Punimet e skulptorit durrsak Qazim Kërtusha do të përballen të enjten, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me veprat e qindra krijuesve bashkëqytetarë që kanë punuar në mijëvjeçarët dhe shekujt e kaluar.
40 punimet e përzgjedhura nga krijimtaria 40-vjeçare e autorit tashmë kanë zënë vend pranë monumenteve, skulpturave, kolonave, kapiteleve dhe reliefeve, që mbushin sallat e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, më i madhi në llojin e vet në të gjithë vendin.
Vizitorët vendas dhe të huaj që do të preferojnë nesër qytetin bregdetar, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, bashkë me eksponatet e Muzeut Arkeologjik mund të ndjekin edhe Ekspozitën “Kërtusha 2017” përgatitur nga skulptori Qazim Kërtusha dhe vajza e tij kuratore, Joana.
Artisti i njohur për skulpturat e parkut të instaluara në pjesë të ndryshme të qytetit bregdetar thotë për BIRN se kjo është një sfidë artistike që i vendos punimet e tij përballë veprave të mjeshtrave durrsakë në shekuj.
“Do të isha i lumtur nëse vizitorët do të ndalonin edhe para punimeve të mija, njëlloj si para qindra veprave me moshë 2000-vjeçare, që dëshmojnë jetën e qytetit dhe gjeninë krijuese të paraardhësve tanë,”shprehet autori 64-vjeçar.
Kërtusha thotë se katër dekadat e përvojës si restaurator në Muzeun e Durrësit i dhanë siguri guximit të tij për të ekspozuar në mjediset e institucionit që ka thuajse të njejtën moshë me të.
Vepra e artistit Kërtusha është lidhur pazgjidhshmërisht me monumentet e zbuluara dhe shtresat kulturore, me të cilat është ndeshur krah arkeologëve zbulues.
“Në vitin 2003, kur shkëpusnim nga errësira dhe balta monumentin e Geas, perëndeshës së Tokës dhe Pjellorisë, kam ndjerë respekt për brezat dhe për kulturën që lanë pas,” shprehet Kërtusha, i cili nuk e fsheh se ekspozita që do të hapet në Ditën ndërkombëtare të Muzeve është një përgjegjësi e veçantë, jo vetëm përballë vizitorëve, por edhe përballë krijuesve anonimë të objekteve qindravjeçare të zbuluara në Durrës.
Kjo është ekspozita e 6-të personale që Qazim Kërtusha ka hapur në mjedise të ndryshme të qytetit, të hapura dhe të mbyllura. Ajo ka gjetur mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve dhe drejtori i saj, Ledion Lako ndjehet mirë që ekspozita e parë me vepra të artit pamor në këtë institucion mban firmën e një specialisti me përvojë të Muzeut.
“Në sallat e Muzeut vitet e fundit janë organizuar koncerte instrumentale dhe veprimtari të fjalës poetike,” tha Lako, sipas të cilit një ekspozitë me vepra skulpturore, njëlloj si ato që popullojnë eksponatet e lashtësisë përbën një risi”. Pas Ditës ndërkombëtare të Monumeteve, që iu kushtua zbuluesit arkeolog Vangjel Toçi, ky është aktiviteti i dytë radhazi në një ditë të shënuar për Muzeumologjinë botërore.
Skulptori Qazim Kërtusha, autor i nëntë veprave të instaluara në parqet e qytetit të Durrësit, si dhe i monumenteve për Aleksandër Moisiun dhe Haxhi Zekën, vendosur në Viene dhe në Pejë, e hap ekspozitën e radhës me portretin në allçi kushtuar Vangjel Toçit, duke e quajtur arkeologun e ndjerë “edukator të jashtëzakonshëm dhe mecenat të artit dhe kulturës në Durrës”.
Punimet në dru, qeramikë, mermer dhe bronx, si dhe vizatimet e skulptorit Kërtusha, kanë kaluar me dhjetra herë në duart e Joanës, vajzës së artistit, që krejt natyrshëm siç thotë ajo, është kthyer në kuratoren e të të jatit. “E kam ndjekur në çdo hap babin-thotë Joana, ndërsa rendit projektet dhe veprat e përgatitura nga Qazim Kërtusha, si “Përjetësi”, “Violonçelistja”, “Pasioni”, “Tango”, etj.
Lidhja e ngushtë e krijuesit Qazim Kërtusha me artin dhe kulturën shekullore të Durrësit, jeta intensive mes mjeshtërve të sotëm dhe restaurimi i qindra objekteve arkeologjike u kanë dhënë veprave të autorit durrsas një status të veccantë midis artëdashësve në qytetin bregdetar .