Lajm3 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Gjon Gjonaj-kryetar i Bashkisë Pukë

Kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj është ndër të zgjedhurit vendorë më të pasur në Shqipëri me asete të deklaruara në vlerën e 6.5 milionë eurove, ndërkohë që deklaratave në ILDKPKI i mungon burimi i krijimit të tyre.

Autor: BIRN Birn Tiranë
Printo

Gjon Gjonaj u zgjodh kryetar i Bashkisë së Pukës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane. Gjonaj fitoi me 50.64% të votave kundrejt rivalit të tij politik.

Mbështetës dhe përkrahës i së majtës që në vitet ’90, Gjon Gjonaj u përfshi në politikën aktive lokale në vitin 2015 si një kandidat i Partisë Socialiste nga fusha e biznesit. Ai ka përfunduar studimet për Agronomi në vitin 1981 dhe ato për Ekonomi në vitin 1984. Sipas CV-së së tij të publikuar në faqen e Bashkisë së Pukës, Gjonaj ka punuar si drejtues në administratë vendore në vitet 1981-1991 dhe në sektorin e industrisë në vitet 1991-1994.

Ai është pronar i hotel-turizëm Puka dhe është angazhuar në biznes privat në vitet 1995-2015. [Lexo CV-në]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit,  në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Pukës nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga kryetari i Bashkise se Pukes, Gjon Gjonaj per vitet 2015-2017.

Kreu i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj rezulton të jetë ndër kryebashkiakët më të pasur në Shqipëri. Ai ka deklaruar në vitin 2015 pasuri me vlerë 824.1 milionë lekë [6.5 milionë euro]; të përbërë kryesisht nga shtëpi banimi, apartamente, troje dhe ish-hotel turizmin në Pukë.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kryetarit të Bashkisë së Pukës ka ndryshuar në një përqindje të vogël dhe kap vlerën e 826 milionë lekëve. Nga këto, 822.7 milionë lekë llogariten pasuritë e patundshme të vendosura para fillimit të detyrës, 1.4 milionë lekë kursimet në cash dhe automjete me vlerë 1.8 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 2 milionë lekë, me burim të vetëm pagën nga funksioni i kryetarit të Bashkisë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 3 vite të deklarimit, njëra prej të cilave rezultoi me probleme.

Më konkretisht në deklarimin Para Fillimit të Detyrës, z.Gjonaj deklaron pasuri me vlerë 824.1 milionë lekë, pa referuar në asnjë moment burimin e saj. Në rubrikën e aseteve deklarohen gjithashtu “karerierë nxjerrje mermeri Kolosjan Kukës” 1.8 milionë euro dhe hotel-turizëm Puka 1.6 milionë euro pa sqaruar se çfarë përfaqësojnë vlerat e deklaruara, s aka qenë investimi dhe vazhdon aktiviteti tregtar apo jo.

Gjithashtu në vitin 2015, kryebashkiaku Gjonaj ka deklaruar blerjen e një automjeti në vlerën 1.4 milionë lekë, pa referuar burimin e kësaj pasurie.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al