Qindra gra dhe vajza lenë çdo mëngjes shtëpitë e tyre për t’iu drejtuar apartamenteve dhe banesave të familjeve durrsake; atje ku janë punësuar në shërbime dhe përkujdesje të ndryshme. Numri i tyre sa vjen e rritet, por tregu i punës që ato përfaqësojnë vazhdon të jetë krejtësisht informal dhe pjesa më e madhe e tyre punojnë në të zezë.
Kjo mungesë regjistrimi dhe formaliteti i lë shpesh këto punonjëse në mëshirë të punëmarrësit dhe ato mund të bëhen lehtësisht objekt i ndërprerjes së marrëdhënies së punës, apo i vonesave të pagave.
Keti Baruni, një grua që punon si ndihmëse shtëpiake në Durrës, tregon se një grua e moshuar që e punësoi si pastruese dhe kuzhinjere e largoi nga puna brenda pak muajsh pa asnjë motiv. Pas saj u larguan njëra pas tjetrës edhe katër gra të tjera.
Nuk janë vetëm punëmarrësit që ankohen. Ka edhe punëdhënës që dëshmojnë për abuzime të punonjëseve të tyre.“Në disa raste kisha vërejtur mungesa të objekteve me vlerë në shtëpi dhe u detyrova ta largoj pastruesen nga puna,” tregon Mellani Spiru.
Punësimet në këtë sektor në të shumtën e rasteve bëhen nëpërmjet referencave dhe rrallëherë nëpërmjet agjenciave të specializuara apo Zyrës së Punës.
Eda Pajuni, e cila drejton një organizatë që synon edhe punësimet në këtë sektor, tha për BIRN se vetëm 10 për qind e të punësuarve kalojnë nga Zyra Rajonale e Punësimit apo nga agjencitë private të specializuara.
“Të dhënat më të plota përgjithësisht i kanë OJF-të në mbështetje të gruas në nevojë, por edhe numri i grave dhe vajzave që i frekuentojnë ato është i kufizuar,”vlerëson ajo.
Ymer Nurka, drejtuesi i një agjencie punësimi në Durrës bie dakord me Pajunin në lidhje me informalitetin e sektorit, po paralajmëron se punësimi i ndihmësve shtëpijake në mënyrë informale mbart rreziqe.
“Edhe në ato pak kontrata të nënshkruara mes palëve mungojnë certifikatat profesionale të punësuarve,” tha Nurka.
Sipas tij palët marrin një risk të madh mbi vete, sidomos kur bëhet fjalë për punonjës asistentë ndaj të moshuarve. Ka patur raste sipas tij kur është dëmtuar edhe i moshuari edhe kujdestari i punësuar. Askush nuk ka menduar më pas për mjekimin e punonjësit, apo për shpërblimin që vjen nga aksidenti.
“Jo çdokush mund të ofrojë një shërbim të tillë,”shprehet Nurka, duke nënvizuar se kurset e kualifikimit për këtë kategori mungojnë, ndërsa thotë se zyrat e punësimit janë të painteresuara për këta punonjës.
Në kurset e formimit profesional që organizohen pa ndërprerje nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë janë parashikuar vetëm programe për përgatitjen si babysitter. Për të gjetur punonjës për kategorit të tjera ndihmësish shtëpiak, zakonisht familjarët u drejtohen miqve dhe shokëve më të informuar.
Mellani Spiru ka punësuar tri gra për t’i ardhur në ndihmë të moshuarve në familjen e saj, si dhe xhaxhait që jeton i vetëm dhe është i pamundur. Znj. Spiru pohon për BIRN se kanë qenë shoqet që i kanë ofruar kandidaturat e disa “grave serioze dhe punëtore”.
Jo gjithmonë serioziteti është kriteri kryesor për punësimin e ndihmësve shtëpiak. Kërkesat e punëdhënësve mund të jenë nga më të ndryshmet, por thuajse të gjithë mbështeten te përshtypjet personale dhe intervista me punëmarrësin.
Një punonjës në një institucion publik tregon se nëna e tij kërkonte si shoqëruese një “grua të hijshme dhe me një emër të bukur! Punësuam dikë, të cilën e thirrëm me një emër tjetër për hatër të nënës,”dëshmon ai.
Mungesën e ndërmjetësve të autorizuar për punësimin në këtë sektor e kanë zënë ato informalë. Disa gra me përvojë shumëvjeçare si punonjëse shërbimi në shtëpi, i kanë dhënë të drejtën vetes të negociojnë me familjet, duke ofruar gra dhe vajza për tu punësuar në këtë sektor.
Një prej tyre Zyhra Thaka, prej kohësh është kthyer në një ndërmjetëse mes familjeve punëdhënëse dhe vajzave e grave punëmarrëse. Ajo mendon se u vjen në ndihmë atyre që kanë nevojë, si familjeve ashtu edhe grave punëkërkuese.
“Një pjesë e tyre arrijnë të gjejnë punë afatgjatë në qytet. Një pjesë tjetër presin stinën e verës, kur në zonën e plazhit familjet japin dhoma me qira për pushuesit. Kjo e shton kërkesën për gra dhe vajza punëtore shërbimi sezonal,”shprehet Zyhraja.
Megjithëse se punësimi në këtë sektor nuk është i lehtë, shumë grah e konsiderojnë veten me fat për mundësitë që i ka dhënë. Një prej tyre Nexhmije Mezini. e cila është punësuar prej disa vitesh në një familje dhe më pas ata e kanë rekomanduar atë edhe te të afërmit e tyre.
“Kështu java ime e punës është plotësuar në tre shtëpi dhe në fund të muajit arrij t’i mbledh të gjitha në një rrogë,” shpjegoi ajo.