Profile15 Oct 2015

Profili i bashkisë Lezhë

E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kunë e Vain si dhe nga plazhi i Shëngjinit, Lezha ofron mundësi të larmishme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.

Autor: BIRN BIRN Lezhë
Printo

Harta e re territoriale e bashkisë Lezhë

Harta e re territoriale e bashkisë Lezhë

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Lezha kufizohet në veri me Bashkitë e Vaut të Dejës dhe Pukës, në perëndim me Detin Adriatik, në lindje me Bashkinë e Mirditës dhe në jug me Bashkinë Kurbin. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Lezhës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Lezha ka 65,633 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 106,245 banorë. Me një sipërfaqe prej 509.1 km2, bashkia e re e Lezhës ka një densitet prej 208.69 banorë/km2 sipas të dhënave të Regjistrit Civil dhe 128.91 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Kjo bashki përbëhet nga 10 njësi administrative, të cilat janë: Lezha, Shëngjini, Zejmeni, Shënkolli, Balldreni, Kallmeti, Blinishti, Dajçi, Ungreji dhe Kolshi. Të gjitha këto njësi janë aktualisht pjesë e rrethit të Lezhës dhe e po të njëjtit qark. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Lezhë dhe Shëngjin) dhe 65 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Bashkia e Lezhës shtrihet në pjesën dërrmuese të vet në një zonë të ulët dhe bregdetare, me lartësi 5 metra mbi nivelin e detit. Trashëgimia e pasur historike dhe kulturore e bën këtë bashki një destinacion tërheqës për turizmin kulturor.

E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kunë e Vain si dhe nga plazhi i bukur i Shëngjinit, Lezha ofron bukuri natyrore të larmishme dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në një distancë të afërt.

Aktualisht, ekonomia në qytet është e diversifikuar, por mbështetet në tregti dhe shërbime, sektorë që punësojnë numrin më të madh të banorëve të Lezhës. Ndërtimi i Parkut të Biznesit në pjesën veriore të qytetit pritet të nxisë përqendrimin e bizneseve vendore dhe rajonale në këtë qytet.

Vitet e fundit, industria e përpunimit të peshkut në rajonin e Lezhës ka njohur investimet më të mëdha në rang vendi, sa i përket ngritjes së stabilimenteve të peshkut.

Në Bashki po zbatohet dhe projekti për mbledhjen e diferencuar të mbeturinave në qytet, ndërsa kjo nismë do të duhet të shtrihet edhe në komunat që i bashkohen Lezhës.

Pozicioni i favorshëm gjeografik mundëson akses në të mirat bujqësore, të agrikulturës, blegtorisë dhe peshkimit, të cilat ndikojnë gjithashtu në  potencialin ekonomik dhe rritjen e punësimit në Bashki. Megjithatë, një pjesë e territorit të Lezhës vazhdon të kërcënohet nga përmbytjet, të cilat shkaktojnë herë pas here dëme të konsiderueshme.

Bashkia e re do të ketë në territorin e saj qytetin e Shëngjinit dhe një vijë të gjatë bregdetare, e cila fillon nga rezervatet natyrore të mbrojtura të Bregut të Matit dhe të Kune-Vain-Tales deri te plazhet shkëmbore në veri të qytetit të Shëngjinit. Një pjesë e mirë e bregdetit nuk i ka shpëtuar betonizimit, ndërsa në këtë vijë bregdetare ka ende plazhe të virgjëra, të cilët duhen mbrojtur.

Zona etnografike e Zadrimës, e cila shtrihet në pjesën veriore të bashkisë së re është një pasuri e cila së fundmi po kthehet në atraksion të agro-turizmit dhe të ushqimit të ngadaltë.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Sida kryesore e Bashkisë së Lezhës është zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit përmes mbrojtjes së mjedisit. Për të rritur ofertën turistike për vizitorët e vet, Lezhës do t’i duhet të mbrojë dhe të promovojë trashëgiminë e pasur kulturore, historike dhe arkeologjike.

Investimet në turizëm përgjatë bregdetit të Shëngjinit dhe lagunës së Kunes duhet të harmonizohen me marrjen e masave në pastrimin e vijës bregdetare dhe ndalimin e erozionit. Shtrirja e shërbimit të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë së re është e domosdoshme, po aq sa edhe pastrimi i grykëderdhjeve të Drinit dhe Matit nga mbeturinat.

Bashkisë së re do t’i duhet të mbështesë ndërmarrjet e vogla të zejtarisë dhe produktet e traditës si dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve, grave dhe vajzave përmes përfshirjes së tyre në sipërmarrje.

Nxitja dhe lehtësirat fiskale vendore për bizneset e reja të përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale në Lezhë si dhe përmirësimi i infrastrukturës në të gjitha zonat përbën një tjetër sfidë për zhvillimin e harmonizuar të Bashkisë së re.

Plotësimi i rrjetit të ujësjellësit në të gjithë territorin e Bashkisë mbetet gjithashtu një domosdoshmëri për banorët.

Administrata vendore e bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Lezhës kishin të drejtën e votës 81,138 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 40,009 votues, 49.31% e zgjedhësve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Fran Frrokaj i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 55.35% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Lezhë (kliko këtu).

Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:

Subjekti zgjedhor

Vota

Përqind

Mandate

Aleanca për Shqipërinë Europiane

19718

51,19%

22

Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet

16602

43,10%

18

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë

1183

3,07%

1

Partia Bashkimi për te Drejtat e njeriut

523

1,36%

0

Gjergj Ndrec Ndreka

494

1,28%

0

 

Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:

Kryetar Bashkie: Fran Frrokaj, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)