Cilat janë 3 arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë?
Krahas riorganizimit të bashkisë në përputhje me ndarjen e re territoriale, hartimin e planeve e projekteve lidhur me situatën konkrete të gjetur në bashkinë tonë, menjëherë pa humbur kohë jemi fokusuar edhe në objektivat tona të prezantuara në platformën elektorale. Tre drejtimet kryesore ku jemi fokusuar dhe po vazhdojmë të punojmë janë: Përmirësimi i furnizimit më ujë të pijshëm dhe ujitja. Lidhur me infrastrukturën, është në procedurë projekti i ri-vitalizmit të qendrës së qytetit Koplik, me një vlerë prej 208 milion lek të reja dhe një sërë projektesh të tjera. Shkollat dhe qendrat shëndetësore janë në proces rikonstruksioni në Bajzë, shkolla Xhaj si dhe qendrat shëndetësore Bratosh e Kullaj. Është planifikuar edhe rikonstruksioni i konviktit Tamarë.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Unë personalisht jam në kontakte të vazhdueshme me qytetarët, me të cilët jo vetëm diskutoj për problemet e tyre personale por edhe lidhur me projektet dhe punët e komunitetit. Njëkohësisht bashkia bën njoftime të vazhdueshme me anë të medieve lokale, për të gjithë problematikat dhe në funksion të transparencës. Njësitë administrative dhe drejtuesit e tyre po ashtu janë të udhëzuar të rrinë në kontakt dhe të informojnë në mënyrë të vazhdueshme komunitetin lidhur me çdo problematikë. Janë zhvilluar disa takime me grupe interesi lidhur me hartimin e projekteve për ndërhyrje në disa fshatra.
Cilat janë 3 sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Uji i pijshëm, bujqësia dhe turizmi. Për të tria këto drejtime kemi program të qartë dhe po punojmë që brenda këtij mandati të ketë përmirësime të tilla që nuk janë parë në këto 25 vjet.
Çfarë masash konkrete ka marrë bashkia lidhur me orientimin e fermerëve për produktet që duhet të mbjellin që malli i tyre të ketë treg të sigurt?
Kam ngritur një grup pune të kryesuar nga n/kryetari i bashkisë, me detyrë të përcaktuar orientimin e fermerëve në drejtim të strukturës së mbjelljeve me qëllim që të mos u mbeten produktet pa shitur. Konkretisht janë orientuar të mbjellin shumëllojshmëri të bimëve medicinale e duhan, fushë në të cilën zona ka përvojë, kemi mbajtur kontakte me organizata që mbështesin fermerët e konkretisht me AZHBR, SARET dhe OXFAM.
Çfarë ndërhyrjesh janë bërë në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujitjes së tokave bujqësore?
Kemi prerë të gjitha lidhjet e pa ligjshme, në 6 fshatra janë vendosur matësit e ujit për të mundësuar mirë administrimin dhe pagesën e ujit nga konsumatorët, është përmirësuar ndjeshëm furnizimi me ujë të pijshëm, kemi hartuar projektin e ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit për qytetin e Koplikut, kemi aplikuar dhe jemi në pritje të marrjes së financimit nga Qeveria. Në bashkëpunim me VIS Albanian jemi në proces të realizimit të dy projekteve të tjera për furnizimin me ujë të Fshatit Razëm dhe Tamarë zona që pavarësisht rëndësisë për turizmin kanë qenë gjithmonë problem në këtë drejtim. Sa i përket ujitjes, edhe me mbështetjen e qeverisë qendrore, jemi në proces të përfundimit të projektit të pastrimit, riparimin dhe ndërtimit të 8 km të rrjetit sekondar të kanalit vaditës, duke filluar nga Omaraj deri në kufi me Bajzën.
Cilat janë ndërhyrjet në infrastrukturë të bëra gjatë vitit të parë të mandatit tuaj dhe çfarë projektesh keni hartuar dhe presin financim?
Është në procedurë projekti i ri-vitalizmit të qendrës së qytetit Koplik, me një vlerë prej 208 milion lek të reja. Ka përfunduar projekti i ndërtimit të qendrës së fshatit turistik Tamarë, është në përfundim e sipër pedonalja në pikën turistike Razëm, ka përfunduar një pallat me 20 familje për projektin e efikasitetit elektrik. Kemi në proces realizimi investime të garantuara, rruga e Reçit, rruga e Kalldrunit, rruga Bratosh – Kastrat, ura e Hysajve në komunën Gruemirë, sistemimin totalisht të njësisë administrative Kelmend, rruga Dedaj e Lohe, rruga Goraj –Zagorë në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Qarkun. Është në proces rikonstruksioni i shkollës Bajzë, shkolla Xhaj.
Bashkia juaj ka sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Çfarë është bërë konkretisht gjatë këtij viti në drejtim të ruajtjes dhe shtimit të pyjeve?
Fillimisht kemi marrë masa që të parandalohen prerjet ë paligjshme si dhe mbrojtjen kundër zjarrit. Kemi hartuar projekte dhe jemi në kontakt me Ministrinë e Mjedisit lidhur pyllëzimin e disa zonave të dëmtuara në vite, nga faktorët natyrorë por edhe prej keqtrajtimit. Synimi ynë është që pyjet në bashkinë tonë të mirëmbahen dhe zhvillohen, me qëllim që edhe në të ardhmen të jenë një burim i rëndësishëm për ekonominë e banorëve, sidomos të atyre që banojnë në zonat e thella.
Turizmi malor është një pasuri me vlerë e bashkisë suaj. Çfarë është bërë për zhvillimin e tij, promovimin dhe zhvillimin e tij sipas kërkesave të tregut?
Për herë të parë ne si bashki kemi bërë fushatë promovimi lidhur me turizmin në përgjithësi, në veçanti për atë malor e kulinar me organizimin e ditës së turizmit në Malësinë e Madhe. Kemi bërë thirrje për të gjithë biznesmenët e interesuar të investojnë në këtë fushë të rëndësishme dhe fitimprurëse për ta.
Çfarë është bërë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së qendrave shëndetësore gjatë vitit të parë të mandatit tuaj?
Kemi riparuar 3 qendra shëndetësore dhe kemi ndërtuar 2 të reja, kemi përfunduar projektet për tre qendra të tjera.