anullimin e projektit.
“Bashkia dhe ndërtuesit kanë përforcuar grupin e avokatëve, në përpjekje për ta mbyllur procesin menjëherë me punimet e projektit”-thotë Mirela Jorgo. Avokatët e shoqërisë civile janë të bindur se çeshtja do të vazhdojë në Gjykatën Administrative të Apelit, ndërsa nuk e fshehin vendosmërinë për ta paraqitur rastin deri në Gjykatën e Strasburgut. “Është e pamundur të qëndrosh indiferent ndaj një historie të tilla”-nënvizon Jorgo, e cila kërkon më shumë mbështetje qytetare në favor të kësaj kauze.
Ndërkaq, punimet e firmave “Fusha shpk” dhe “Everest shpk” nuk janë ndërprerë për asnjë çast dhe tashmë ato janë spostuar në sheshin mes Torrës dhe ish-hotel “Vollgës”, duke ndërhyrë edhe në fillim të shëtitores “Taulantia”.
Punimet për projektin “Veliera” kanë nisur në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas investitorit, sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katror dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katror. Ndërsa vlera e të gjithë këtij projekti arrin rreth 6 milion dollarë.