Lajm4 Feb 2017

Shpërthim në minierën e Bulqizës, tre minatorë të bllokuar nën tokë

Shpërthimi i gazit në pusin 7, që menaxhohet nga koncesionari Albchrome ka bllokuar të paktën tre minatorë në thellësinë 1500 metra, ndërsa tre të tjerë u plagosën lehtë. Aksidenti i dytë në minierat e vendit në 10 ditë.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Bulqizë
Printo

Minatorë në Bulqizë. Foto Arkivë. Reporter.al

Minatorë në Bulqizë. Foto Arkivë. Reporter.al

Tre minatorë u plagosën ndërsa të paktën tre të tjerë mendohet se janë ende të bllokuar, pas një shpërthimi gazi në pusin 7 të minierës së Bulqizës. Shpërthimi i gazit ndodhi rreth mesditës së shtunë, ndërsa minatorët po punonin në nivelin 16 të pusit që zotërohet nga Albchrome.

Ministria e Energjitikës njoftoi se shpërthimi kishte ndodhur gjatë punimeve që po zhvillohen për hapjen e pusit të thellësisë, i cili sipas saj do të shtojë jetëgjatësinë e minierës. Investimi kryhet nga kompania koncesionare Albchrome, e cila i përket grupit Balfin, përmes kompanisë kineze Wenzhou Mining Co Ltd, e nënkontraktuar nga koncesionari për këtë shërbim.

Ministria po ashtu njoftoi se tre të plagosurit dhe tre të humburit që mendohet se janë bllokuar në minierë janë shtetas kinezë dhe punonjës të Wenzhou Mining Ltd.  Nga të dhënat e para mësohet se punëtorët në rreth 1500 metra thellësi kur ka shpërthyer gazi metan, e për pasojë janë plagosur 3 prej tyre që punonin si sinjalizues.

Por, nëse 3 të plagosurit u nxorën nga thellësitë e minierës dhe u dërguan në spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe u konstatua se ishin jashtë rrezikut për jetën, ende nuk bëhet me dije për fatin e të paktën tre minatorëve të tjerë, që punonin në ballin e galerisë, të cilët kanë mbetur të bllokuar në nëntokë.

Nga burime pranë policisë mësohet se grupi i avaro-shpëtimit të minierës, nuk ka mundur të nxjerrë minatorët e bllokuar nga miniera për shkak të sasisë së madhe të gazit metan të shpërthyer.   Ministria e Energjetikës njoftoi se nga Tirana është nisur grupi i RISHM-it (Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave), për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti.  Po kështu mësohet se nga Peshkopia ka ardhur grupi i ekspertëve hetimorë të Prokurorisë për të hetuar në lidhje me ngjarjen.

Ky është aksidenti i dytë brenda 10 ditëve të të fundit në miniera. Më 27 janar, një minator humbi jetën në Tropojë dhe një tjetër u plagos, pasi u shemb galeria. Ndërkohë raste të ngjashme ka pasur në vazhdim në të gjithë vendin, megjithë premtimet për rritje të sigurisë, aksidentet e rënda nuk janë shmangur.