Interviste23 Sep 2016

Durim Roshi: Kemi shtuar investimet në komunitet, do të zbusim papunësinë

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Memaliajt, BIRN Albania intervistoi kryetarin e Bashkisë Z. Roshi lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Raimond Kola BIRN Memaliaj
Printo

Durim Roshi

Durim Roshi

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Memaliaj dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Dua të them në fillim, që në Bashkinë e Memaliajt Reforma Territoriale ka ecur shumë mirë dhe ka dhënë edhe efektet e saj pozitive qoftë në menaxhimin e buxhetit, të aseteve dhe burimeve njerëzore, qoftë dhe në trajtimin më mirë të problemeve që ka komuniteti i banorëve. Problemi më i madh që përballon Bashkia e Memaliajt është papunësia dhe efektet sociale që rrjedhin prej saj. Mbyllja e minierës vite më parë shkaktoi papunësi masive dhe shumë prej banorëve u detyruan të emigrojnë apo migrojnë. Papunësia është një problem i madh dhe ne synojmë zbutjen e saj. Ne jemi në tratativa me institucionet qendrore për hapjen e një ndërmarrje të vogël në sektorin e shërbimeve dhe besoj do të bëjmë të mundur punësimin e të paktën 40-50 vetëve. Kryerja e disa investimeve është gjithashtu një perspektivë për punësim. Ne synojmë gjithashtu që përmes investimeve në zonat rurale të rrisim punësimin dhe të nxisim disa sektorë që krijojnë mundësi për vetëpunësim.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Memaliaj?

Bashkia Memaliaj ka një strategji për projekte afatshkurtra dhe afatgjata. Projekti më madhor është ai për qendrën e Memaliajt, i cili ka nisur të zbatohet dhe do të ndryshojë fytyrën e qytetit. Do të kemi një qendër që besoj do të afrojë personat që kanë lëvizur për shkaqe ekonomike apo për shkaqe që e kanë parë që në qytet nuk ka zhvillim apo nuk ka infrastrukturë. Do të jetë një investim që do të afrojë shumë njerëz, do të nxisë hapjen e bizneseve të reja dhe njerëzit këtu do të bëjnë një jetë normale. Bashkia e Memaliajt trashëgoi një gjendje të vështirë financiare për shkak të borxheve të njësive administrative të saj. Me mbështetjen e fuqishme të qeverisë qendrore, ne kemi kapërcyer disa vështirësi ndërsa disa sfida të tjera janë ende. Bashkia do përpiqet që të sjellë investime në qytet si nga buxheti i qeverisë qendrore edhe me burime të tjera financiare si donatorët apo agjencitë e zhvillimit. Bashkia e Memaliajt ka në vizionin e saj një projekt për rehabilitimin e pjesës së lumit Vjosa duke e kthyer këtë zonë në një atraksion turistik. Bashkia Memaliaj ka hartuar gjithashtu një fond prej 35 milion lekësh nga buxheti i këtij viti që do të ndahet në njësitë administrative. Po vijojmë të identifikojmë çfarë problemesh kemi në njësitë administrative me qëllim bërjen e projekteve ambicioze dhe jo bërjen e projekteve që të zgjidhim një problem që është emergjent sot. Kemi prioritet rehabilitimin e rrugëve, të infrastrukturës shkollore dhe kopshteve. Strategjia jonë është të investojmë aty ku na kthehet mbrapsht investimi.

Disa nga fshatrat e Memaliaj bllokohen gjatë dimrit si pasojë e rrëshqitjes së rrugëve dhe edhe kjo është prioritet në mbulimin e nevojës për investime.

Disa nga investimet e prokuruara për këtë vit:

-Projekti i Asamblit Arkitektonik te sheshit Minatori, Memaliaj – Financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve

-Rikonstruksion Rrugët e Njësive Administrative në Bashkinë Memaliaj

-Rikonstruksione, riparime ne Shkollat e Mesme, 9-vjeçare, Cikli i ulët, në Njësitë Administrative në administrim të Bashkisë Memaliaj.

-Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati”. Vlera e financimit për vitin 2016 është 14 719 644 leke – Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

-Riparim Rruge Njësia Administrative Buz në Segmentin Rrugor kthesa e Komarit – Komar.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Memaliaj dhe cilat janë ato?

Baza ligjore, por edhe vetitë e administratorëve të zgjedhur kanë udhëhequr dhe do të vijojnë të udhëheqin punën e kryetarit të bashkisë në raport me këtë çështje. Vlerësimi im është në punën e gjithsecilit për të përmbushur programin tim elektoral dhe mbajtjen e premtimeve për shumë nga zonat që përfshihen në pesë njësitë administrative të Bashkisë së Memaliajt.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Bashkia e Memaliajt ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me komunitetin e banorëve si brenda qytezës dhe deri në skajet më të largëta të njësive administrative. Bashkia ka zhvilluar dëgjesat publike si për projektin e qendrës së Memaliajt, që tani është në zbatim dhe për propozimet e banorëve në disa zona sidomos për përmirësimin e problemeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, ujin, zhvillimin e investimeve në objekte arsimore, etj. Dera e kryetarit të bashkisë ka qenë gjithmonë e hapur për të dëgjuar zërin e banorëve dhe për t`i trajtuar shqetësimet e tyre në strukturat e bashkisë apo institucioneve përgjegjëse.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për të mundësuar transportin e fëmijëve në shkolla?

Shërbimi i Transportit të Punonjësve Arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit për bashkinë Memaliaj për vitin 2016 tashmë është prokuruar dhe mbarëvajtja e viti të ri shkollor besojmë do të jetë shumë e mirë.

Bashkia po punon në partneritet me drejtoritë e shkollave për të përgatitur në kohë objektet shkollore për vitin e ri arsimor.

A keni planifikuar projekte konkrete në mbështetje të familjeve të emigrantëve që kthehen nga Greqia dhe synojnë t`i investojnë kursimet në zonë.

Bashkia po synon krahas përmirësimit të qendrës së Memaliajt, të përmirësojë rrugët rurale që janë mjaft të rëndësishme për të nxitur zhvillim. Me rrugë më të mira. ata emigrantë që kthehen dhe zhvillojnë ekonomi të vogla, qoftë bujqësore, qoftë blegtorale e kanë më të lehtë të nxjerrin në treg produktet, por edhe të lehtësojnë kostot. Ne kemi nisur që këtë vit me hapat e para dhe besojmë në vitet në vijim do të vazhdojmë më fuqishëm duke gjetur mbështetje me financime edhe tek Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për të nxitur zhvillimin e blegtorisë?

Blegtoria është një nga sektorët prioritarë të bashkisë për vetë resurset që ka zona. Sektorët e bashkisë dhe specialistët e fushës kanë identifikuar këtë vit problematikat në këtë sektor duke parashikuar edhe mbështetjen që duhet t’i jepet si përmes partneritetit me agjencitë qeveritare dhe nga vetë bashkia. Ne vlerësojmë forcimin e bashkëpunimit me strukturat e shërbimit veterinar për të monitoruar dhe kryer vaksinimet dhe për të parandaluar dëmet në ekonomitë e vogla blegtorale si pasojë e sëmundjeve infektive. Ne nxisim gjithashtu krijimin e partneriteteve, sidomos për të shtuar mundësitë e përpunimit të prodhimeve blegtorale dhe marketimit të tyre në tregun e brendshëm. Cilësitë e këtyre produkteve njihen tashmë në gjithë Shqipërinë dhe ne kemi besim se do kemi rezultate konkrete në shtimin e prodhimit dhe rritjen e tregtimit.