Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë Tiranë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj nëse zgjidheni kryebashkiak?
Duhet të kemi parasysh se kur flasim për Tiranën po flasim për një qytet që ka katër vjet që nuk menaxhohet dhe po shkon me ritme të shpejta drejt degradimit. Kudo ku shkel ndeshesh me një sërë problemesh. Me ndihmën e 80 vullnetarëve, ne kemi shkelur çdo rrugë e rrugicë të Tiranës dhe kemi konstatuar, fotografuar e shënuar në hartë çdo problem që ka qyteti, që nga rrugët me gropa, trotuaret e dëmtuara, parkimet e uzurpuara, lulishtet e degraduara e gjer tek kopshtet e shkollat në gjendje të mjerueshme. Kemi mbi 3 mijë probleme të tilla, të cilat mund të konsiderohen të vogla nëse i sheh në përgjithësi, por jam i bindur se janë probleme shumë të mëdha për banorët që ndeshen përditë me to.
Problemi më i madh për prindërit janë 89 çerdhet, kopshtet dhe shkollat që nuk ofrojnë as kushtet më minimale për fëmijët e tyre, për të moshuarit janë 376 hapësirat publike që ose janë uzurpuar ose kanë degraduar, për dikë tjetër janë 871 gropat në rrugë, për një tjetër janë 133 vendet ku mbeturinat kanë mbytur lagjen, e kështu me radhë. Të gjitha këto probleme të vogla për bashkinë, por të mëdha për qytetarin, përbëjnë problemin më të madh të Tiranës, që është degradimi i vazhdueshëm gjatë katër viteve të fundit.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Tiranë?
Siç e thashë edhe më sipër, kjo jo vetëm që nuk është Tirana që duam, por nuk mund të konsiderohet as edhe një qytet normal. Hapat që do të ndërmarrim në 300 ditët e para do të synojnë të ndalojnë degradimin e do ta kthejnë Tiranën në normalitet. Me këtë nënkuptoj që rrugët dhe trotuaret e dëmtuara të riparohen, që vendet e parkimit dhe trotuaret të çlirohen nga uzurpatorët, që mbeturinat të mblidhen rregullisht, që rrugët të ndriçohen, e kështu me radhë. Për të bërë këtë, burimet nuk mungojnë, por duhet vetëm vullnet dhe administrim i mirë.
Tirana ka rreth 260 punëtorë për shërbimet komunale, e duhet që këta të kthehen në punë që rrugët e Tiranës të mos mbushen me gropa. Po ashtu, ndërmarrja e pastrimit dhe gjelbërimit ka 560 punëtorë e duhet që këta të kthehen në punë që Tiranën të mos e mbysë pisllëku. Policia Bashkiake ka 283 efektivë dhe duhet që këta të kthehen në punë, që vendet e parkimit të mos zaptohen me kova, karrige apo arka bananesh. Sot Tirana është në një gjendje emergjence sepse ka një kryetar bashkie që nuk punon, e nëse kryetari është përtac, punëtori i shërbimeve komunale as denjon të paraqitet në punë. Kthimi i Tiranës në një gjendje normale është sfida ime e 300 ditëve të para.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Tiranë dhe cilat janë ato?
Mund t’u them me siguri se asnjëri prej tyre nuk ka për të qenë gangster si Florenc Hoxha. Unë nuk punoj me individë të tillë. Të gjithë administratorët që do të punojnë me mua do të jenë profesionistë të mirë-arsimuar, individë me integritet të lartë, që kanë dëshirë dhe vullnet për të ndryshuar gjërat, e që janë të gatshëm të punojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për Tiranën.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?
Ka katër vite që qeverisja lokale nuk i drejtohet qytetarit dhe nuk e përfshin atë. Banorët e Tiranës nuk kanë akses në vendimmarrje, as për çështje fare të vogla e as për çështje madhore që prekin hapësirën e përbashkët urbane. Parimet e mia themelore në qeverisjen e Tiranës do të jenë transparenca dhe gjithëpërfshirja ku vendimet do të merren bashkë me komunitetin. Mekanizmat për realizimin e kësaj do të jenë një sërë risish inovative që ofron teknologjia e informacionit. Ne do të ngremë një shërbim online për buxhetimin, i cili do t’u mundësojë qytetarëve që të paraqesin prioritetet e tyre për investimet publike të bashkisë. Aty qytetarët do të vendosin nësë shpenzimet e bashkisë do të drejtohen në ndërtimin e shkollave e kopshteve apo rrugëve të reja, në ndërtimin e lulishteve apo këndeve të lojërave etj. Një tjetër platformë online, e cila ka rezultuar shumë efikase gjatë kohës që isha Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është sistemi i ankesave ku qytetarët do mund të denoncojnë online, qoftë një shërbim të munguar, qoftë një sjellje abuzive nga ana e një nëpunësi të bashkisë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për të kufizuar ndërtimet e reja në zonat e gjelbra si Parku i Liqenit apo zonat me densitet të lartë ndërtimi si qendra e qytetit, zona e Gardës së Republikës, ejt?
Unë e kam thënë shpesh herë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim. Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve Europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë. Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht, do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale. E thënë shkurt, nuk do të ketë ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë. Për sa u përket lejeve të dhëna në mënyrë tërësisht abuzive nga Lulzim Basha, si ato tek diga e Liqenit, deklaroj edhe një herë se jam kundër tyre dhe se do të kem një betejë ligjore me to në gjykate.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj në lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës së grupeve vulnerabël, si komuniteti rom dhe personat me aftësi të kufizuara?
Në katër vite, Lulzim Basha nuk ka bërë asgjë për shtresat në nevojë. Por, kur Personat me Aftësi të Kufizuar nuk kanë akses as edhe në Bashkinë e Tiranës, nuk mund të presësh që bashkia të punojë për ta bërë më të aksesueshëm qytetin për ta. Njëkohësisht, është për të ardhur keq që Halim Kosova deklaron se nëse bëhet kryebashkiak do garantojë aksesin e tyre në bashki. E kanë pasur për katër vjet bashkinë dhe e kanë akoma, pse nuk e ndërtojnë një rampë?!
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për romët. Në ditën time të parë të punës si Ministër më është dashur që të zgjidh krizën e familjeve rome, të cilat bashkia i kishte lënë të jetonin në rrugë për më shumë se një muaj. Ne kemi një program të qartë dhe të realizueshëm për kujdesin social. Një nga gjërat e para që do të bëj si kryebashkiak do të jetë shpërndarja e banesave sociale që kanë katër vjet që rrinë bosh, sepse Lulzim Basha nuk është i aftë as t’i shpërndajë. Do të bëjmë të mundur që Personat me Aftësi të Kufizuar të kenë akses në çdo ndërtesë publike në Tiranë. Do të ndërtojmë mensa sociale në partneritete publike-private. Gjithashtu, do të krijojmë edhe një program të riintegrimit social për të punësuar në punë komunitare shtresat në nevojë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për shtimin e korsive për biçikleta në zonat urbane të bashkisë Tiranë?
Tirana është një qytet ku ndotja është tej normave të lejuara dhe trafiku është rënduar së tepërmi. Përveç se garanton një jetë të shëndetshme, biçikleta është edhe një mënyrë ideale për të reduktuar ndotjen e normalizuar trafikun. Në shumë kryeqytete Europiane sot shiten më shumë biçikleta sesa makina. Ne jo vetëm që do ta promovojmë lëvizjen me biçikleta, por do të hartojmë një master plan të lëvizjes në këmbë dhe me biçikleta. Duke qenë se Tirana, si një qytet me dendësi të lartë, kohë përgjithësisht me diell dhe rrugë të sheshta, është qytet ideal për lëvizjen me biçikletë, ky master plan do të krijojë një rrjet të sigurt çiklistik në të gjithë shtrirjen e Tiranës.
Ai do të ketë dy shkallë. Në shkallën lokale, do të identifikohen hapësirat që do mund të kthehen në korsi të dedikuara për çiklistët, ndërsa në shkallën rajonale, korsitë urbane do të lidhen me shtigjet çiklistike që do të krijohen në zonat rurale që do t’i bashkohen Tiranës, duke ofruar edhe mundësi eksplorimi. Kjo gjë lidhet me një projekt tjetër tonin, atë të Liqeneve të Tiranës. Shumë nuk e dinë, por në Tiranë ndodhen disa dhjetëra liqene. Projekti do të ndërtojë shtigje që do të bashkojnë këto liqene e do të ofrojnë mundësi për t’u çlodhur duke eksploruar për të apasionuarit pas ecjes apo çiklizmit.
Transporti urban në Tiranë gjatë mandatit tuaj do të zhvillohet sipas modelit aktual të partneritetit publik-privat apo do të kthehet në shërbim nën pronësi publike? Çfarë hapash do të ndërmerrni për përmirësimin e shërbimit dhe a do rriten kostos e transportit urban?
Unë mendoj se qëllimi parësor i transportit publik është që t’u shërbejë sa më mirë qytetarëve. Sigurisht, kalimi i transportit publik të Tiranës në partneritet privat-publik i bërë nga Edi Rama para disa vjetësh e përmirësoi ndjeshëm cilësinë e shërbimit për qytetarët. Por, ama, besoj se qoftë partneriteti publik-privat, qoftë shërbimi vetëm publik janë thjesht mjete. E ritheksoj, për mua ka rëndësi cilësia e shërbimit për qytetarët. Ne do të frymëzojmë një partneritet të ri me privatët me synimin e përbashkët të përmirësimit të cilësisë së shërbimit. Së pari, do ta rikonceptojmë gjithë rrjetin e transportit publik në mënyrë që të integrojmë dhe shpërndajmë më mirë 10 linjat ekzistuese urbane me 9 linjat e komunave që do t’i bashkohen Tiranës.
Nga ana tjetër, sot ka zona periurbane si Kashari apo Farka, të cilat kanë një popullsi të madhe, por nuk mbulohen nga transporti publik. Për të zgjidhur këtë problem, do të studiohen mënyrat për të krijuar linja të reja transporti. Një tjetër masë, mes masave të shumta që do të ndërmarrim, është edhe rikthimi i korsive të dedikuara për transportin publik, të cilat jo vetëm që nuk u shtuan këto katër vjet, por u lanë të shkatërroheshin. Këto korsi do bëjnë të mundur që transporti publik të jetë më i shpejtë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj që Tirana të shpëtojë nga rezervuarët dhe pompat e ujit dhe të mund të furnizohet në mënyrë të rregullt nga ujësjellësi?
…
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për zgjidhjen e problemit të vazhdueshëm të mungesës së hapësirave në varrezat e qytetit?
Është absurde që banorët e Tiranës ndeshen me një problem të tillë edhe në ditët e tyre më të këqija, kur sapo kanë humbur njerëzit e tyre të dashur. Është një problem që duhet të zgjidhet menjëherë dhe mund të zgjidhet. Mundësitë janë të shumta. Në shtrirjen e re të Bashkisë së Tiranës ka shumë territore ku mund të krijohen varreza të reja. Nga ana tjetër, mund të ndiqet shembulli i shumë vendeve Europiane, ku ndërtohen varreza murale për ata që kanë mbi 40 apo 50 vjet që kanë ndërruar jetë. Siç e thashë, ky problem mund të zgjidhet në shumë mënyra dhe zotohem se në vetëm dy vjet në krye të bashkisë, varrezat nuk do të jenë më problem për banorët e Tiranës.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për nxitjen e blegtorisë dhe bujqësisë në bashkinë Tiranë?
Për ne, të gjithë qytetarët e Tiranës, nga Peza në Zall-Bastar apo nga Dajti në Krrabë, janë njësoj e meritojnë të njëjtin shërbim nga bashkia. Diversifikimi i mundësive për zhvillimin ekonomik që ofron Tirana me ndarjen e re administrative, është një mundësi ideale që bashkia, nga njëra anë, të hartojë politika që garantojnë sipërmarrje të suksesshme e punësim, e nga ana tjetër, të ndihmojë në rritjen ekonomike të gjithë zonës. Sot në fshat toka bujqësore është e fragmentuar dhe aksesi në treg është shumë i vështirë, gjë që i detyron fermerët që atë pak prodhim të zbresin e ta shesin vetë në Tiranë, duke mos qenë as prodhues e as tregtarë.
Plani ynë për zhvillimin e ekonomisë rurale parashikon mekanizma për rritjen e koordinimit mes fermerëve për të reduktuar fragmentarizimin e tokës bujqësore. Për të zgjidhur problemin e daljes në treg të produkteve bujqësore, kemi parashikuar ndërtimin e disa pikave të grumbullimit në partneritete publike-private. Gjithashtu, në Tiranë do të përcaktohen disa zona për tregje të përkohshme një apo dy ditore, ku për shembull, do të bllokohet një të diel një nga rrugët e Tiranës për t’u shndërruar në një treg për produktet e një komune. Do të zbatojmë edhe politikën “zero kilometra” sipas së cilës do të ndërtohen tregje pranë zonave të prodhimit.
Një tjetër mundësi ideale është edhe agro-turizmi, për zhvillimin e të cilit kemi planifikuar një sërë masash. Mundësia e zhvillimit të bujqësisë në zonat rurale të Tiranës është shumë e lartë pasi ato gjenden pranë tregut të më madh të vendit. Nevojitet vetëm asistencë për fermerët dhe ne kemi menduar të ngremë dy Qendra, një për të ofruar shërbime veterinarie e agronomie për ta dhe një tjetër për të ofruar asistencë për teknikat e prodhimit si edhe ndihmë për grante.