Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si te suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Tepelenë?
Tre arritjet kryesore që unë mund të përmend janë:
Rilindja urbane e bashkisë Tepelenë nëpërmjet investimeve shumë të suksesshme të realizuara në këtë periudhë.
Vendosja e plotë e kontrollit mbi administrimin e gjithë territorit të bashkisë dhe rritja në një nivel të kënaqshëm të shërbimeve publike.
Përdorimi i instrumenteve efikase për të ulur sadopak nivelin e papunësisë dhe varfërisë.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsutimeve publike etj) dhe transparencës gjatë këtij viti?
Transparenca dhe llogaridhënia kanë qenë dy shtyllat kryesore në punën e bashkisë. Të gjitha fazat e hartimit të buxhetit kanë kaluar nëpërmjet dëgjesave publike dhe pjesëmarrjes së komunitetit. Çdo vendimmarrje është bërë publike, si nëpërmjet shpalljeve publike dhe mjeteve të informimit publik. Së fundi është në ndërtim e sipër dhe faqja ueb e bashkisë ku do të gjejë pasqyrim gjithë procesi vendimmarrës.
Cilat janë tre sfidat me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Tre sfidat kryesore janë:
-Vazhdimi i projekteve të mëdha në fushën e infrastrukturës nëpërmjet bashkëpunimt të fuqishëm me qeverinë, si dhe rritja e nivelit të shërbimeve publike në komunitet.
-Nxjerrja në pah dhe kthimi në një aset të vlerave të mëdha që mbart bashkia në fushën e historisë dhe trashëgimisë kulturore të turizmit.
-Papunësia dhe varfëria do të jenë në fokus të punës sonë për t’i zbutur sadopak si nëpërmjet investimeve dhe nëpërmjet aplikimit të instrumenteve efikase.
Ju keni premtuar ndërhyrjen mirëmbajtëse në objektet shkollore dhe shëndetësore brenda 300 ditëve. Çfarë është bërë në këtë drejtim?
Po ka qenë një nga premtimet, por njëkohësisht e konsideroj dhe një nga arritjet tona. Ne kemi ndërhyrë në të gjithë institucionet, si me investime dhe me mirëmbajtjen e zakonshme duke i bërë sa më të përshtatshme për një proces mësimor cilësor. Rikonstruksioni total i gjimnazit “ABAZ Shehu”; ndërtimi i sistemit ngrohës në kopshtin e fëmijëve “Murat Koçiu”; Rikonstruksioni i shkollave Hormove dhe Turan në bashkëpunim me një fondacion zviceran, si dhe parashikimi i një sërë ndërhyrjesh që do të kryhen në periudhën korrik-gusht mendojmë se infrastruktura arsimore në prag të fillimit të vitit të ri mësimor do të njohin zhvillim tepër cilësor.
Çfarë hapash po hidhen për nxitjen e turizmit dhe formave të tij?
Bashkia e Tepelenës e ndodhur përgjatë një aksi të rëndësishëm me potencial zhvillimi, do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm social ekonomik të territorit bazuar në zhvillimin e agro-turizmit dhe turizmin alternativ, bujqësinë dhe agrobiznesin duke pëfituar nga përparësitë territoriale dhe trashëgimia historiko-kulturore, nëpërmjet përdorimit të instrumentit të bashkëpunimit ndërvendor. Bashkia e Tepelenës, me një qeverisje të mirë lokale do të kthehet në bashki me shërbime publike cilësore dhe infrastrukturë bashkëkohore që mundëson cilësi të lartë jetese për banorët duke ngjallur te popullsia e larguar nga zonat rurale dëshirën për t’u kthyer e për të jetuar më mirë.
Sa është realizuar në lidhje me pritshmërinë tuaj ndryshimi i situatës lidhur me kalanë e Tepelenës dhe çfarë plane keni për të ardhmen?
Është realizuar rehabilitimi i sheshit para kalasë duke e kthyer atë në një shesh atraktiv për qytetin dhe turizmin. Është hartuar një projekt për rikonceptimin e një sistemi rrugësh me kalldrëm, ndriçim sipas periudhës dhe stilit të ndërtimit të kalasë. Meqenëse kalaja është e banuar, është menduar edhe sistemimi i ujërave të zeza e ato të shiut që këto të mos vazhdojnë të krijojnë erozion e të dëmtojnë strukturën e Kalasë.
Sa vështirësi ka gjetur bashkia në lidhje me detyrimet e prapambetura?
Po, është e vërtetë. Kemi gjetur shumë detyrime të prapambetura të cilat kanë sjellë vështirësi në funksionimin normal të bashkisë. Këto detyrime kanë të bëjnë kryesisht me vendime gjyqësore e detyrime të tjera kontraktuale. Filozofia jonë në drejtim të menaxhimit sa më efektiv të burimeve financiare në dispozicion duke mos krijuar detyrime të reja dhe likujdimin e pjesshëm të detyrimeve të prapambetura.
Në zonat malore edhe këtë vit janë shfaqur vatra me marijuanë. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë dukuri?
Në mënyrë të vazhdueshme unë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, Komisariatin e Policisë Tepelenë me administratorët e njësive administrative dhe kryetarët e fshatrave kemi zhvilluar një fushatë të gjerë sensibilizuese e parandaluese, si dhe jemi në monitorim të vazhdueshëm duke kërkuar informacion nga strukturat që veprojnë në terren.