Interviste8 Sep 2016

Bashkim Shehu: Trashëguam mbi 1 milion euro në borxhe. Përmirësuam furnizimin me ujë

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Kukësit, BIRN Albania intervistoi kryetarin e Bashkisë Z.Shehu lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Bashkim Shala BIRN Kukës
Printo

Bashkim Shehu.

Bashkim Shehu.

Çfarë ka ndryshuar pozitivisht në Bashkinë e Kukësit gjatë vitit të parë të drejtimit tuaj?

Ky vit ka qenë më i vështiri për pushtetin vendor, e marrë  në tërësi periudhën pas pluralizmit politik. Ndarja e re administrative, e shoqëruar me kompetenca gjysmake dhe një reformë transitore që ende nuk i dihet fundi, ishte një sfidë jo e lehtë. Mendoj jo vetëm për mua, por siç thashë e marrë në tërësi për 61 bashkitë  e vendit. Edhe pse kemi qenë kundër reformës territoriale gjithsesi u vumë në shërbim të saj. Transferimi i kompetencave u shoqërua me një ngadalësim të pritshmërive. Ende nuk janë marrë si duhet funksionet e deleguara, për pyjet, shërbimin e mbrojtjes nga zjarri, arsimin parashkollor dhe shërbimet mbështetëse etj. Morëm në dorëzim një bashki të zhytur në borxhe. Më shumë se një milion Euro sigurime shoqërore e shëndetësore të papaguara përfshirë detyrimet tatimore mbi të ardhurat personale. Pa llogaritur borxhet e tjera ndaj të tretëve dhe operatorëve të ndryshëm ekonomik. E megjithatë, angazhimi maksimal i të gjitha strukturave të bashkisë po bëjnë të mundur përmirësimin e situatës financiare, duke nisur shlyerjen e tyre. Të ardhurat e bashkisë janë rritur ndjeshëm, pasi vetëm për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, të ardhurat u realizuan 75% e planifikimit në paketën fiskale të 2016. (nga 91.060.000 lek parashikuar për vitin 2016 u realizuan deri në 30 qershor 68.273.000 lek). E meqë jemi te paketa fiskale, ne mbajtëm premtimin duke ulur taksat për biznesin 30%, ndërsa për familjet në nevojë në 50%. Në paketën fiskale janë parashikuar edhe lehtësira për bizneset që zhvillojnë aktivitetin e tyre ne fushën e turizmit dhe promovimit te vlerave të Kukësit.

Buxheti i vitit 2016, nuk erdhi ashtu siç pritej. Nga 9.8 km katror që ishte dikur bashkia qendër, sot territori kalon 900 km katror, e në këtë territor janë shtuar problematikat duke u grupuar në një njësi të vetme menaxhuese. Janë shtuar kilometrat e rrugëve, të cilat për hir të së vërtetës janë në një gjendje tejet të amortizuar dhe aspak funksionale, janë shtuar sipërfaqet për mirëmbajtje e shërbime, janë shtuar problemet që kanë të bëjnë me situata emergjente, qoftë për reshjet e borës, qoftë për zjarret në pyje qoftë edhe për probleme të shëndetit të popullatës që lidhen me faktorë natyrorë apo edhe me të tjera në blegtori, bujqësi etj. E të gjitha këto kërkojnë shërbime. Megjithatë, u përpoqëm që të vinim në udhë një sërë problemesh, duke nisur me administrimin e territorit, shtrirjen e shërbimit në secilën prej 14 njësive administrative, formimin e një administrate në shërbim të punës dhe qytetarëve dhe gradualisht funksionin e ri të njësisë së qeverisjes vendore duke u përshtatur me këto ndryshime.

Për herë të parë u arrit të menaxhohet situata dimërore në të gjitha rrugët e fshatrave, duke i vënë në qarkullim për dy rastet e emergjencës të krijuara në një periudhë dhjetë ditore në kohë rekord e me shpenzime të kufizuara, kjo e kushtëzuar nga sasia e fondeve. Kishte rrugë e fshatra që s’janë lidhur në situata të tilla prej 25 vitesh deri në pranverë. Përmirësuam furnizimin me ujë të banorëve, njëri prej problemeve gangrenë dhe tejet shqetësues për banorët e Kukësit. Kemi venë në dispozicion të investimeve një fond prej 96 milion lek të reja të cilat do të investohen brenda këtij viti në kopshte e çerdhe, kanale të ujërave të zeza dhe rrugë.

Po kështu nga Bashkimi Europian pritet të investohen rreth 3 milion euro për projekte të ndryshme në fushën e infrastrukturës dhe nxitjes për zhvillimin e turizmit. Tashmë ka nisur puna përmes fondeve IPA për ndërtimin e rrugës që lidh Shishtavecin me pikën kufitare dhe Dragashin e Kosovës, si dhe ndërtimin e rrjetit të rrugëve të brendshme të Shishtavecit, i cili në përfundimin e rrugës Kukës-Shishtavec dhe investimet e nisura brenda Shishtavecit do t’i japin një dimension tjetër ekonomik kësaj zone. Kemi bërë disa ndërhyrje për sistemim të kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjen e re me rreth 2.5 milion  lek, kemi prokuruar një rrugë unazore në lagjen e re me rreth 28 milion  lek, kemi prokuruar rikonstruksionin e plotë të qendrës së shërbimeve sociale dhe aftësisë së kufizuar me rreth 125 mijë euro me bashkëfinancim të DLDP (Programi për Zhvillim Lokal e Decentralizim i qeverisë së Zvicrës), e cila shumë shpejt do të kthehet në një qendër rajonale. Do ndërhyhet në rikonstruksionin e plotë të çerdhes në lagjen nr. 3 dhe rikonstruksione të pjesshme në të gjitha kopshtet e çerdhet e Kukësit.

Kanë nisur prej ditësh riparimet e mirëmbajtja e objekteve shkollore ( stukime, riparime dyer, dritare, xhama, lyerje, nyje hidrosanitare e rrjeti elektrik ) për të gjitha shkollat e Bashkisë së Kukësit, me qëllim që viti shkollor të jetë i gatshëm për sa i përket infrastrukturës.  Kemi venë në shfrytëzim njërën prej veprave  më të mëdha ujitëse në qarkun e Kukësit, Kanalin e Uzinës i cili për herë të parë pas 25 vitesh ujit sot edhe tokat bujqësore të fermerëve në Nange. Janë vënë  në shfrytëzim një serë veprash të tjera vaditëse në Kolsh, Kalimash, Pobreg, Bushat, Çinamake, Shtanë, Simon etj, e të gjitha këto me një vlerë rreth 3.9 milion  lek të deleguara nga Ministria e Bujqësisë për Bordin e Kullimit. Për herë të parë Bashkia e Kukësit ka nje plan te menaxhimit te integruar te mbetjeve 2016 – 2020. Është bërë një studim i hollësishëm nga donatorët që mundësuan këtë plan menaxhimi përmes projekteve CROSS BORDER, një udhërrëfyes i detajuar se si dhe çfarë do bëjmë me mbetjet në Kukës. Në këtë kontekst Bashkia e Kukësit do zbërthejë detajet e këtij plani e natyrisht do vihet në eficensë dhe zbatim.

Organizuam për herë të parë Konferencën e Donatorëve me një pjesëmarrje të kënaqshme të  diplomacisë rezidente në Shqipëri,  e organizatave joqeveritare që operojnë në Shqipëri e që kemi vënë urat e komunikimit për realizimin e një serë projektesh. Kjo në një farë mënyre ishte një sinjal pozitiv se administrimi i qendërzuar mund te jetë funksional dhe i kontrolluar. E kështu mendoj se ka ndryshuar imazhi (për mirë besoj), duke qenë pushtet gjithëpërfshirës.

Keni premtuar kritere ligjore për emërimet në administratën e Bashkisë, por edhe të administratorëve. A ka pasur raste emërimesh militantësh partiakë? Po emërime klienteliste e nepotike a ka pasur me ardhjen tuaj në krye të bashkisë. A është administrata e Bashkisë tuaj e gatshme të përballojë sfidat e vështira që i dalin përpara?

Mendoj se është ndërtuar një administratë solide dhe me ekspertizë të nevojshme. Kuptohet që përsosmëria s’ka limite, por jemi përpjekur të ofrojmë specialistë dhe administratorë të përkushtuar e të vlerësuar nga ajo shtresë nga  vijnë. Një administratë që respekton vlerat dhe qytetin në shërbim të qytetarëve. Situata të tjera që kanë të bëjnë me klientelizmin, nepotizmin e militantizmin nuk kanë vend mendoj dhe gjithsecili mund t’i referohet kësaj administrate për të vërtetuar të kundërtën. Mendoj dhe se paku kjo periudhë një vjeçare e ka vërtetuar se kjo administratë di te menaxhojë situata, di të punojë e të përballet me sfida. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk është mjaftueshëm, por nuk mungon përkushtimi dhe angazhimi për tu përballur.

Uji i pijshëm “plagë që kullon” prej vitesh në Kukësin e rrethuar nga uji. A keni kapacitetet e duhura njerëzore për të menaxhuar ndërmarrje si ajo e ujësjellësit pasi po të krahasojmë disa shifra ndër vite, shkaku kryesor i mungesës së ujit është më shumë nga menaxhimi i keq se sa nga mungesa e investimeve?

Përmirësimi i situatës së furnizimit me ujë të qytetarëve ka qenë premtimi kryesor në fushatën elektorale ndaj dhe është cilësuar si sfida kryesore. Nuk dua të merrem me atë se çfarë është gjetur në ujësjellësin e Kukësit si keqmenaxhim, investim dështak, shpërdorime e një situatë kaotike me ndërhyrje të paligjshme në rrjet, por më duhet të rendis ato çfarë bëmë në këtë periudhë. Të  gjithë qytetarët kuksianë e kanë ndjerë ndryshimin e madh në furnizimin me ujë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar e kemi gjetur qytetin me 20 minuta apo 30 minuta furnizim me ujë gjatë 24 orëve. Mungesë e jashtëzakonshme administrimi dhe një kaos për të siguruar ujin nga qytetarët që rrinin në radhë me kova në katet e para të pallateve. Sot Kukësi furnizohet minimalisht me 6 orë në ditë, në tre orare, mëngjes drekë e darkë. Arritëm të ndërhyjmë pa selektivitet në ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në dy aksione të rëndësishme, gjatë vjeshtës së kaluar dhe kësaj pranvere, duke ndërprerë  qindra lidhje të paligjshme, qoftë  në prurjet e Kolesjanit qoftë dhe në ato të Lojmes. Kemi ndërprerë furnizimin me ujë të gjitha lavazheve e duke i futur në procedurë për licencim përmes përdorimit të ujit industrial. Kemi rritur nivelin e arkëtimeve nga 30% ne 80 %,e kjo me tendencë  rritjeje për vijimësi. Me gjithë borxhet e akumuluara nga 2008,-a të cilat kalojnë shifrën e 1 milion eurove, ne po përpiqemi të mirë administrojmë këtë shoqëri e cila është në reformim e sipër, pasi deri në fund të vitit duhet t’i transferohen të gjithë ujësjellësit e bashkisë në 14 njësitë administrative. Me përfundimin e fazës së dytë të investimit në ujësjellësin e Kukësit  në një vlerë prej 187 milion lek, mendojmë se jemi në rrugë të mbarë e së bashku me masat organizative themi që në periudhën në vazhdim do të ketë përmirësim rrënjësor të situatës duke arritur njërin prej objektivave themelor në shërbim te qytetarëve.

Meqë jemi te investimet… Gjatë viteve 2013-2015 janë investuar rreth 3.5 milionë Euro për ujësjellësin e Kukësit dhe furnizimi jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar. Çfarë keni konstatuar ju gjatë qeverisjes 1 vjeçare lidhur me këtë problem?

Mendoj se i përmenda problemet më lart dhe të gjitha konstatimet e grupit të ekspertëve janë në organet e drejtësisë dhe është marrë prokuroria me ketë problem. S’kam ndonjë koment tjetër.

Keni premtuar konsultime dhe dëgjesa publike për çështje të rëndësishme në bashki, të tilla si për buxhetin, ndërhyrjet në infrastrukturë, planin urbanistik. Si është zbatuar në praktikë ky premtim?

Mendoj se dëgjesa publike është futur si domosdoshmëri në punën tonë. E kemi konkretizuar për të gjitha ato çfarë nënvizuat në pyetjen tuaj. Vitin e kaluar u zhvilluan dëgjesa të rregullta me grupe interesi, biznese e qytetarë për buxhetin e vitit 2016 dhe paketën fiskale. Të tilla dëgjesa janë bërë në kuadër të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili përfundon brenda këtij viti. Javën e fundit të korrikut janë parashikuar dëgjesa për hartimin e programit buxhetor afatmesëm 2017 – 2019 e kështu me radhë. Bashkia e Kukësit ka zhvilluar dëgjesë publike,  konsultime me grupe interesi e ekspertë të mjedisit edhe për planin e menaxhimit të integruar të mbetjeve 2016 – 2020.

Meqë jemi te plani urbanistik, në qytetin e Kukësit ndërtimi i fundit pa leje është prishur para 10 vitesh, kur bashkia drejtohej nga Osman Elezi. Ndërkohë që pas këtyre viteve në Kukës kanë vërshuar ndërtimet pa leje. Pse nuk ndërhyhet për t’i prishur?

IMTV dhe Drejtoria e Urbanistikës kanë evidentuar këtë problematikë në qytetin e Kukësit, por e shtrirë edhe në njësitë administrative. Ky mekanizëm është vënë në lëvizje dhe para pak ditësh, siç mund të jeni informuar edhe nga mediat, por edhe faqja zyrtare e bashkisë, ka dalë në terren duke kontaktuar pronarët dhe ata që kanë ndërtime të tilla për ndërhyrje dhe prishje vullnetare sipas ligjit, ndërsa kuptohet që do nisë edhe procedimi nga inspektorati dhe institucionet përkatëse.

Kemi një Këshill Bashkiak të fragmentarizuar që më shumë ka predispozicionin për të zgjidhur hallet e tyre personale se sa ato të zgjedhësve. Madje çdo njeri prej tyre ka një ose më shumë të punësuar në administratën, apo ndërmarrjet e bashkisë, pjesëtarë në tenderë apo përfitime të ndryshme. A kemi të bëjmë me një Këshill Bashkiak “gjobëvënës” apo një parlament vendor që zgjidh hallet e popullit?

Të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak janë të votuar nga qytetarët. Sigurisht që janë grupe të ndryshme interesi dhe është një këshill i dominuar nga vota e qytetarëve dhe jo nga vota partiake. Respektoj çdo votë të qytetarëve dhe jam i hapur për bashkëpunim për të mbrojtur interesat e tyre.