Interviste30 Oct 2015

Xhelal Mziu: Do të ndihmoj të varfërit, do të ndërtoj rrugët

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 Qershor 2015, BIRN Albania intervistoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë Kamëz lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët. Më poshtë janë regjistruar premtimet e Z. Mziu lidhur me mandatin e tij katërvjeçar.

Autor: Lindita Çela BIRN Kamëz
Printo

Xhelal Mziu

Xhelal Mziu

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Kamëz dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Aktualisht, problemi më shqetësues në Bashkinë Kamëz është debia e energjisë elektrike. Janë më shumë se 90 deri në 95 për qind e qytetarëve të cilët janë shpallur debitorë me një shumë që varion nga 5 milion deri në 30 milion lekë të vjetra. Kjo i ka vendosur qyetarët e Kamzës në kushte shumë të vështira ekonomike. Po kështu, qindra qytetarë i ka kapur paniku pasi kërcënohen me burg, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm aktualisht është në qeli për shkak të mospagesës së energjisë elektrike.

Dua të theksoj se ky është një problem shumë i madh social sepse qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit kanë bërë vetëelektrifikimin e kësaj zone. Ata nuk e kanë  konsumuar këtë energji elektrike, por janë të detyruar ta paguajnë. Kjo është e paparanushme. Ata janë detyruar ta paguajnë dy herë deri në tre herë më shtrenjtë energjinë elektrike për shak të kamat-vonesave, në të kundërt ose kërcënohen me burg ose me terr. Familje të tëra sot janë pa energji elektrike, dhe kjo për një vend anëtar të NATO-s është e papranueshme.  Kjo lloj iniciative,  për të vendosur shetin ligjor nga kryeministri, besoj se është antisociale. Nuk mund të vendosësh shtet ligjor duke i lënë pa drita dhe duke i shpallur debitorë për periudhën të cilën ata jo vetëm që nuk e kanë konsumuar energjinë elektrike, por janë dhe në pamundësi për ta paguar atë.

Ajo që unë mund të them është që  vota e qytetarëve me 21 qershor do i tregojë qeverisë se nuk është kjo mënyra që duhet të trajtojë shtetasit e saj. Të vendosësh njerëzit nën presion, të cilët më mirë të rrijnë pa bukë dhe të paguajë energjinë për t’i shpëtuar burgut, është gati gati çnjerëzore. Ajo që unë premtoj është mbështetja ligjore për të gjitha këto familje.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë Kamëz?

Ne për këtë vit kemi planifikuar më shumë se 45 projekte, kryesisht në infrastrukturë. Për një pjesë kanë filluar punimet me fondet e Bashkisë Kamëz, pasi mbështetja e qeverisë thuajse ka qenë zero. Brenda vitit të parë të mandatit tim të radhës, të gjitha këto projekte do të kenë përfunduar .

Projektet për të cilat flas janë në lagjet kryesore të Kamzës. Duke qenë se tashmë, pjesë e bashkisë Kamzës është edhe Paskuqani, brenda mandatit të parë do të asfaltohet aksi rrugor që lidh Kamzën me Paskuqanin deri në Tufinë.

Unë dhe stafi im mbetemi të angazhuar për të krijuar mundësi të reja për qytetarët nëpërmjet uljes së taskave vendore, uljes të tatimeve, masa këto që do të favorizojnë biznesin dhe do të sjellin rritjen e të ardhurave dhe rritjen e numrit  të të punësuarve në Bashkinë Kamzës. Në përputhje edhe me kuadrin ligjor që do të plotësohet për kompetencat që do të ketë pushteti vendor në bazë të hartës së re territoriale, këto masa do të merren në momentin e parë të rikonfirmimit tim në krye të bashkisë së Kamzës.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kamëz dhe cilat janë ato?

Për shkak të bashkimit të Kamzës me zonën e Paskuqanit, por edhe për shak të ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur, do të ketë një formatim ndryshe të strukturës së pushtetit vendor, e cila do të bëhet edhe me konsulencën e ndërkombëtarëve. Sidoqoftë, në rekrutimin e personelit të administratës ne do të jemi korrektë: së pari me ligjin për të  përzgjedhur personat e duhur në administratën e re e cila do të riformatohet në kuadër të ndryshimeve ligjore të funksionimit të pushtetit vendor; së dyti, do të vazhdojmë të gjitha procedurat  e nevojshme për të rekrutuar personel të cilët kanë aftësi profesionale për të qenë pjesë e stafit të Bashkisë. Kriteri i vetëm i rekrutimit të personelit në administratë do të jetë vetëm profesionalizmi, gjë që do të përcaktohet nga konkurimi dhe përzgjedhja e CV-ve.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Unë dhe stafi im kemi një eksperiencë të shkëlqyer bashkëpunimi me qytetarët, qoftë edhe për shak të konsulencës dhe bashkëpunimit që ne kemi pasur me OSBE-në  dhe organizmat ndërkombëtarë në këtë drejtim. Paketa fiskale e Bashkisë Kamëz ka 8 vite që hartohet në bashkëpunimim me qytetarët dhe grupet e interesit. Ne kemi zhvilluar tryeza të rrumbullakta për të kuptuar interesat dhe nevojat e qytetarëve dhe këto takime do të vazhdojnë të jenë të përhershme.

Po kështu, edhe buxheti i Bashkisë ndahet pas konsultimeve me grupet e caktuara të interesit dhe më pas dërgohet për miratim në Këshillin Bashkiak.

Unë  kam bashkëbiseduar në mënyrë permanente me qytetarët  për problematikat e ndryshme që ata kanë dhe jam i angazhuar që këtë ekperiencë ta vazhdoj edhe gjatë mandatit tim të tretë në krye të Bashkisë Kamëz. Pra, ajo që unë premtoj është se qytetarët do të kenë akses të plotë jo vetëm në këto tryeza konsultimi por dhe në bashkëbisedimin me kryetarin.

Cilët hapa do të ndërmerrni për të shtuar hapësirat e gjelbra, trotuaret dhe sheshet publike në Bashkinë Kamëz? Çfarë mund të presin qytetarët e bashkisë suaj në këtë drejtim në fund të mandatit katërvjeçar?

Në fakt, kjo është një problematikë për të cilën kur e mora unë drejtimin e Bashkisë së Kamzës, në vitin 2007, konsiderohej një luks i madh po të flisje për gjelbërimin e hapësirave publike. Qyteti kishte nevoja më emergjente për të cilat duhej filluar menjëherë nga puna dhe këtë bëmë. Sot Kamza ka pamjen e një qyteti. Në atë kohë të flisje për gjelbërimin, për parqe apo edhe ndërtimin e një parku kombëtar, dukej sikur  flisje në ëndërr. Aktualisht janë më shumë se 15 mijë pemë të mbjelluara nëpër rrugët e Bashkisë Kamëz, të cilat janë ndërtuar në bazë të të gjitha parametrave, asfaltim dhe ndriçim.

Së dyti, kemi bërë rehabilitimin e disa lulishteve dhe jemi  të fokusuar maksimalisht për të shfrytëzuar çdo mundësi gjelbërimi apo ndërtimi të qendrave social-kulturore që i shërbejnë  fëmijëve dhe moshës së tretë. Vendet ku ne kemi piketuar për gjelbërim janë qendrat  publike, si shkollat dhe qendrat shëndetësore, por edhe lagjet kryesore të Bashkisë Kamëz. Fillimisht këto do të implementohen në zonën e Paskuqanit, që në vitin e parë të mandatit tim.

Ne jemi me fat që kemi edhe liqenin e Paskuqanit, i cili do të kthehet në një park kombëtar. Unë do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë brenda mandatit, qoftë në bashkëpunim me qeverinë ashtu dhe me partnerët tanë ndërkombëtar. Unë do të bëj maksimumin për të sjellë donator, pasi ky projekt është i pamundur të përballohet finaciarisht me fondet e Bashkisë. Me të ardhurat që do të sigurohen nga Bashkia, unë gjatë këtij mandati të tretë do të fokusohem  maksmalisht në ndërtimin e lulishteve të vogla dhe gjelbërimin e qendrave kryesore të zonës.

Si do e zgjidhni problemin e kostos së lartë të transportit publik dhe aboneve të ndara që kanë aktualisht bashkia Kamëz dhe bashkia Tiranë?

Në Bashkinë e Kamzës ekziston një linjë urbane me Tiranën, e cila është ndër linjat më të mira. Por unë bashkë me stafin tim  kemi hartuar një rrjet të lëvizjes urbane të harmonizuar në të gjithë zonën, duke përfshirë edhe ato fshatra që tashmë janë pjesë përbërëse e Bashkisë së Kamzës. Zona si Bathorja, Laknasi, Frutikultura, Paskuqani dhe Babrroi do të kenë jo vetëm linjat e tyre urbane, por në to do të njihen  abonetë dhe librezat e invaliditetit.

Besoj se kjo është ndihma më e madhe që unë do u jap qytetarëve të kësaj njësie të re administrative që tashmë i bashkëngjitet Kamzës. Në këto linja, jo vetëm që do të garantohet një shërbim më cilësor urban për çdo lagje, por do të jenë dhe një ndihmesë e madhe për banorët e kësaj zone të cilët aktualisht mund të shpenzojnë dy apo tre bileta për të qarkulluar. Unë jam i angazhuar që këtë çështje ta mbyll që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak.

A mendoni se bashkia Kamëz duhet të ndihmojë një pjesë të familjeve që jetojnë në kushte shumë të këqija banimi me ndihma për riparimin e shtëpive? Nëse po, çfarë do të ndërmerrni konkretisht?

Në të vërtetë,  deri në këto memonte ne nuk kemi aplikuar ndërtimin e banesave sociale. Ajo që ne kemi bërë është dhënia e kredive lehtësuese për qytetarët që rezultonin të pastrehë dhe në bazë të kritereve ligjore përfitonin këtë të drejtë.

Premtoj se do të vazhdojmë këtë formë ndihmese për familjet që jetojnë në kushte të keqija apo dhe janë në pamundësi ekonomike, por pse jo edhe ndërtimi i banesave sociale është një mundësi e mirë për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve.

Ajo që dua të theksoj unë për Bashkinë Kamëz është se nuk ka familje të cilat janë të pastreha. Ajo që është problem dhe që duhet zgjidhur është zhbllokimi i ndërtimit dhe vazhdimi i procesit të legalizimit.

Duhet t’u jepet e drejta qytetarëve për të ristrukturuar objektet e tyre, pavarësisht se nuk kanë marrë akoma lejen e ndërtimit apo nuk janë legalizuar godinat. Kjo ka krijuar një kosto sociale për qytetarët sepse janë në rrezik të jetës për shkak të shembjes së shtëpive të banimit. Unë do të   angazhohem maksimalisht për t’i dhënë një zgjidhje ligjore kësaj çështjeje.