Lajm3 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Artur Bushi-kryetar i Bashkisë së Krujës

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi deklaron pasuri me vlerë 8.8 milionë lekë, ndërkohë që nuk justifikon me burimet e deklaruara në ILDKPKI shtesën e pasurisë për vitet 2012 dhe 2013.

Autor: BIRN Birn Tiranë
Printo

Artur Bushi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Krujës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si kandidat i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Mandatin e tij të parë si kryetar bashkie ai e fitoi me 54.59% të votave.

Artur Bushi ka lindur në Thumanë të Krujës në janar të vitit 1975. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bushi emigroi në Itali ku qëndroi deri në vitin 2010.

Artur Bushi u përfshi në politikën lokale menjëherë pas kthimit në Shqipëri, duke u zgjedhur kryetar i komunës Thumanë në vitin 2011. Ndërsa dy vjet më pas, ai u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste për deputet në qarkun e Durrësit dhe e fitoi mandatin.

E shkuara e Artur Bushit gjatë kohës së emigrimit në Itali u rikthye në vëmendjen e publikut në vitin 2015, kur Shqipëria u përfshi nga debati për dekriminalizimin e politikës. Një investigim i BIRN zbuloi asokohe se kandidati për kryebashkiak i Krujës ishte arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane, i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës.

Por Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u  pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane. Përveç kësaj çështjeje, Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.

Në Shqipëri, Artur Bushi u diplomua për Drejtësi dhe Histori. Ai u kandidua nga Partia Socialiste për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Krujës për zgjedhjet e 30 qershorit. [Lexo CV-në e plotë].

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit,  në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Krujës nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga kryetari i Bashkise se Krujes, Artur Bushi per vitet 2011-2017.

Kryetari i Bashkisë së Krujës zotëronte pasuri me vlerë 2.3 milionë lekë në vitin 2011, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij, Bushi zotëronte një automjet me vlerë 13 mijë euro dhe një automjet me vlerë 4 mijë euro.

Në fund të vitit 2017, pasuria e tij e deklaruar kap vlerën e 8.8 milionë lekëve. Ajo përbëhet nga një apartament me vlerë rreth 5.9 milionë lekë, kursime në cash prej 700 mijë lekësh si dhe automjeti që deklaronte para fillimit të detyrës.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9.1 milionë lekë. Rreth 81% e të ardhurave kanë si burim pagën e subjektit nga funksioni, ndërsa të ardhurat nga paga e bashkëjetueses zë rreth 9% e totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, nga të cilat 5 deklarata rezultojnë pa probleme dhe dy deklarata të tjera me probleme.

Kryebashkiaku i Krujës rezulton me pasuri të pajustifikuar me burimet e deklaruara në vlerën 1.1 milionë lekë në vitin 2012 dhe 2.2 milionë lekë në vitin 2013. Në vitin 2012, ai deklaron blerjen e një apartamenti me vlerë 42 400 euro me burim kryesor një kredi bankare prej 3.9 milionë lekësh.

Ndërsa në vitin 2013 ai deklaron se ka shlyer para kohe kredinë në vlerën e 2.5 milionë lekëve si dhe ka kursyer një shumë parash, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara janë rreth 775 mijë lekë.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al