Klement Ndoni u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Këlcyrës në zgjedhjet e vitit 2011 dhe mori një mandat të dytë në 2015-ën, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ai fitoi me 50.42% të votave në garën lokale të vitit 2015.
Klement Ndoni ka mbaruar studimet për Administrim Biznesi dhe zotëron një Master të nivelit të dytë për Ekonomi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm. Ai është anëtarësuar në Partinë Socialiste në vitin 1994 dhe prej asaj kohe ka qenë anëtar i Asamblesë së Këlcyrës, së Përmetit dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Nga viti 2000 deri në vitin 2011, Ndoni është angazuar në biznes privat. Pas dy mandatesh në krye të Bashkisë së Këlcyrës, ai garon për një mandat të tretë në zgjedhjet e pritshme të 30 qershorit. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Këlcyrës nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryebashkiaku Ndoni deklaronte asete me vlerë 770 mijë lekë në vitin 2011, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij Para Fillimit të Detyrës, ai zotëronte një apartament banimi 40 m2 në Këlcyrë dhe tre automjete.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kryebashkiakut të Këlcyrës është rreth 6.5 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8 herësh nga viti fillestar i deklarimit. Zëri kryesor i pasurisë përbëhet nga likujditetet bankare në vlerën e 5.9 milionë lekëve, ndërkohë që ai zotëron edhe automjete me vlerë 670 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14.6 milionë lekë. Të ardhurat e siguruara nga bashkëshortja si drejtuese e një banke të nivelit të dytë zënë 55% të totalit, ndërsa paga nga funksioni e Z.Ndoni rreth 43%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, nga të cilat 5 deklarata rezultojnë pa probleme dhe dy prej tyre me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.
Nga kontrolli aritmetik-logjik rezultoi se Z. Ndoni nuk justifikon me burimet e deklaruara shtesën e pasurisë për vitet 2014 dhe 2016; respektivisht në vlerat e 3.3 milionë dhe 3.1 milionë lekëve.
Për vitin 2014, subjekti ka deklaruar një depozitë bankare prej 3.2 milionë lekësh në emër të bashkëshortes, me burim të deklaruar kursimet në vite të dy bashkëshortëve, ndonëse në vitet e mëparshme asnjëri prej tyre nuk kanë deklaruar kursime pranë ILDKPKI.
Gjithashtu nga analiza cilësore e deklaratave rezultoi si “flamur i kuq” tërheqja në vitin 2015 i 4 milionë lekëve nga banka, pa sqaruar destinacionin e kësaj shume nëse është shpenzuar, investuar apo ka shërbyer si burim për likujditetet bankare të deklaruara në vitin 2016.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al