Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë Shijak dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Me Reformën e re Territoriale ka lindur natyrshëm nevoja e studimit në tërësi dhe në themel të tërë komponentëve që ka zona, asetet, resurset natyrore dhe resurset humane, traditën, kulturën, ndarjen e prioriteteve të bashkisë së madhe të Shijakut. Mbas marrjes së mandatit do hartojmë Planin e Zhvillimit Strategjik të bashkisë Shijak.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Shijak?
Ajo çfarë ne kemi planifikuar është ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, qoftë në ato primare, si dhe rrugët dytësore. Këto rrugë do të kenë ndriçim, korsi lëvizëse të biçikletave dhe do jenë të pajisura me sinjalistika rrugore të standardeve europiane. Furnizimi me ujë dhe rritja e kapacitetit të prodhimit është një tjetër sektor që do të ndërhyjmë nëpërmjet të cilit synojmë ndërtimin e një rrjeti të përshtatshëm shpërndarjeje në zonat informate.
Po kështu gjatë vitit të parë të mandatit do të rikonstruksiojmë gjimnazin “16 Shtatori”, shkollën 9-vjeçare, “ Lidhja e Prizrenit”, Kopshtin Nr 1, Kopshtin Nr 2. Këto janë ndërhyrjet më emergjente që ne do t’i realizojmë që në mandatin e parë të qeverisjes në bashkinë Shijak.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Shijak dhe cilat janë ato?
Mënyra e vetme dhe kriteret kryesore të rekrutimit të stafit dhe punonjësve të administratës në bashkinë Shijak, do të jenë meritokracia, integriteti dhe profesionalizmi.
Cilat mekanizmat që do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)
Krijimi dhe nxitja i një ambienti të përshtatshëm, përmes të cilave do të kanalizohet përfshirja e qytetarëve dhe e grupeve të interesit dhe shoqërisë civile në vendimmarrjet politike.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për nxitjen e blegtorisë dhe bujqësisë në bashkinë Shijak? Si do ta nxisë bashkia gjatë mandatit tuaj krijimin e pikave të grumbullimit, shërbimeve frigoriferike apo industrisë agropërpunuese?
Me të marrë drejtimin e bashkisë Shijak ne do të ngremë një drejtori që do të luajë rolin e koordinimit dhe nxitjes së lobimit ndërmjet shoqatave të agrobiznesit dhe fermerëve. Misioni i kësaj drejtorie do të jetë thithja e fondeve nga qeveria, Ministria e Bujqësisë si dhe nga agjenci dhe donatorë të ndryshëm, vendas apo edhe të huaj.
Ndërtimet pa kriter janë të shumta në të gjitha njësitë përbërëse të bashkisë Shijak. Çfarë mund të presin banorët e bashkisë suaj në lidhje me hartimin dhe miratimin e një plani urbanistik?
Plani i përgjithshëm vendor është miratuar nga Këshilli Bashkiak, është dërguar në Prefekturë ku dhe është miratuar. Ky plan është dërguar të miratohet në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, por nuk ka përfunduar procedura e mëtejshme e dërgimit të saj në KKT, pasi Ministria e Mjedisit nuk na ka kthyer përgjigje për relacionin mjedisor. Me marrjen e mandatit do të hartojmë një plan të ri urbanistik për bashkinë ku do të harmonizohen zhvillimi i zonave rurale me qytetin. Në këtë plan do të tregojmë kujdes të planifikojmë zhvillimin integral të zonës dhe ky plan do të jetë i përfunduar brenda mandatit tim në drejtimin e bashkisë Shijak.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rehabilitimin e zonës së bregut të lumit?
Projekti për rehabilitimin e lumit Erzen është dërguar që në janar të këtij viti për thithje fondi në Ministrin e Mjedisit, por akoma nuk është arritur të lëvrohet fondi për këtë projekt. Me marrjen e mandatit tim si kryetar i bashkisë së Shijakut do të bëj përpjekje maksimale për të thithur fonde për këtë projekt që në vitin e parë të mandatit.