Cilat janë 3 arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë?
Programi ynë elektoral është bazuar në pesë kolona kryesore. Gjatë fushatës time elektorale kam premtuar që në themel të punës së Bashkisë Shkodër do të jetë demokracia vendore dhe pjesëmarrja qytetare në respekt të zbatimit të parimeve bazë të demokracisë si: sundimi i ligjit, përgjegjësia, llogaridhënia, besimi, transparenca, efektiviteti, efikasiteti, partneriteti. Deri tani kemi arritur: Realizimin e pjesëmarrjes qytetare në procesin e hartimit të dokumenteve më të rëndësishëm të bashkisë ato të: Sistemit të taksave dhe tarifave vendore, Buxhetit 2016. Planifikimit të zhvillimit strategjik dhe Planifikimit urban. Implementimi i një sistemi të ri të integruar, të qëndrueshëm, transparent të informacionit për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit.
Një tjetër premtim ka qenë hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Shkodër në kontekstin e territorit të ri administrativ sipas reformës administrative territoriale. Procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor ndodhet në fazën përmbyllëse të tij.
Një tjetër proces shumë i rëndësishëm ka qenë ristrukturimi dhe konsolidimi i administratës së Bashkisë në funksion të realizimit të funksioneve dhe përgjegjësive të reja tashmë, si rezultat i reformës territoriale dhe administrative të qeverisjes vendore. Ky proces, për një periudhe disa mujore i është nënshtruar, konform kuadrit ligjor, procedurave pikësëpari ligjore dhe tërësisht transparente.
Dua të nënvizoj që realizimi i këtij procesi ka qenë i vështirë, i pari në llojin e tij, dhe në zbatim të ligjit “Për shërbimin civil”. Ky proces është në përmbyllje dhe po realizohet në bashkëpunim me pjesëmarrjen e specialistëve të shquar të administratës publike, organizatave ndërkombëtare që na kanë mbështetur dhe asistuar si dhe pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Numri i aplikuesve për vendet e lira ishte afërsisht 530 për 9 vende për drejtor drejtorie, 23 vende për përgjegjës sektori dhe 86 vende për specialistë të ndryshëm sipas fushave. Pas këtij procesi Bashkia e Shkodrës do të kërkojë të mbështesë me programe trajnimin për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale për të gjithë stafin. Ajo që mbetet prioritet është funksionimi i administratës vendore me profesionalizëm. Këtu për ne ka shumë për të bërë.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Bashkia Shkodër në Janar të vitit 2015 ka zbatuar një sistem të ri të integruar të informacionit për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit me mbështetjen financiare dhe logjistike të Qeverisë Zvicerane, përmes programit për “Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp)”. Ky sistem konsiston në ofrimin tashmë të plot 78 shërbimeve të konsoliduar administrative të ofruara përmes zyrave të integruara me “Një Ndalesë” në bashki dhe në Njësitë Administrative të Dajçit dhe Velipojës. Kjo nismë e institucionit tonë është konsideruar dhe vlerësuar nga donatorët e huaj që mbështesin Shqipërinë në “Qeverisjen Elektronike” si një ndër praktikat më të mira të qeverisjes vendore për t’u marrë shembull dhe për t’u implementuar edhe në bashkitë e tjera të Shqipërisë. Për nga ana teknike, qëndrueshmëria, efektiviteti dhe fleksibiliteti i ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve/bizneseve/organizatave, etj., Bashkia Shkodër përmes këtij sistemi është nominuar për çmimin e parë të shërbimit publik më të mirë në konkursin ICT Awards Albania 2016. Po ashtu Bashkia Shkodër përmes faqes zyrtare të internetit është çdo ditë e më shumë më pranë qytetarëve të saj. Përmes moduleve të integruara në këtë sistem on-line të informacionit ajo u jep disa lehtësi qytetarëve për: a).Ndjekjen e shërbimit të kërkuar nga qytetari/biznesi në fazën në të cilën ndodhet përmes pasqyrimit në mënyrë transparente të datës dhe orës së marrjes, trajtimit, miratimit, refuzimit, etj. të shërbimeve të kërkuara përmes SiZ1N. b).Publikimin e disa pyetësorëve on-line përmes modulit të e-pjesëmarrjes, mbi tematikave të ndryshme si ofrimi i shërbimeve administrative, ecuria e ndërtimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, etj. për marrjen e feedback-ut të saktë nga qytetarët. c).Publikimin e projekt-vendimeve dhe marrjen e përshtypjeve nga qytetarët përmes modulit të librarisë ligjore. d).Hartimin e Programit të Transparencës, ku konform ligjit për të drejtën e informimit, Bashkia Shkodër ka zbatuar me përpikmëri publikimin e të gjithë informacioneve ligjore, financiare, vendimmarrëse, llogaridhënëse ndaj publikut. dh). Publikimi dhe përditësimi i komunikimeve për shtyp, njoftimeve, shpalljeve të vendeve vakante për rekrutim, shpallje të tematikave të ndryshme, ndarja e vendimeve të marra nga institucioni jonë me publikun përmes publikimeve zyrtare në faqen e internetit janë të përditshme.
Vlen të theksohet këtu monitorimi i realizuar nga INFOCIP për qasjen metodologjike dhe transparencën e komunikimit përmes faqes zyrtare të internetit në 61 bashkitë, e pikëzuar nga 1 – 10 pikë, ku Bashkia Shkodër është vlerësuar me 10 pikët maksimale.
Ndërkohë në muajin mars të vitit 2016, Bashkia Shkodër i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, OGP Albania, duke u bërë institucioni i parë i qeverisjes vendore që përqafon këtë nismë të rëndësishme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të saj. Ndërkohë që në kuadër të këtij partneriteti është e angazhuar në hartimin e Action Plan-it për Qeverisje të Hapur 2014-2016 si dhe është e angazhuar në implementimin e këtyre teknikave për një qeverisje të hapur elektronike dhe përfshirjes virtuale të qytetarëve në vendimmarrje. Përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale (aktualisht përdorimi i llogarisë zyrtare të facebook nën emrin Bashkia Shkodër) ndihmon institucionin tonë që të jetë në kontakt gjatë gjithë ditës me qytetarët e Shkodrës, problematikave të përditshme, ngjarjeve kulturore të qytetit tonë, ndarjes së vendimeve apo nismave më të reja që bashkia ndërmerr çdo ditë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetit dhe qytetarëve të saj. Dëgjesat Publike janë, po ashtu, një metodologji shume efikase dhe rezultative për qasjen ndaj veprimtarive dhe vendimeve të rëndësishme të Bashkisë Shkodër me qytetarët e saj. Konsultimi i Paketës Fiskale 2016 me disa fokus grupe disa herë deri në konsolidimin e saj të plotë dhe miratimin me VKB. Buxhetimi me pjesëmarrje, konsultimi me disa fokus grupe deri në konsolidimin përfundimtar dhe miratimin e Buxhetit 2016 me VKB. Plani i Përgjithshëm Vendor është në fazën e përfundimit të tij, duke kaluar përmes disa konsultimeve publike.
Bashkia Shkodër ka përqafuar edhe nismat e qeverisë qendrore për qeverisje elektronike në ndihmë të pushtetit vendor. Vlen të theksohet këtu implementimi i sistemit on-line të lejeve të ndërtimit, e-Lejet, digjitalizimi i arkivës, si dhe platforma elektronike në shërbim të qytetarit “Përmirëso Qytetin”, duke angazhuar dhe ndjekur hap pas hapi përmes stafit të dedikuar teknik implementimin e këtyre platformave në Bashkinë Shkodër, që shumë shpejt do të jenë on-line përfundimisht në muajin shtator në shërbim të qytetarëve të Shkodrës.
Ajo çfarë mbetet, shumë e rëndësishme për tu theksuar është se Bashkia Shkodër nuk do të mjaftohet me përpjekjet e sipërpërmendura për shërbime elektronike dhe transparente e gjithmonë në shërbim të qytetarëve të saj. Gjatë këtij viti ne kemi projektuar disa sisteme të reja për implementim si: Sisteme Multifunksionale për përmirësimin e punës dhe dixhitalizimin e Administratës Publike për t’i shërbyer më mirë, me transparencë dhe me llogaridhënie të plotë qytetarit, Platformën e Turizmit Inteligjent, ndërtimin e një Sistemi GIS për një administrim shumë të mirë dhe efikas të Hapësirave Publike në të gjithë Bashkinë Shkodër, projekte këto të aplikuara pranë Fondit Shqiptar te Zhvillimit në kuadër të programit “Shqipëria Dixhitale”, të bëra publike përmes faqes web dhe facebook qytetarëve shkodran, por fatkeqësisht jo të përzgjedhura si projekte fituese. Megjithatë, me buxhetin e bashkisë të vitit 2016 po implementohet një sistem i ri informacioni për menaxhimin dhe mbledhjen e tarifave dhe taksave vendore, i cili do të jetë në vitin e ardhshëm plotësisht i integrueshëm me SiZ1N dhe të dy së bashku të aplikueshëm direkt nga faqja zyrtare web e institucionit tonë në shërbim të qytetarëve.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Bashkia e re e Shkodrës përballet me sfida të shumëfishta në kuadër të një procesi mjaft dinamik i cili lidhet me ndryshimet që solli zbatimi i reformës territoriale – administrative në Shqipëri. Pas reformës territoriale Bashkia jonë tashmë përfshin një territor rreth 50 herë më të madh, me një sipërfaqe prej 872.71 km2, dhe një popullsi dy herë më e madhe prej rreth 204,000 banorë të regjistruar. Bashkia e re e Shkodrës ka në përbërjen e saj 11 njësi administrative: Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethinat, Shalë, Shosh, Velipojë. Ajo ka nën administrimin e saj një qytet dhe 93 fshatrat dhe me një prerje gjatësore Veri-Jug nga Thethi në Velipojë prej 110 km.
Natyrisht që dy sfida themelore bazike mbeten ofrimi i shërbimeve publike ndaj komunitetit e gërshetuar natyrisht edhe me investimet në infrastrukturë, hapësirat urbane dhe më tej.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2015, gjë që u reflektua edhe në dëgjesat publike në kuadër të miratimit të Paketës Fiskale 2016, ne premtuam taksa dhe tarifa vendore më të ulëta ndërkohë që synojmë rritjen e bazës të taksapaguesve qofshin këta biznese apo familjarë për mbulimin e kostove të shërbimeve. Ndërkohë që bashkia ka planifikuar fondet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve ndaj komunitetit, duke i dhënë përparësi edhe zonave me karakter turistik, investimet e parashikuara në buxhetin e 2016 janë në masën 16% të totalit të buxhetit, me vlerën më të madhe të investuar ndër vite nga të ardhurat e vetë njësive përbërëse të bashkisë së re të Shkodrës. Kjo vlerë është e pamjaftueshme për të pasur një trend të kënaqshëm të investimeve të realizuara gjatë vitit, pasi mundësitë për financim të projekteve janë shumë më të mëdha. Nisur nga fakti që këto investime janë kaq jetike për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe urban, Bashkia e Shkodrës në kuadër të grandeve me konkurrim, ka aplikuar dy herë gjatë vitit 2016 për financime projektesh të rëndësishme pranë FZHR, por deri më tani na është akorduar vetëm një fond prej 76 milion lekësh për rikualifikimin e bllokut të banimit Xhabijej, i cili do lëvrohet në dy vite. Nënvizoj se fondet qeveritare për investime në Bashkinë e Shkodrës këtë vit për infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi e shërbime sociale janë më pak se 1% e totalit të fondeve të shpërndara për bashkitë.
Në këto kushte ne do tentojmë financimin e projekteve tona duke vlerësuar çdo mundësi bashkëpunimi si në kuadër të thirrjeve për projekte nga agjencitë qeveritare apo buxheti i shtetit, ashtu edhe në bashkëpunim me donatorë potencialë, pa lënë mënjanë natyrisht të ardhurat e grumbulluara nga vetë Bashkia Shkodër.
Sa transparente është Bashkia Shkodër në drejtim të bërjes publike të shpenzimeve dhe administrimit të shoqërive me kapital publik siç është SH.A.Vllaznia (klubi i futbollit)?
Klubi i futbollit “Vllaznia” i është nënshtruar një procesi transparent auditimi, analize dhe planifikimi. Bashkia ka bërë publike të gjithë raportet e njësisë së auditit në faqen e internetit të Bashkisë Shkodër, bashkiashkoder.gov.al, ku një nga të cilët është edhe raporti i auditit për Klubin “Vllaznia” sh.a.
Si ka ndërhyrë bashkia në drejtim të sistemimit dhe sigurimit të hapësirave publike që në Shkodër mungojnë, me qëllim që fëmijët të kenë ambiente normale për të luajtur duke evituar përdorimin e rrugës nga ato?
Bashkia e Shkodrës ofron shërbimin për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e hapësirave të gjelbërta në qytet, ndërkohë që po investon për rritjen e këtyre hapësirave edhe në territorin e njësisë administrative Velipojë. Aktualisht në qytet ka disa parqe dhe lulishte të cilat ofrojnë mundësi shumë komode argëtimi dhe çlodhjeje si për fëmijët ashtu edhe për prindërit. Gjatë vitit të ardhshëm në parqet e qytetit bashkia do ndërhyjë me investime duke ngritur edhe disa kënde lojrash për fëmijë. Ndërkohë po planifikojmë të ndërhyjmë në ambientet e shkollave për përmirësimin e kushteve për kalimin e kohës së lirë dhe procesin edukativ.
Shërbimet sociale në Shkodër, veçanërisht qendrat rezidenciale kanë qenë në qendër të disa situatave jo normale. Cilat janë alternativat tuaja dhe si mendoni të realizoni përmirësimin e këtyre shërbimeve?
Shërbimet Sociale janë një nga prioritetet kryesore te Bashkisë së Shkodrës. Situata social ekonomike në përgjithësi në Shqipëri dhe veçanërisht në zonat malore dhe të territorit të Bashkisë sonë dhe migrimi masiv, kanë vënë shërbimet ndaj personave në vështirësi në krye të aktiviteteve tona. Vizion i shërbimeve sociale në Bashkinë e Shkodrës, ёshtё mbështetja dhe zhvillimi i integruar dhe i vazhdueshëm i mirëqenies sociale tё familjes si qeliza bazё e komunitetit tonё. Në territorin e Bashkisë së Shkodrës kemi trashëguar 5 institucione rezidenciale publike, të hapura përpara viteve 90, si; Shtëpia e foshnjës 0-3 vjeç, Shtëpia e fëmijës parashkollor 3-6 vjeç, Shtëpia e fëmijës shkollor 6-18 vjeç, Qendra e zhvillimit për personat me aftësi ndryshe, Shtëpia e të moshuarve.
Shtëpia e foshnjës, shtëpia e fëmijës shkollor dhe qendra e zhvillimit janë institucione me varësi të dyfishtë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (institucione buxhetore të MMSR, struktura e tyre miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, monitorimi dhe vlerësimi i standardeve bëhet nga MMSR dhe Shërbimi Social Shtetëror) dhe nga Bashkia e Shkodrës (që ka në pronësinë e saj objektet e këtyre institucioneve dhe emërimi ose largimin e stafit sipas strukturës së miratuar me VKM). Ne mendojmë se transformimi i këtyre institucioneve rezidenciale është i vonuar dhe kemi kërkuar vazhdimisht institucionit përgjegjës të MMSR transformimin e tyre. Në hapat e menjëhershëm ajo që ne synojmë dhe sugjerojmë është ndarja e përgjegjësive dhe roleve për këto institucione. Në kuadër të përmirësimit të shërbimeve për fëmijët Bashkia e Shkodrës, i ka propozuar Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ristrukturimin e institucioneve për fëmijë; 2 institucione rezidenciale të ndarë sipas grup moshave 0-12 vjeç dhe 12 – 18 vjeç dhe një institucion tjetër, të jetë qendër për strehimin e rasteve emergjente të fëmijëve. Sugjerojmë që mbështetja për institucionet rezidenciale duhet të fillojë të reduktohet gradualisht dhe ndërkohë të zhvillohen, promovohen dhe mbështeten format alternative të kujdesit dhe mbështetjes familjare; biologjike, kujdestare, e shtëpive familje duke shkuar kështu drejt konvertimit, ristrukturimit dhe mbylljes së strukturave rezidenciale.
Viti 2016, për shërbimet sociale në Bashkinë e Shkodrës është një vit ndryshimi thelbësor si në formë dhe në përmbajtje. Kjo për arsyet si më poshtë: Për herë të parë, pranë Bashkisë së Shkodrës është krijuar drejtoria e shërbimeve sociale, strehimit dhe shëndetit publik. Nga një sektor me 2 punonjës është krijuar një drejtori me 7 profesionistë të fushës sociale. Po shtrijmë shërbimet social në komunitet. Gjatë vitit 2016, bashkia po krijon e menaxhimin 5 qendrave komunitare. Këto Qendra janë quajtur “Qendra komunitare për familjen” dhe mbulojnë 5 rajonet e zonës urbane të qytetit të Shkodrës dhe gjithashtu do të shtrihen edhe në zonën rurale, si në njësinë administrative Dajç dhe atë të Gurit të Zi. Në këto Qendra ofrohet informim, këshillim, orientim, dhe organizohen aktivitete të ndryshme me komunitetin e zonës përkatëse për çdo qendër. Është në proces realizimi i Planit Social tё Zonёs, si instrument bazё i vlerësimit tё nevojave, planifikimit, realizimit e monitorimit tё vazhdueshëm tё shërbimeve sociale, duke përfshirë tё gjithë territorin e bashkisë sё re Shkodёr. Për këtë Bashkia e Shkodrës ka vlerësuar shumё tё rёndёsishme bashkëpunimin e ngushtë me organizatat jo-fitimprurëse nё përgatitjen e PSZ, nё konsultimet teknike, nё mbulimin sa më tё mirë tё territorit me shërbime dhe nё promovimin e modeleve alternative tё shërbimeve sociale. Gjatë vitit 2016 janë planifikuar dhe realizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të ditëve ndërkombëtare si: dita ndërkombëtare për familje, dita ndërkombëtare e fëmijëve, dita ndërkombëtare për të moshuarit, dita ndërkombëtare kundër HIV Aids, dita ndërkombëtare për PAN, dita ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, etj. Gjatë vitit 2016, me qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Janë nënshkruar marrëveshje me fondacionin “Shpresë për botën”, Malteser, Save the Children, Gruaja te gruaja, CIES, UNDP, Terres des Hommes, duke sjellë kështu modele bashkëkohore të shërbimeve sociale në territor dhe rritje të financimeve për familjet dhe personat në vështirësi, etj. Gjatë vitit 2016 është hartuar dhe ka filluar zbatimin Plani Lokal i veprimit për fëmijët në situatë rruge.
Çfarë ndërhyrjesh ka bërë bashkia gjatë këtij viti të mandatit tuaj në drejtim të përmirësimit të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave urbane që vazhdon të jetë problematik si në qytetin e Shkodrës ashtu dhe në njësitë administrative ku problem është më shqetësues?
Gjatë këtij viti një nga prioritetet tona ka qenë përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe shtrirjen e tij në të gjithë territorin e bashkisë. Është e vërtetë që grumbullimi i mbetjeve dhe përmirësimi i shërbimit të pastrimit të qytetit është një nga sfidat më të mëdha të Bashkisë së Shkodrës e cila e ka tashmë si objektiv parësor përmirësimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane dhe ofrimin e tij në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër duke përfshirë këtu edhe territoret e 10 njësive administrative që i janë bashkuar bashkisë qendër në kuadër të reformës territoriale-administrative. Në këtë kuadër, përveç rritjes së eficencës së shërbimit të pastrimit në bashkinë qendër, tashmë në skemën e pastrimit me operator privat janë përfshirë edhe territoret e njësive administrative Velipojë, Dajç, Rrethina, Postrribë, Shalë dhe në vazhdim edhe për ato të Gurit të Zi, Ana e Malit dhe Bërdicë gjë që do mundësojë pastrimin e këtyre territoreve në mënyrë të rregullt me frekuenca të përcaktuara dhe nën monitorimin e strukturave përkatëse të bashkisë.
Theksoj që performanca e operatorëve të pastrimit në këto njësi do të jetë vazhdimisht nën monitorimin e bashkisë, nëpërmjet supervizorëve, strukturave të lagjeve apo të njësive administrative në territoret e ish-komunave dhe strukturave të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa me cilësor nga ana e tyre.
Tashmë Bashkia e Shkodrës i depoziton mbetjet në landfill-in e Bushatit, ndërkohë që ne po punojmë për eliminimin e problematikave që kanë të bëjnë me depozitimet e paligjshme të mbetjeve të ngurta në vend-depozitime ilegale dhe rikuperimin e këtyre hapësirave të ndotura.
Si do të veprohet me ndërtimet, kryesisht pa leje në oborret e shkollave,të cilat i kanë cunguar këto ambiente, të cilat janë evidentuar e fotografuar nga bashkia, por deri tani nuk ka pasur ndërhyrje?
Problemi i mësipërm është një akumulim i problemeve 25-vjeçare të pronësisë që nuk i është dhënë zgjidhje deri tani. Nga Bashkia Shkodër që në fillim ka filluar procesi i studimit dhe i njohjes së situatës për objektet shkollore. Duhet të kemi parasysh se nga ky bashkim, numri i këtyre objekteve shkollore është rritur 2.5 herë më shumë, nga 44 objekte shkollore, numri i tyre ka arritur në 108. Me përfundimin e procesit të studimit është kryer dhe përcaktimi i listës së prioriteteve për ndërhyrje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, për sa i përket problemit në fjalë, jemi përballur me shqetësime të mëdha që rrjedhin nga problemet e pronësisë mbi truallin në këto objekte shkollore, sidomos e shprehur fort në ish-komuna. Mungesa e dokumentacionit të pronësisë për këto objekte, pretendimet mbi pronën nga ana e ish-pronarëve pengojnë punën për prishjen e ndërtimeve pa leje. Janë pikërisht këto probleme të akumuluara që rëndojnë situatën. Sqarojmë se: Procedura ligjore e përcakton se me konstatimin e objektit të ndërtuar pa leje, bëhen verifikimet përkatëse mbi statusin e objektit, nëse është ose jo objekt i ALUIZNI-t dhe nëse objekti rezulton pa leje ndërtimi dhe i pa deklaruar për legalizim ose i skualifikuar, atëherë merren masat për prishjen e objektit ose sekuestrimin e tij.
Çfarë mendon të bëjë bashkia lidhur me rajonizimin e shkollave, kjo në bashkëpunim dhe me MAS, në mënyrë që hapja ose mbyllja e tyre të bëhet në bazë të një studimi duke shmangur mbi popullimin e disave dhe rrezikun e mbylljes së disa të tjerave?
Qëllimi jonë është planifikimi i shpërndarjes së kopshteve dhe shkollave në përputhje me shpërndarjen demografike të popullsisë. Është përfunduar inventari i të gjitha objekteve të arsimit parashkollor dhe nëntëvjeçar i cili ka rezultuar me një rritje prej 2.5 herë më shumë të këtyre objekteve si rezultat i bashkimit. Në bashkëpunim me DAR do të shikohet mundësia e analizës së strukturës së nxënësve sipas kategorisë së nivelit parashkollor dhe nëntëvjeçar dhe territoreve ku nxënësit jetojnë. Të dyja këto analiza janë shoqëruar dhe me analizën e shpërndarjes së popullsisë në Bashkinë Shkodër. Së bashku të ndërthurura dhe integruara me njëra tjetrën do të ndihmojnë në hartimin e një plani të rajonizimit të shkollave duke respektuar standardet e mësimdhënies si nxënës/për klasë/sipërfaqe shkollë/infrastrukture shërbimesh mbështetëse dhe personel mësimdhënës.