Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Mendoj se Bashkia Malësi e Madhe ka një sërë problemesh, por sipas vlerësimit tim, problemet ekonomike janë më kryesorët, ndaj edhe punësimi i banorëve dhe shitja e produkteve bujqësore e blegtorale, janë një ndër synimet tona më parësore. Në lidhje me zgjidhjen e këtyre problemeve, ne do të marrim në sërë hapash, si fillim, regjistrimin nga zyra e punës e të gjithë atyre që kërkojnë punë, duke shënuar edhe profilin përkatës. Pastaj shfrytëzimi i mundësive të reja, që ky organizim i ri lokal na jep, shoqëruar me mundësitë që krijohen nga Zona e lirë ekonomike, që mund të sjellë lehtësime fiskale për investitorët, për të afruar biznesin privat të huaj e vendor, për të investuar në Bashkinë tonë. Duke siguruar një administratë bashkiake transparente dhe funksionale, si dhe të pakorruptuar e miqësore me biznesin, mendoj se do të krijohen gradualisht mundësi për investime në bujqësi, blegtori, turizëm dhe industrinë e lehtë e përpunuese. Kështu që kjo do të rrisë edhe nevojën e kërkesat për punë dhe rrjedhimisht edhe numrin e të punësuarve në sektorin privat.
Paralelisht me këtë, do të orientojmë fermerët se çfarë produktesh të mbjellin, në mënyrë që t’i orientojmë ata drejt tregjeve sa më të sigurta, që malli i tyre të mos mbetet stok. Kështu që duke punuar në drejtime të ndryshme, me zhvillimin e sektorëve të veçantë, do të krijojmë edhe mundësi për uljen e numrit të të papunëve, shitjen e produktit vendas dhe rritjen graduale edhe të mirëqenies së banorëve në Malësinë e Madhe. Krahas kësaj, do të shikojmë me përparësi nevojat për ujin e pijshëm dhe ujitjen e tokave, si dhe prioritetet të tjera me rëndësi.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore, në bashkinë e Malësisë së Madhe? (Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve, që synohen të riparohen).
Në fakt, organizimi i ri i bashkisë, do të kërkojë një punë të madhe dhe na vë para sfidave vërtetë të mëdha, por jam i vullnetit t’i hyj me shpirt kësaj pune, nëse do të marr votën e qytetarëve të Malësisë. Kudo ku vë dorën në këtë bashki, ka nevojë për ndërhyrje, duke filluar nga ndërtesa aktuale e bashkisë Koplik, aspak funksionale dhe e përshtatshme për të ushtruar një detyrë të tillë drejtuese, për një bashki të madhe. Pra, që në vitin e parë, do të shikoj mundësinë për gjetjen e tokës dhe bërjen e një projekti modern, për ndërtesën e një bashkie të një niveli të admirueshëm, dhe shpresoj të gjej edhe mbështetje nga qeveria, apo donacione ndërkombëtare, etj. për këtë. Pastaj, ajo që merr vëmendje të veçantë është edhe gjetja e një toke, vendi, për ndërtimin e një qendre sportive me standarde të pranueshme, bashkë me një fushë futbolli dhe ambiente të tjera sportive aty. Gjithashtu, kam synime edhe për ndërtimin e një shtëpie kulture dhe një kinemaje në Koplik, një si shtëpi rinie, multi-funksionale. Përveç kësaj, do të shikojmë me prioritet rrugët e bashkisë, do të mbledhim informacion dhe do të planifikojmë prioritetet e duhura, qoftë për ndërtimin apo riparimin e mirëmbajtjen e tyre, gjithmonë sipas mundësive financiare, që do të kemi në dispozicion. Do të vlerësojmë edhe shkollat dhe qendrat shëndetësore dhe duke parë gjendjen e tyre dhe koston financiare reale, gjithashtu edhe buxhetin tonë, do të vëmë një prioritet, se ku do të bëhen ndërhyrjet e para.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Malësisë së Madhe dhe cilat janë ato?
Lëvizjet do të bëhen duke u bazuar mbi vlerësime objektive të punonjësve aktualë, dhe atyre që do të punësohen si të rinj. Kriteret e punësimit, mbajtjes apo marrjes në punë, do të jenë sipas aftësive dhe duke u vlerësuar nga një komision i posaçëm i punësimit. Kandidatët për një vend pune do të aplikojmë dhe do të konkurrojnë, në një konkurs të shpallur publikisht. Për këtë, do i referohemi edhe përvojës më të mirë të Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike. Kështu që për momentin nuk kam një listë kriteresh, por me të fituar zgjedhjet, nëse i fitoj, do të krijoj një komision pa humbur kohë dhe do të marr parasysh përvojën më të mirë në këtë fushë, në bazë të atyre kërkesave ligjore, që aplikohen, qoftë për aftësinë, transparencën dhe vlerësimin e paanshëm e objektiv.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët, në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)
Kam synim që të jem i hapur në këtë drejtim, dhe përveç diskutimeve me grupet e interesit, për çështje të caktuara, do të marr parasysh edhe sugjerimet e ekspertëve më të mirë të mundshëm, për secilin sektor, qoftë për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë, projektet për ndërtimin e objekteve të veçanta me interes për ekonominë, bujqësinë apo blegtorinë, si dhe për biznesin e industrinë.
Çfarë do të bëni ju në ndihmë të fermerëve të Malësisë së Madhe, veçanërisht për kulturat specifike të zonës si duhani dhe bimët medicinale?
Mendoj se do i orientojmë fermerët përmes zyrës së bujqësisë, në lidhje me kulturat që duhet të mbjellin dhe sasinë e mundshme, që mund të thithet nga tregjet më të sigurta të mundshme. Duke marrë informacion të vazhdueshëm në atë fushë, dhe duke ua vënë këtë informacion në dispozicion fermerëve lokalë, besoj se do të japim një ndihmë të vyer, që produkti bujqësor, por edhe ai blegtoral, të mos mbetet stok, por të gjejë tregun e shitjes dhe me çmime të arsyeshme, sipas ndikimeve kërkesë-ofertë, që ka ekonomia e tregut.
Çfarë hapash do të ndërmerrni për mbrojtjen, menaxhimin dhe rigjenerimin e pyjeve dhe për zhvillimin e turizmit malor në Malësinë e Madhe?
Zonat e mbrojtura pyjore dhe turistike do të ruhen vazhdimisht nga rojtarë të paguar të drejtorisë së pyjeve. Po ashtu do të shikojmë mundësinë për mbjelljen e pemëve të reja, në bashkëpunim me fermerët, banorët lokalë dhe biznesin privat. Pyjet janë një pasuri lokale, por edhe kombëtare, janë mushkëritë e natyrës. Qeveria shqiptare, por edhe donacione të huaja, kanë projekte të ndryshme për mbrojtjen e pyjeve dhe të alpeve shqiptare. Ne jemi me fat, se kemi një pasuri të mrekullueshme të natyrës, të cilën do përpiqemi edhe ta ruajmë e ta mbrojmë. Duke e mbajtur pastër dhe duke e mbrojtur nga abuzuesit.
Alpet tona janë mjaft atraktive për turizmin nga vendas dhe të huaj, kështu që mbrojtja e pyjeve, krijimi i sigurisë së lëvizjes, mbajtja pastër e tyre, dhe ofrimi i shërbimeve atje, janë ndër ato hapa që duhet të marrim, për të rritur numrin e turistëve dhe për të ofruar shërbimin e duhur për ta. Gjithmonë, duke bërë mirë atë pjesë që bashkia jonë ka në dorë, në bashkëpunim të ngushtë me banorët e zonës dhe me biznesin lokal.
Çfarë hapash do të ndërmerrni për përmirësimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore brenda vitit të parë të mandatit tuaj?
Për qendrat shëndetësore do të verifikohet gjendja e tyre, dhe pastaj do të përcaktohen edhe hapat e duhura për riparimin e dëmtimeve eventuale, pajisjen e tyre me bazë materiale të nevojshme, si dhe mundësisht hapjen e shërbimeve ambulatore, sipas nevojës dhe sidomos edhe në shërbim të turistëve dhe vizitorëve që vijnë.