Interviste5 Oct 2015

Fatos Tushe: Bujqësia do të jetë objektivi im

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 Qershor 2015, BIRN Albania intervistoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë Lushnje lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët. Më poshtë janë regjistruar premtimet e Z. Tushe lidhur me mandatin e tij katërvjeçar.

Autor: Ina Baçinozi BIRN Lushnje
Printo

Fatos Tushe | Foto nga : Facebook

Fatos Tushe | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Lushnjes dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemet kryesore të bashkisë së madhe të Lushnjes janë kryesisht probleme të fokusuara te bujqësia. Prej 25 vitesh, ne shpeshherë e kemi anashkaluar fshatin dhe na është dukur si një vend për të gjetur ato që prodhon fshati dhe se si realizohen shpeshherë nuk e dimë. Problematikat kryesore për këto zona janë vaditja dhe kullimi. Gjithashtu, infrastruktura e njësive administrative që do të bëhen pjesë e Lushnjes lë shumë për të dëshiruar.

Infrastruktura e linjave të ujësjellësave është në gjendje të mjerueshme. Edhe në disa zona ku mund të themi se ka rrjet, ato nuk janë sisteme bashkëkohore por janë vetëm disa linja që përcjellin ujë por me orar. Gjithashtu, një vemendje e veçantë do i përkushtohet edhe infrastrukturës së institucioneve arsimore. Kemi në plan të restaurojmë të gjitha kopshtet, shkollat dhe të mundësojmë rrethimin e këtyre objekteve. Në zonat e banuara ku nuk kemi kopshte dhe shkolla kur kjo duket e domosdoshme, atëherë do të ndërtojmë të reja.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Lushnjes?

Aktualisht stafi im ështe duke punuar për të vendosur disa zona ku nevojitet ndërhyrje emergjente dhe menjëherë pas konstituimit do të fillojmë punën. Kemi disa zona që paraqiten më problematike se pjesa tjetër. Kjo listë e hartuar ka evidentime për çdo fshat por unë po ju përmend disa kryesore, si psh në komunën Golem rruga e fshatit Hajdaraj, në komunën Hysgjokaj rruga e fshatit Kurtin, në Ballagat rruga e Ballagatit, e cila edhe pse është ndërhyrë 3 herë, prej punës “cilësore” rruga është dëmtuar brenda pak kohësh. Gjithashtu, investime do të kryejmë edhe në rrugen e Karbunarës.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Lushnje dhe cilat janë ato?

Në takimet që kam realizuar në qytetin dhe komunat e Lushnjes, e kam thënë shumë herë por po e them sërish: duke filluar nga administratori dhe punonjësi i shërbimit do të jenë pjesë e komunitetit dhe duke paraqitur CV-në e tyre ne do i zgjedhim këta njerëz. Unë në të njëjtën mënyrë kam vepruar edhe me administratën e bashkisë gjatë këtyre kohëve që bashkia ka qenë nën drejtimin tim.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët, sidomos atyre të zonave rurale, në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Në lidhje me vendimmarrjen edhe gjatë 4 vjeçarit që po mbyllin, që në fillim që kam marrë drejtimin, kam ngritur bordet qytetare në çdo rajon dhe një rrjet rinor dhe një bord qytetar këshillimor me intelektualët dhe figurat më të shquara të qytetit pranë kryetarit të bashkisë. Së dyti, çdo buxhet unë e kam bërë me vendimmarrje të gjerë, duke e prezantuar në çdo lagje të qytetit dhe jo në çdo rajon. Kjo nënkupton që pasi nxora të ardhurat dhe problematikat, u mblodhëm si një familje, sepse bashkia Lushnje është një familje e madhe për të gjithë qytetarët. Realizuam një draft të cilin e miratuam dhe e bëme transparent pët të gjithë qytetarët.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, veçanërisht garantimit të ujit për vaditje dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese?

Bujqësisë i kam kushtuar një rëndësi të veçantë dhe me ndryshimet në kuadrin ligjor, kanalet e dyta dhe të treta do të menaxhohen nga pushteti vendor. Në këto kushte do të programohet pastrimi dhe mirëmbajtja e këtyre kanaleve vaditëse dhe ujitëse. Së dyti, do të bëjmë hapjen e rrugës së parcelave pasi kjo është një gangrenë, ashtu si edhe ligji i famshëm 7501. Këto rrugë të parcelave në pjesën më të madhe janë të zëna dhe fermerët në shumë raste nuk gjejnë zgjidhje. Pra hapësirat e përbashkëta do ia kthejmë fermerëve dhe do të mendoja që nëse do të kishte qefmbetje në këtë aspect, as nuk e dua atë votë! Nuk dua që vota ime të varet në shkeljen e ligjit dhe mosrealizimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Lushnjes.

Çfarë politikash konkrete do të ndiqni në ndihmë të komunitetit rom dhe egjiptian të bashkisë së Lushnjes gjatë këtij mandati?

Duke qenë se jemi edhe në dekadën e romëve, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban është bërë i mundur edhe rikonstruksioni i 22 banesave të komuitetit rom në lagjen Savër, ndërsa aktualisht po bëhet restaurimi i 18 banesave të komunitetit egjiptian. Pjesa më e madhe e  ndëryrjeve është bërë në Savër sepse aty është edhe numri më i madh i këtyre banorëve. Ne kemi ndërhyrë në këtë zonë për të lehtësuar jetesën e këtyre banorëve, qoftë edhe me ndërtimin e kopshteve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Sa i takon punësimit duhet theksuar që nga PS në këshillin aktual kemi një përfaqësues të komunitetit rom dhe një të komunitetit egjiptian. Gjithashtu, edhe në administratën e bashkisë kemi të rinj romë të punësuar.