Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Cërriku kufizohet në veri me bashkitë Elbasan dhe Peqin, në jug-lindje me bashkinë Gramsh, në jug me bashkinë Kuçovë dhe në perëndim me bashkinë Belsh. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Cërrikut.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 27,445 banorë me densitet prej 144.71 banorë për km², ndërsa që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 46,652 vetë, me dendësi prej 189.65 banorë për km². Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 189.65 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Cërrik, Gostimë, Mollas, Shalës dhe Klos. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 28 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Cërrikut shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore në përgjithësi mes dy lumenjve, Shkumbin dhe Devoll dhe do të ketë si qendër qytetin e Cërrikut, një ish qytezë industriale e kohës së komunizmit, i shpallur si qytet më 1952 me ndërtimin e Uzinës së Përpunimit të Naftës dhe një termocentrali, të cilat iu shtuan qendrës së shërbimeve për bujqësinë.
Në vitet 1990 rafineria e naftës pushoi së ekzistuari duke sjellë largimin e pjesës më të madhe të rinisë nga ky qytet ndërsa pjesa e mbetur e popullsisë ka burime shumë të pakta ekonomike nga pensionet, ndihma ekonomike dhe remitancat. Aktualisht 459 familje trajtohen me ndihmë ekonomike por numri i kërkesave sa vjen e shtohet. Kjo përbën pjesën dërrmuese të familjeve të kësaj qyteze me rreth 7 mijë banorë.
Instituti i Duhanit i cili shërbente dikur për kultivimin e kësaj bime është mbyllur prej kohësh ndërsa nga të paktat institucione publike është Radiostacioni ende funksional por me personel të kufizuar.
Zona e Cërrikut po përfiton aktualisht nga projekti i hidrocentralit të Banjës mbi lumin Devoll.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Pushteti i ri vendor që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit do të përballet me sfida nga më të larmishmet, të cilat gërshetojnë hartimin e planeve të veprimit për ripërtëritjen e jetës urbane, por dhe për mbështetjen e popullsisë rurale dominuese në këtë bashki të re. Bazuar në shqetësimet e komunitetit, bashkia e re pritet të përballet me sfidën e madhe të papunësisë dhe varfërisë në zonën urbane dhe hartimin e politikave fiskale të cilat do të mund të nxisin hapjen e bizneseve të reja, tërheqjen e ndërmarrjeve fason, por dhe shfrytëzimin e shumë prej ndërtesave të ndërmarrjeve shtetërore të mbyllura tashmë.
Gjithashtu, bashkisë së re i duhet të përballet me sfida lidhur me përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në të gjithë hapësirën e saj, si dhe ofrimin e një zgjidhjeje përfundimtare lidhur me furnizimin me ujë të pishëm të zonës. Ngritja e pikave të grumbullimit por dhe menaxhimi i mbetjeve urbane në të gjithë territorin e bashkisë do të përbëjë një tjetër sfidë për pushtetin e ri vendor.
Numri i madh i papunësisë dhe i familjeve në nevojë, do kërkojë nga bashkia ngritjen e mekanizmave transparentë të menaxhimin e skemës së ndihmës ekonomike, si dhe mundësinë e ngritjes së banesave sociale dhe shërbimeve sociale në ndihmë të tyre. Mbështetja për ngritjen e shkollave të arsimit profesional në këtë zonë identifikohet nga komuniteti si një tjetër nevojë e cila duhet të adresohet nga bashkia e re krahas ripërtëritjes së aktiviteteve kulturore dhe sportive për fëmijët dhe të rinjtë e zonës.
Duke qenë se një pjesë e mire e të ardhurave të banorëve në këtë bashki sigurohen përmes sektorit të bujqësisë dhe pemëtarisë, pushteti i ri vendor kërkohet që të hartojë politika konkrete në ndihmë të infrastrukturës bujqësore, si rregullimi i kanaleve kulluese ose sistemeve vaditëse.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Cërrikut kishin të drejtën e votës 35,010 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 16,142 votues, 46.11% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Altin Toska të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 59.50% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 10568 | 67,64% | 14 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 4996 | 31,98% | 7 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë | 59 | 0,38% | 0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Altin Toska, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)