Rigels Balili u zgjodh kryetar i bashkisë së Delvinës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe koalicionit të atëhershëm ”Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Ai e fitoi mandatin e tij me 72.80% të votave.
Rigels Balili ka mbaruar studimet për Drejtësi në universitetin “Luarasi” dhe zotëron Master Shkencor të nivelit të dytë. Ai ka ushtruar fillimisht detyrën e juristit në shërbimin e provës dhe më pas atë të përmbaruesit. Në vitin 2014 u emërua kryetar i Dhomës së Përmbarimit në Gjirokastër, prej nga u katapultua si kandidat për kryetar bashkia në vitin 2015. [Lexo CV]
Gjatë mandatit të tij si kryebashkiak, Rigels Balili u vendos në syrin e debatit publik jo për funksionin e tij, por për lidhjet familjare me Klement Balilin, i dënuar së fundmi me 10 vjet burg për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Në janar 2019, kryebashkiaku i Delvinës u përfshi në negociata me policinë për dorëzimin e xhaxhait të tij, Klement Balili pas më shumë se dy vitesh arrati.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Delvinës nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryetari i Bashkisë së Delvinës zotëronte pasuri me vlerë 6.7 milionë lekë në vitin 2012, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Në vitin 2012, ai deklaronte pronësinë mbi një apartament dhe një garazh në Tiranë me burim biznesin familjar dhe dhuratat nga xhaxhai Bashkim Balili, një apartament dhe 22 mijë metra katrorë tokë në Delvinë nga trashëgimia si dhe kursime në bankë dhe në cash.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij ka pësuar një trend të lehtë pakësimi dhe kap vlerën e 6.6 milionë lekëve. Vlera e pasurive të paluajtshme është zvogëluar nga 4.7 milionë në 949 mijë lekë, pasi kryetari i Bashkisë së Delvinës ka shitur apartamentin e zotëruar në Tiranë. Ai ka shitur gjithashtu edhe një automjet “Mercedes Benz” për 1.4 milionë lekë.
Në fund të vitit 2017, Balili deklaron gjithashtu 2.8 milionë lekë likujditete bankare dhe po kaq kursime në cash.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 8 milionë lekë. Të ardhurat e krijuara nga funksioni përbëjnë 58%, ndërkohë që të ardhurat nga puna e bashkëshortes zënë 17% të buxhetit familjar. Rreth 11% e të ardhurave ka si burim fitimin nga shitja e automjetit “Mercedes Benz”, ndërsa rreth 3% kanë si burim të ardhurat nga qiratë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Në analizën cilësore të deklaratave u identifikuan si “flamuj të kuq” mungesa e burimit të pasurisë së deklaruar nga bashkëshortja e kryebashkiakut. Më konkretisht në vitin 2014, bashkëshortja e subjektit deklaron kursime në cash dhe në bankë prej gati 1.5 milionë lekësh me burim pagën, pa deklaruar të ardhurat e përfituara.
Ndërkohë, burimi i pasurisë së deklaruar në vitin fillestar nga Z.Balili ka si burim të deklaruar biznesin familjar si dhe kontributin e xhaxhait të tij, Bashkim Balili pa specifikuar pjesën takuese të secilit prej tyre.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë Pas Largimit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al