Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Fier?
Prioriteti im kryesor ka qenë dhe është shërbimi në mënyrë të barabartë për nevojat e çdo qytetari fierak që i përgjigjet detyrimeve ndaj shtetit dhe bashkisë, qoftë ky në zonat urbane apo rurale. Ky është një prioritet që do të më shoqërojë gjatë gjithë periudhës së punës time në shërbim të qytetarëve. Puna e deritanishme, e shpërndarë në të gjithë territorin e bashkisë Fier, është rezultat i këtij premtimi që unë e quaj obligim të detyrueshëm personal dhe institucional. Të tjerat janë detyrime që duhet të përmbushen çdo ditë të punës jo vetëm timen, por të çdo drejtuesi bashkie që është i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për rëndësinë e qytetarëve.
Premtimet e mia gjatë fushatës elektorale nuk kanë qenë rastësore, por bazuar në problematikat e nxjerra nga vet qytetarët. Zgjidhja që grupi i punës së ekspertëve të Partisë socialiste, mbështetur në projektet konkrete ishin garancia e premtimeve të mia, fakt që tregon seriozitetin që ne tregojmë në fushata elektorale. Fakt është që sot qytetarët janë shkëputur totalisht nga pasojat e rënda të një kontrate koncesionare të parkingjeve private në qytet, e cila kishte pasoja të rënda për qytetarët. Prishja e kësaj kontrate ishte kërkesa ime e parë e miratuar në mbledhjen e parë të këshillit menjëherë pas marrjes së mandatit.
Fakt është gjithashtu nisja menjëherë nga puna për rehabilitimin e lumit Gjanicë, një nga problemet madhore të qytetit të Fierit. Deri tani kemi hedhur hapin e parë në drejtim të zgjidhjes së këtij problem që është zgjerimi i shtratit të lumit, sistemimi i skarpateve dhe pastrimi i thellësisë së tij duke eliminuar problemin emergjent të përmbytjes masive në raste reshjesh. Aktualisht po punohet me hartimin e projektit të plotë të lumit, që është një projekt shumë kompleks ku ndërthuret siguria (mbrojtja e qytetit, lagjeve përreth nga përmbytjet) dhe mjedisi (pasi ky është jo vetëm një lum i padisiplinuar dhe jo urban, që kalon në mes të qytetit, por është edhe një lum i ndotur). Janë komponentë që po shikohen me shumë vëmendje nga ekspertët e fushave të ndryshme për të përfituar një projekt të plotë teknik ku përfshihen të gjithë elementet e domosdoshme në zbatim të tij. Disavantazhin që ka sot Gjanica ne do e kthejmë në avantazh për qytetin dhe qytetarët e Fierit. Puna tashmë ka nisur kohë më parë duke dhënë dhe rezultatet e prekshme nga vet banorët.
Fakt është gjithashtu edhe sistemimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese, punë e nisur prej kohësh dhe që do të vazhdojë. Sot kemi përfunduar rehabilitimin e këtyre kanaleve në një gjatësi lineare mbi 35 km, proces ky në vazhdim. Ju thatë 3 premtime, por unë do t’ju them që edhe certifikimi i tokës bujqësore i premtuar nga unë në fushatë ka nisur të zbatohet. Në bashkinë Fier ngritëm një zyrë posaçërisht për të nisur këtë proces që do t’i japë fund problemit në dukje të pazgjidhshëm të fermerëve për tokat e tyre bujqësore. Sot kjo zyrë funksionon normalisht dhe ka akumuluar dokumentacionet e nevojshme për finalizimin e këtij certifikimi duke eliminuar procedurat burokratike.
Në kuadër të zhvillimit të politikave rinore të premtuara prej meje dhe në mbështetje të programit Kombëtar të Praktikave të Punës të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kanë nisur sot praktikën në bashkinë Fier 25 të rinj, të cilët do të përfitojnë një përvojë kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale si dhe të shprehive praktike në njohje me sistemin administrativ publik.
Ndryshimi i fytyrës së qytetit dhe ndërtimi i parkut të qytetit është gjithashtu premtim që po merr rrugën e zgjidhjes. Projekti i ndërtimit të parkut kryesor të qytetit është miratuar nga qeveria dhe shumë shpejt do të nisë zbatimi, krahas projekteve të tjera të ‘Rilindjes Urbane’: Rruga “Mujo Ulqinaku”, rruga “Dervish Hekali”, rikonceptimi i rrugës “Ramiz Aranitasi”, rruga e Libofshës (Agim – Hasturkas) që për një muaj përfundon, rruga Daullas – Grecalli që nis këto ditë e shumë rrugë të tjera në zona rurale. Nuk harroj as ndërtimin e tregut të premtuar në fushatë për të gjithë fermerët. Fakt është që sot kemi nisur punën për ndërtimin e tij dhe të gjithë fermerët do të tregtojnë prodhimet dhe produktet e tyre me kosto të bashkisë, siç është premtuar. Po punojmë për të gjetur zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë për të gjithë popullatën dhe për një shërbim cilësor në gjithë territorin. Kjo është një sfidë, por që ne jemi angazhuar për ta superuar me sukses.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Fakti që puna ime si kryetar bashkie ka nisur me zgjidhjen e problemeve më emergjente të qytetarëve do të thotë që mendimi i tyre është shumë i rëndësishëm për mua dhe për institucionin që drejtoj. Në respekt të tyre, gjatë kësaj kohe kemi organizuar mbi 6 dëgjesa publike në lidhje me hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, me pjesëmarrje të specialistëve dhe ekspertëve në fusha të ndryshme, organizata të shoqërisë civile, grupe interesi dhe qytetarë të ndryshëm. Kjo do të jetë harta që do të ndjekim në vitet e ardhshme që rrjedh pikërisht nga kontributi dhe vlerësimet e vet qytetarëve.
Komisioni qytetar është një tjetër organizëm aktiv që mbikëqyr vendimmarrjen institucionale. Hartimi i buxhetit të ri të bashkisë për vitin 2016 kaloi në një fazë përzgjedhje prioritetesh. U organizuan një sërë takimesh me komunitetin, jo vetëm në zonën urbane, por dhe në atë rurale, në formatin e buxhetimit me pjesëmarrje. Mbi bazën e nevojave të vet komunitetit u realizua dhe shpërndarja e buxhetit të bashkisë. Të gjitha këto organizime jemi munduar jo vetëm t’i pasqyrojmë në media, por mbi të gjitha duke e bërë median pjesë të tryezave dhe takimeve konsultative, si një grup i rëndësishëm interesi në shërbim të komunitetit.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Furnizimi me ujë i gjithë territorit të bashkisë Fier dhe kjo është një sfidë jo vetëm jona, por e të gjithë bashkive të reja të përftuara pas ndarjes së re territoriale. Aktualisht, ne jemi në proces riorganizimi të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Fier do të përgjigjet për çdo shërbim të munguar në bashkinë Fier, sikurse do të ketë mundësi më tepër të rrisë cilësinë e shërbimit. Kjo rrjedh dhe nga fakti që do të mbulojë vetëm territorin e Bashkisë Fier dhe jo më si më parë që shtrihej edhe në Patos, Roskovec e Lushnjë. Ky është vetëm hapi i parë. Ndërkohë po punohet për rehabilitimin e rrjetit të brendshëm të qytetit dhe me të gjitha ujësjellësit (stacionet e pompimit) në zonat rurale.
Zhvillimi i Bujqësisë dhe Turizmit është një tjetër sfidë që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe të vet qytetarëve. Kryesorja për të garantuar zhvillimin bujqësor është bonifikimi i tokës bujqësore, e cila në sipërfaqe të mëdha kishte humbur funksionin e saj, duke u kthyer në toka jo eficente ose djerr. Sot, siç e thashë dhe më parë kemi përfunduar rehabilitimin e kanaleve në një gjatësi lineare mbi 35 km. Ndërhyrja në rehabilitimin e plotë të kanaleve kulluese dhe vaditëse ku nuk ishte vënë dorë për të paktën 30 vjet do të pasohet më tej me ngritjen e tregjeve me shumicë e pakicë dhe pikave të grumbullimit për produktet bujqësore-blegtorale të fermerëve. Ky është hapi tjetër që ne do të hedhim. Po shohim çdo mundësi bashkëpunimi me partnerë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë. Gjithashtu të mos harrojmë që peshë në këtë zhvillim ka dhe pronësia e tokës e cila shpesh herë step dhe vet fermerin në investime familjare. Theksova se po punohet çdo ditë për arritur certifikimin e tyre, duke krijuar lehtësi në procedurën e regjistrimit. Bashkia Fier përveçse asistencës teknike pa pagesë që u jep çdo ditë fermerëve në plotësimin e dokumentacioneve dhe shërbimeve që rrjedhin nga institucioni vendor në plotësimin e dosjes, kryhen edhe procedurën e dërgimit të dosjes së plotë ZRPP Fier, duke e ndjekur këtë proces deri në finalizimin e marrjes së certifikatës së pronësisë.
Për zhvillimin e turizmit jemi në proces për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore me drejtim vijën bregdetare. Kemi finalizuar disa projekte me këtë fokus, përfshirë dhe një rrugë lidhëse të zonës bregdetare dhe qytetin antik të Apollonisë. Këtu kemi menduar që të bëjmë një ndërthurje të dy momenteve turistike si atë bregdetar dhe atë kulturor, për të përfituar një variacion në tërheqjen e turistëve vendas e të huaj. Njëkohësisht kemi aplikuar dhe uljen e taksave për biznesin që operon në këto zona, me qëllim nxitjen dhe fuqizimin e investimeve.
Çfarë po bën aktualisht Bashkia për sistemimin e largimin e ndotjes nga Gjanica?
Faza e parë e rehabilitimit të lumit Gjanica ishte pikërisht pastrimi i tij, zgjerimi, thellimi dhe sistemimi i skarpateve. Faza e dytë ka të bëjë me hartimin e projektit të plotë teknik që ka në fokus edhe elementin ekologjik, mjedisor, process që ka nisur paralelisht me ndërhyrjen në terren. Jemi në këtë fazë për të finalizuar më pas zbatimin në terren të këtij projekti madhor.
Ekziston një vendim i Këshillit Bashkiak për pezullimin e fushës së mbetjeve urbane. Si po ecet me projektin dhe cila është zgjidhja e mbetjeve urbane në Bashkinë tuaj? A grumbullohen aktualisht mbeturinat nga i gjithë territori i bashkisë së re Fier apo vijon të grumbullohen vetëm në qytet?
Ekziston një vendim i Këshillit të Bashkisë Fier për shpalljen e emergjencës mjedisore, jo pezullimin e fushës së mbetjeve. Është vendimi Nr: 40, Datë 26.10.2015, “Mbi shpalljen e emergjencës Mjedisore në (fushën e Menaxhimit të Integruar të mbetjeve Urbane në Qytetin FIER), që ka përcaktuar dhe vendin e ri të grumbullimit të mbetjeve, ku shumë shpejt do të ndërtohet landfilli. Qeveria shqiptare në buxhetin e vitit 2016 ka përcaktuar fondin për ndërtimin e këtij landfilli dhe aktualisht është në proces tenderimi.
Jeni një bashki që ka premtuar zhvillim bujqësor. Cilat janë hapat e ndërmarrë për të mbajtur premtimin tuaj elektoral?
Hapi i parë për të garantuar zhvillimin bujqësor është bonifikimi i tokës bujqësore e cila në sipërfaqe të konsiderueshme kishte humbur funksionin e saj, duke u kthyer në djerr.
Ndërhyrja në rehabilitimin e plotë të kanaleve kulluese dhe vaditëse ku nuk ishte vënë dorë për të paktën 30 vjet do të pasohet më tej me ngritjen e tregjeve me shumicë e pakicë dhe pikave të grumbullimit për produktet bujqësore-blegtorale të fermerëve.
Ky është hapi tjetër që ne mundohemi të hedhim. Po shikojmë çdo mundësi bashkëpunimi me partnerë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë. Pa harruar gjithashtu dhe garantimin e pronësisë së tokave të fermerëve, nëpërmjet lehtësimit të procedurës së regjistrimit, siç e shpjegova dhe më parë.
Turizmi kulturor, detar dhe historik ka qenë një nga premtimet tuaja para një viti. Çfarë po bëni konkretisht për realizimin e premtimeve në këtë fushë?
Punët janë të ndërthurura me njëra tjetrën: rrugët, shërbimi, mundësitë etj. Infrastruktura rrugore është një hallkë shumë e rëndësishme në zhvillimin e një turizmi, qoftë ai bregdetar, apo historiko – kulturor. Për fat të keq kjo infrastrukturë në territorin e Bashkisë tonë është tejet e amortizuar dhe e pa investuar prej vitesh. Janë përgjithësisht asete të menaxhuara më parë nga ish-komunat dhe që për fat të keq të lëna në harresë, me shumë pak përjashtime. Menjëherë nisëm punën, nëpërmjet zyrës së hartimit të projekteve në bashki, për hartimin e një sërë projektesh infrastrukturore. Kemi veshur me projekte pothuajse çdo dalje në bregdet që premton turizëm dhe jemi në pritje të investimeve. Kemi projekte të miratuar në parim nga Qeveria, krahas këtyre projekteve që kemi nisur të zbatojmë në kuadër të Rilindjes Urbane. Krahas tyre, vëmendja që ka marrë furnizimi me ujë i të gjithë territorit të Bashkisë Fier (kryesisht në zonat rurale dhe ato bregdetare), nxitja e biznesit nëpërmjet uljes së taksave vendore (kryesisht në zonat bregdetare) dhe nxitja e investimeve të huaja (nëpërmjet promovimeve të shumta që i bëjmë këtyre aseteve në organizime të ndryshme ndërkombëtare ku jemi të ftuar etj… do të krijojnë kushte të favorshme për zhvillim.
Ne do të garantojmë rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe ofrimin e këtyre shërbimeve aty ku mungojnë. Do të ndikojmë në nxitjen e vazhdueshme të zhvillimit të biznesit dhe investimeve në zonat turistike. Gjithashtu do të sigurojmë akses sa më të lehtë dhe komod për në këto asete me vlerë financiare për ekonominë e Fierit.