Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Lezhës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Problemi më i madh në Lezhë është mungesa e një plani rregullues, i premtuar që në vitin 2007 nga kryetari aktual i bashkisë. Ky premtim nuk është realizuar asnjëherë. Miratimi i një plani rregullues është domosdoshmëri për shkak se përcakton zonat me intensitet të lartë ndërtimesh, me intensitet të ulët ndërtimesh, zonat e gjelbra, urbanizimin e plotë të zonave informale, ndërhyrjet në infrastrukturë. Objektivat kryesorë:
A – Të pajisë qytetin dhe bashkinë me instrumentet e duhura për të orientuar zhvillimin urban e të qëndrueshëm të qytetit tashmë si një aktor pro-aktiv i procesit.
B – Të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit nëpërmjet proceseve më të mira të planifikimit. Plani Rregullues do të hartohet nëpërmjet një procesi planifikimi me pjesëmarrje të komunitetit që më konkretisht përfshin: një proces të vizionimit të qytetit, një VSE (Vlerësim Social Ekonomik) dhe një bashkërendimi i punës me KZhEV (Komiteti i Zhvillimit Ekonomik Vendor) që po harton një Plan të Zhvillimit Ekonomik Vendor. Gjithashtu do të hartohet edhe një Vlerësim i Ndikimit në Mjedis – VNM mbi të gjithë problematikën mjedisore dhe impaktin mjedisor të propozimeve për zhvillimet urbane.
C – Të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm nëpërmjet instrumenteve më të mira të planifikimit, zbatimit dhe menaxhimit. Për këtë qëllim Plani Rregullues do të përfshijë edhe instrumente të zbatimit si kodi i zonimit etj. dhe një proces të krijimit të një baze të dhënash që do të dorëzohet në fund në bashki edhe për qëllime të mëtejshme menaxhimi.
D – Të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm, në kuptimin më të gjerë social, kulturor, mjedisor dhe ekonomik, nëpërmjet një dizajni urban më të mirë. Për të arritur këtë objektiv Plani Rregullues do të hartohet si rezultat i disa hapave të përcaktuar analitikë në nivel dizajni urban për të gjitha pjesët e qytetit: analiza historike-genius loci, analiza e lexueshmërisë, përshkueshmërisë, vëzhgimi vizual, kufizuesit, analiza SWOT etj. Kjo bëhet e mundur edhe nga shkalla e vogël e qytetit.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Lezhë?
Ndërhyrja në të gjitha rrugët brenda qytetit, nga lagjja e Spitalit deri SMT, në Kodërmarlekaj, në Torovicë dhe në disa akse që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Kemi identifikuar të gjitha problemet në lidhje me godinat dhe në hartimin e buxhetit do të ndajmë fonde për përmirësimin e tyre sipas nevojës. Të krijohet një drejtori pranë bashkisë për shëndetësinë, si dhe do të alokojmë buxhet të veçantë për shëndetësinë. Në zonën turistike Shëngjin dhe Shënkoll do të mundësojmë shërbimin shëndetësor 24 orë. Ndërkohë, në qytet, në bashkëpunim me Urdhrin e Farmacistit dhe Institucionet e Shëndetësisë së rrethit, do të mundësojmë shërbimin farmaceutik 24 orë.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Lezhë dhe cilat janë ato?
Eksperiencë në qeverisjen vendore, profil komunitar me kontribute në shoqërinë të cilës do i shërbejë, specialist i fushës, arsimimi, si dhe profili teknik. Administratori të jetë banor i zonës që të përfaqësojë komunitetin ku ai jeton, si dhe njeh më mirë problematikat e tyre.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)
Çdo mbledhje e këshillit bashkiak do të jetë transparente, do të jetë mediatike. Përpara se të merren vendimet në këshillin bashkiak, projektet, vendimet do të konsultohen me grupet e interesit ndërsa mbledhjet do të jenë të hapura për publikun, duke përjashtuar rastet kur e kundërta saktësohet me ligj. Hartimi i buxhetit do të realizohet me konsultime me banoret sipas problematikave, si dhe do të realizojmë ndarjen e buxhetit sipas rëndësisë dhe prioriteteve dhe zonave që i kanë përcaktuar.
Çfarë masash do të ndërmerrni për hartimin e një plani urbanistik në Lezhë dhe Shëngjin si dhe për të ndaluar ndërtimet pa leje në zonën e Kalasë së Lezhës dhe në zonat natyrore të mbrojtura në bregdet?
Duke qenë se plani urbanistik i qytetareve Lezhë e Shëngjin konsiderohet edhe si problem kryesor, sigurisht që masat do të jenë të menjëhershme dhe radikale. Këto masa do te jenë pjese e strategjisë për hartimin e këtij plani urbanistik që do të krijojë një përputhje dhe integrim më të mirë të dy qyteteve Lezhe e Shëngjin.
A mundet që banorët e Lezhës të shpresojnë që brenda mandatit tuaj, grykëderdhja e lumit Drin apo e lumit Mat të mos ketë më plastikë të sjellë aty nga lumi?
Banorët jo vetëm që duhet të shpresojnë, por tashmë nuk flitet për shpresë, por ndryshim të situatës e cila sigurisht nga një shkaktar, të cilin do ta minimizojmë ndjeshëm. Në bashkinë e re të Lezhës do të përdoret një shërbim efikas i pastrimit si dhe do të shmanget hedhja e mbetjeve urbane në pikat e pa miratuara. Bashkia Lezhë do të monitorojë kontratën e shërbimit të pastrimit për këtë njësi vendore në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, pasi duke shmangur abuzimet sigurisht që ulen ndjeshëm edhe ndotjet në kanalet kulluese që depërtojnë në lumenj e më pas në det. Shërbimi i pastrimit do të shtrohet edhe në zonat rurale, nga ku vjen edhe ndotja më e madhe, për shkak se kolektorët shkarkues sjellin drejt lumenjve Drin e Mat sasi të mëdha inertesh, që krijojnë papastërti të cilat përhapen edhe në det. Do t’i jepet rëndësi edhe përpunimit të materialeve të riciklueshme, ku bën pjesë edhe plastika, e në këtë mënyrë sigurisht që do të ndikojë në uljen e sasive të depozituara në vende të pa miratuara apo të hedhura vend e pa vend nga persona të papërgjegjshëm.
Çfarë hapash do të merrni për zgjerimin e hapësirave të gjelbra në Lezhë dhe Shëngjin?
Në strukturën e re të Bashkisë së Lezhës të krijohet një drejtori që të merret me fushën e gjerë të mjedisit dhe problematikën e tij dhe që të jetë realisht i angazhuar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në qytet, përfshire edhe hapësirat e gjelbra. Bashkia Lezhë të zbërthejë në mënyrë të detajuar në plane veprimi, strategjitë e hartuara për problemet mjedisore nga strukturat organizative të bashkisë si dhe të marrë në analizë problemet mjedisore për qytetet e Lezhe e Shëngjin. Bashkia Lezhë të kryejë studime afatshkurtër apo afatgjatë për shtimin dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të gjelbra urbane ku të përcaktohen objektiva për rritjen e sipërfaqes në m2 për banor. Krahas rehabilitimit të lulishteve ekzistuese, një fokus të veçantë do të kenë edhe gjetja e mundësive për shtimin e tyre në zonat ku ato janë me pakicë apo mungojnë plotësisht. Në ndërtimet e reja që do të pasojnë bashkinë e re të Lezhës, ndërtuesit do të jenë të detyruar të zbatojnë lejen e dhënë, çka do të thotë që edhe për mjedisin ligji do te jetë i padiskutueshëm. Për këtë qëllim, do të hartohet rregullorja dhe standardet për administrimin e sipërfaqeve të gjelbra urbane pronë publike e private
Çfarë masash do të ndërmerrni për urbanizimin e komunës Rrethina, furnizimin me ujë dhe kanalizime të kësaj komune që tashmë është në një masë të madhe e ndërtuar?
Kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, uji i pijshëm janë edhe kërkesë e banoreve në zonat rurale, të cilët janë bërë pjesë e bashkëbisedimit për të marrë prej aty nevojat e tyre. Në shumicën e fshatrave ku problem është pjesërisht i zgjidhur, por kërkon alokim fondesh të vogla për t’i rehabilituar plotësisht dhe vënë në funksion këto ujësjellës. Investime të tilla janë lehtësisht të realizueshme edhe me fondet e vete bashkise se madhe. Për sa i përket kanalizimeve të ujërave të zeza, është e nevojshme studimi i këtyre zonave që më pas të ketë edhe projekte konkrete për zgjidhjen e tyre. Ne e mendojmë si të realizueshëm edhe këtë objektiv, pasi duke marrë në konsideratë fondet nga mbledhja e tarifave vendore, grantin e qeverisë dhe burimet njerëzore që hartojnë projekte për thithje fondesh tek donatoret, krijojnë lehtësi veprimi, që në shumicën e rasteve ka kërkuar më tepër vullnet sesa fonde.