Bashkim Shehu u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kukësit në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet. Ai fitoi me 55.95% të votave kundrejt rivalit të tij politik të propozuar nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Bashkim Shehu është diplomuar fillimisht për Drejtësi dhe më pas ka mbaruar Akademinë e Policisë në Universitetin e Ankarasë në Turqi. Karrierën e tij në administratën publike e ka filluar në fushën e rendit, ku ka punuar në komandën e sigurisë dhe në sektorin antitrafik të policisë së Tiranës. Shehu ka drejtuar gjithashtu Departamentin e Policisë në Aeroportin e Rinasit dhe më pas për një periudhë 2-vjeçare ka qenë shef sigurie pranë kompanisë Stream Oil.
Në vitin 2009, Shehu është rikthyer në administratë si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës. Ndërsa në vitin 2012 u emërua drejtor i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, SHKB në Ministrinë e Brendshme.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Bashkim Shehu u kandidua nga Partia Demokratike për të drejtuar Bashkinë e Kukësit. Për shkak të djegies së mandateve dhe vendimit të PD-së për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e dekretuara më 30 qershor, Bashkim Shehu nuk do të jetë më kryetar i kësaj bashkie pas zgjedhjeve lokale. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Kukësit nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryebashkiaku Bashkim Shehu zotëronte pasuri me vlerë 1.4 milionë lekë në vitin 2009, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij Para Fillimit të Detyrës, ai deklaronte pronësinë mbi 1580 metra tokë në Tiranë si dhe kursime prej 10 mijë dollarësh.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Z. Shehu është dhjetëfishuar, duke kapur vlerën e 15.7 milionë lekëve. Pasuritë e patundshme përbëjnë zërin kryesor me vlerë 11.7 milionë lekësh. Përveç tokës së zotëruar më parë, Shehu ka blerë një apartament në vitin 2010 në Tiranë me vlerë 11 milionë lekë. Ai deklaron gjithashtu likujditete bankare me vlerë rreth 4 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 15.8 milionë lekë. Rreth 96% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni të Z.Shehu dhe pagën e bashkëshortes, ndërsa familja ka siguruar edhe 3% të të ardhurave nga shitja e automjetit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit, nga të cilat njëra rezultoi me probleme.
Sipas kontrollit aritmetik-logjik, Z.Shehu nuk justifikon me burimet e deklaruara shtesën e pasurisë prej 1.8 milionë lekësh në vitin 2017. Ai deklaron një depozitë bankare prej 3 milionë lekësh me burim kursimet nga pagat në këtë vit, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara prej tij dhe bashkëshortes kapin vlerën e 1.2 milionë lekëve.
BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” në këtë analizë blerjen e një apartamenti në Tiranë me vlerë 11 milionë lekë në vitin 2010. Si burim për këtë pasuri, kryebashkiaku Shehu ka deklaruar një kredi bankare prej 5 milionë lekësh, një hua prej 3 milionë lekësh, 1.5 milionë lekë kursimet familjare dhe 1.5 milionë lekë të tjera detyrim ndaj kompanisë së ndërtimit.
Por në asnjë prej viteve pasardhëse nuk deklarohet shlyerje për borxhin prej 3 milionë lekësh, ndërkohë që edhe huaja ndaj kompanisë së ndërtimit rezulton e pashlyer deri në fund të vitit 2017.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë PF 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al