Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bulqiza kufizohet në veri me Bashkinë e Dibrës, në perëndim me Bashkinë Klos, në jug-perëndim me Bashkinë Tiranë, në jug me Bashkinë Librazhd dhe në lindje me Republikën e Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Bulqizës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 32,210 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 40,223 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 678.51 km2 me një densitet prej 59.28 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 47.47 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Bashkia Bulqizë ka në përbërje 8 Njësi Administrative, të cilat janë: Bulqizë, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren dhe Trebisht. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Bulqizës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Bulqiza dhe Krasta) dhe 63 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Popullsia e Bulziqës është në shumicë dërmuese e besimit mysliman dhe një pakicë fare e vogël i përket besimeve të tjera. Në zonën e Gollobordës ka edhe një pakicë të deklaruar maqedonase, që sipas regjistrimeve të Censusit 2011 arrin në 19 persona. Megjithatë, kjo shifër është e mangët po të kemi parasysh se shumë banorë nuk i janë përgjigjur përkatësisë etnike.
Relievi kodrinor-malor përcakton si burime kryesore gjeneruese bujqësinë dhe blegtorinë, por pa harruar edhe industrinë e nxjerrjes së kromit dhe atë të pasurimit të mineralit të kromit, ku rajoni i Bulqizës është mjaft i njohur. Ndërkohë, një tjetër burim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni konsiderohet edhe turizmi malor familjar si dhe ngritja e qendrave për grumbullimin e bimëve medicinale, me të cilat zona është mjaft e pasur.
Projekte të mëdha të ndërmarra gjatë viteve të kaluara si asfaltimi i segmentit të rrugës nacionale “Qafa e Buallit- Shupenzë”, pjesë e Rrugës së Arbërit, si dhe hapjen e tunelit të po kësaj rruge në Qafën e Buallit me gjatësi 460 metër dhe trasenë Qafa e Buallit-Ura e Vashës kanë lehtësuar lëvizjen dhe transportin. Po kështu, investime të rëndësishme mund të konsiderojmë edhe sistemim-asfaltimet e rrugëve rurale që lidhin qendrat e komunave Zerqan, Fushë-Bulqizë dhe Gjoricë, me rrugën nacionale.
Qyteti i Bulqizës, i ndërtuar në funksion të minierës së kromit dhe rezervave të mëdha të kromit ka një numër të konsiderueshëm biznesesh, ndërsa numri i të punësuarve në minierë si dhe përfitimet ekonomike nga punësimi kanë variuar gjatë dekadave të fundit. Në disa raste, miniera është mbyllur duke rritur papunësinë, ndërsa në periudha të tjera ka pasur kërkesa më të larta për punësim.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Ndër problematikat kryesore të zonës mbetet papunësia, që shkon në rreth 40 për qind të fuqisë punëtore, po të kemi parasysh këtu edhe trendin e kohëve të fundit të kthimit të emigrantëve nga vendet fqinje në krizë.
Ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave urbane, veçanërisht për qytetin e Bulqizës mbeten sfida për bashkinë e re.
Si një zonë malore, Bulqiza ka problem mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve, gjë që mund të ndihmojë për shfrytëzimin e shumë maleve aktualisht të shkreta në ndihmë të banorëve. Turizmi malor dhe ndërtimi i rrugëve që ndihmojnë udhëtimin në këto zona si edhe vënia në eficencë e vjeljes së të ardhurave nga industria krom-nxjerrëse në rrugë ligjore do të ndihmonin në rigjallërimin e qytetit.
Disiplinimi i shfrytëzimit të rezervave të kromit si dhe transferimi i pjesës që i takon me ligj bashkisë së re mund të shërbejë për të fuqizuar buxhetin e kësaj bashkie.
Mbështetja me subvencione e fermerëve dhe blegtorëve, duke përmirësuar dhe infrastrukturën që lidh zonat e largëta me qendrën e Bulqizës konsiderohen gjithashtu nisma të rëndësishme për t’u ndërmarrë.
Hapja e një qendre sociale për të moshuarit dhe invalidët, ngritja dhe funksionimi i fushës së futbollit si dhe e një aneksi sportiv për grup-moshat do të përmbushnin disi shërbimet sociale në dobi të banorëve.
Bashkia e re do të duhet gjithashtu të mbrojë dhe promovojë kulturën e zonës së Gollobordës, pasi në këtë zonë mungojnë këto aktivitete për minoritetin maqedonas.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Bulqizës kishin të drejtën e votës 29,065 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 16,969 votues, 58.38% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Melaim Damzi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 56.25% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Bulqizë (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 9852 | 61,41% | 13 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 5825 | 36,31% | 8 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut | 367 | 2,29% | 0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Melaim Damzi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)