Interviste17 Oct 2016

Artur Bardhi: Po luftojmë papunësinë, sfidë investimet në infrastrukturë dhe turizëm

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Kurbinit, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Bardhi lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Elvis Hila BIRN Kurbin
Printo

Artur Bardhi

Artur Bardhi

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Kurbin?

Duke qenë të angazhuar e përkushtuar në përmbushjen e angazhimeve tona qeverisëse, bashkia Kurbin, kabineti, e gjithë administrata si dhe institucionet në vartësi të saj, kanë bërë të mundur arritjen e një sërë rezultatesh ku ndër to mund të veçojmë:

  1. Implementimin e strukturës së re të bashkisë (riorganizimin e bashkisë Kurbin dhe tre njësive administrative Mamurras, Milot, Fushë-Kuqe).
  2. Hartimin e planit të përgjithshëm vendor në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban, ku bashkia Kurbin është e përfshirë në 26 bashkitë në projektin e madh kombëtar zhvillimor 2030.
  3. Hartimi i projekteve të munguara për objekte, pjesë e listës së investimeve prioritare të miratuara me vendime të Këshillit Bashkiak për periudhën 2015-2016, ku ndër to veçojmë: projektet e ujësjellësve në Gjorem e Milot, projekti i shkollës se mesme “At Shtjefen Gjecovi” në Laç, projekt i cili është në procesin e prokurimit publik, projekti për rehabilitimin e qendrës se qytetit Laç, atë të L.Nr.3 (parafabrikateve ) etj.

Është vënë në zbatim projekti i sistemit vaditës për zonën fushore të Kurbinit Fushë Milot – Mamurras. Rëndësi e veçantë po i kushtohet bashkëpunimit me institucionet përkatëse për realizimin e projekteve, veçanërisht me F.ZH.R dhe F.SH.ZH si dhe drejtorinë e përgjithshme të ujësjellës kanalizimeve.

Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Bashkëpunimi me komunitetin, sigurimi i pjesëmarrjes se qytetarëve në vendimmarrje është parë dhe vlerësuar me kujdes. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak janë zhvilluar të hapura ku pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e kënaqshme. Janë organizuar në vazhdimësi takime të zgjeruara konsultative ku veçojmë që vetëm për hartimin e planit të zhvillimit të bashkisë Kurbin janë organizuar katër të tilla (dëgjesa publike). Është realizuar publikimi i vendimeve të këshillit bashkiak nëpërmjet mjeteve tradicionale, pasqyrimi në regjistrin ligjor etj.

Është hapur edhe faqja e uebit të bashkisë dhe në sajë të një bashkëpunimi të ngushtë me median, synojmë rritjen në një shkallë sa më të lartë të transparencës.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Implementimi i plotë i përmbylljes e realizimit në parametrat e kërkuara të reformës territoriale.

Ulja në maksimum e numrit të të papunëve nëpërmjet: hapjes së vendeve të reja të punëve sezonale, zhvillimit të agrobiznesit dhe një prioritet i zhvillimeve me karakter bujqësor dhe blegtoral, industri, turizëm, fasoneri etj.

Investimet në interes të komunitetit si në: rrugë, ujësjellës, turizëm malor dhe atë bregdetar.

Për sa me sipër, janë përgatitur e dërguar pranë dikastereve përkatëse deri më tani tetë projekte të cilët do të fillojnë të zbatohen sa më shpejt.

Në kodrën sipër qytetit hidhen mbetje urbane të Laçit duke krijuar ndotje te mëdha. Kur do të ndryshojë kjo situatë?

Në kodrën sipër qytetit ekziston një pikë e grumbullimit të mbetjeve urbane me vendim të KRRT të vitit 2006. Një nga pikat kryesore të diskutimeve gjatë procesit të hartimit të planit të përgjithshëm vendore është edhe përcaktimi i një pozicioni të përshtatshëm për ndërtimin e një landfilli. Deri më tani, kemi dy pozicione të propozuara.

Deri në fund të muajt korrik përfundon procesi i hartimit të PPV-s .Pas kësaj, gjithçka do të vijë drejt zgjidhjes.

Krahas kësaj, shumë shpejt do të marrin zgjidhje edhe problemet e konstatuara me ujërat e ndotura  përmes ndërtimit dhe vënies në funksion të një impianti.

Punësimi vijon të jetë problem për Kurbinin dhe ju keni premtuar zgjidhje. Çfarë është bërë dhe çfarë pritet të bëhet?

Rëndësi e veçantë, që njëkohësisht është edhe prioritet për ne, i është kushtuar problemit akoma shqetësues të papunësisë. Ndërkohë që në fund të vitit 2015 shifra e të papunëve ishte 4655, aktualisht kjo shifër ka rënë në 3850. Gjatë kësaj periudhe janë punësuar 805 persona. Po punohet që shifra e të papunëve të pësojë një ulje graduale. Sipas të dhënave të marrë dhe nga zyra e punës , subjekte private si “Roendi”, “Global Alb”, “De Center”, “Niton”, “Alba shoes” etj, deri më tani, kanë paraqitur kërkesat për punësimin e mbi 300 punëtorëve. Por është vënë re një fenomen të cilin mendojmë se i duhet kushtuar më shumë vëmendje. Vende pune ka, por puna refuzohet. Përgjithësisht të papunët të “ambientuar” me ndihmën ekonomike refuzojnë punën. Deri më tani, janë hequr nga skema e  ndihmës ekonomike 106 persona.

Gjithsesi, problemit të papunësisë me gjithë vështirësitë e hasura, mendojmë që gradualisht do t’i japim zgjidhje të vazhdueshme përmes zbatimit të politikave të hartuara nga bashkia për punësimin.

Sipas praktikave të ndjekura nga Këshilli Kombëtar i Territorit, po shihen me prioritet zhvillimet me karakter bujqësor, blegtoral, industrisë së lehtë, fasonëve. Të gjitha këto mendojmë se do të mundësojnë hapjen e vendeve te reja të punës.

Keni premtuar asfaltimin e rrugës Skuraj – Gallatë, segment që në shumë raste bëhet i pakalueshëm. Kur do të nisë ky investim?

Për sa i përket segmentit rrugor Skuraj–Gallatë, janë asfaltuar 3 km nga rruga e kombit deri te kisha Skuraj. Është ndërtuar dhe vënë në funksion një urë në këtë segment rrugor në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. I gjithë segmenti Skuraj-Gallatë e rishtruar me materiale inerte, mirëmbahet nga sektori i rrugëve dhe aktualisht është në gjendje të mirë. Janë edhe 6 km të pa asfaltuara. Për këtë, sikurse edhe për njëzet rrugët e tjera në të gjithë territorin e bashkisë të karakterit lokal dhe rural, bashkia Kurbin ka vënë në dispozicion të FSHZH formularët sipas kërkesës së tyre me të gjitha të dhënat e nevojshme për hartimin prej tyre të projekteve përkatëse. Besojmë se miratimi i fondeve nuk do të vonojë. Sa më parë është e mundur, do të realizohet projekti për segmentin akoma të pa asfaltuar të rrugës Skuraj-Gallatë.

Numri i familjeve të pastreha është shumë i madh në zonën e Kurbinit. Çfarë do të bëni në këtë drejtim?

Deri më tani, bashkia Kurbin ka dhënë gjithsej 40 kredi me interes të ulët, por ka afro dy vjet që çështja e zgjidhjes së problemeve të strehimit mbetet gati e bllokuar. Sipas vendimit të VKM nuk na lejohet të aplikojmë tani për tani për kredi të butë deri në verifikimin përfundimtar të të gjitha kredive të buta në rang vendi.
Më pas, me zhbllokimin e këtij vendimi, që gjithsesi është problem bankar, do të operojmë menjëherë.
Shtojmë se bashkia Kurbin nuk ka pasur dhe as nuk ka në dispozicion asnjë banesë sociale.
Buxheti i deritanishëm i bashkisë nuk na e mundëson mundësinë e investimit për strehim.

Keni një bregdet në zonën tuaj siç është Gotulla, por ai është kthyer në një landfill mbeturinash. Ndërkohë që mungon edhe rruga. Pse nuk keni ndërhyrë për të investuar që ai të bëhet i vizitueshëm siç ka qenë më parë?

Për sa i përket zonës bregdetare, përgjatë 12 km ku këtu përfshihet edhe Gotulla, në planin e përgjithshëm vendor kjo pjesë është planifikuar si zonë turistike e në funksion të industrisë së peshkimit. Ju bëjmë me dije që në Gotull nuk ekziston një landfill, por mungesa e infrastrukturës ka ndikuar në krijimin e vatrave të mbeturinave. Në planifikim përfshihet edhe ndërtimi i një korridori të gjelbër i cili do të lidhë zonën lindore të Kurbinit me atë perëndimore bregdetare.
Gotulla planifikohet të shndërrohet në një atraksion turistik.

Fshati Ferr Shkopet është i izoluar prej vitesh, pasi mungon ura. Kur do të ndërtohet ura e re që banorët të dalin nga izolimi?

Për sa i përket ndërhyrjeve për ura lidhëse, kemi pasur disa raste ndërhyrjesh e investimesh. Ndër to përmendim ndërtimin e urës që lidh mal Milotin me qytetin me HD (hapësirë drite) 4.5 ml, urën e fshatit Shullaz edhe kjo me HD 4.5 ml, ndërtimi i të cilës bëri të mundur qarkullimin normal të banorëve, veçanërisht të nxënësve të shkollës për të cilët më parë paraqiste një problem serioz.
Për sa i përket urës së Ferr Shkopetit, edhe kjo do tendertohet si rezultat edhe i bashkëpunimit të bizneseve të cilët operojnë në këtë zonë.