Reforma territoriale dhe administrative në Shqipëri, e cila ndryshoi hartën e vendit, duke reduktuar 400 njësi lokale në 61 të tilla, po implementohet me ngadalësi dhe ka krijuar konfuzion, thotë një mision i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, që e vizitoi Shqipërinë në muajin shkurt.
Misioni– pjesë e Këshillit të Europës – e vizitoi vendin për të vëzhguar progresin e reformës së miratuar në korrik 2014 dhe situatën pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015 kur u zgjodhën 61 kryebashkiakë të njësive të reja administrative.
Raporti i misionit që kryesohej nga raportuesi holandez, Jos Wienen, zëvendës-president i Komitetit Monitorues të Kongresit, të cilin BIRN e ka parë, thotë: “Pavarësisht përpjekjeve për të siguruar mbështetje të përfaqësuesve të rinj të zgjedhur përmes Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale, zbatimi i procesit në nivel lokal duket të jetë i ngadalshëm dhe ndonjëherë i pavolitshëm.
“Konfuzioni në lidhje me kompetencat dhe burimet financiare ende duket se është i përhapur gjerësisht mes të zgjedhurve të rinj, duke kërcënuar zbatimin siç duhet dhe në kohë të reformës,” – thuhet në raport.
Raporti është gjithashtu kritik edhe kur bëhet fjalë për burimet financiare të alokuara për të mbështetur këtë reformë. Pavarësisht se qeveria alokoi 3.2% të PBB-së në 2016-ën për qeverisjen vendore, niveli më i lartë i dhënë ndonjëherë, ky është konsideruar sërish i pamjaftueshëm.
“Për shkak të delegimit të kompetencave të reja dhe strukturës së re administrative-territoriale, buxheti i vitit 2016 nuk korrespondon me një rritje neto në burimet e të ardhurave të autoriteteve lokale”, thuhet në raport.
Delegacioni gjithashtu theksoi akuzat e opozitës për dhënie në mënyrë të njëanshme të granteve për financimin e projekteve të veçanta në nivel lokal.
“Transparenca e procesit të dhënies së granteve është një çështje shqetësuese sepse “Fondi i Zhvillimit të Rajoneve” menaxhohet nga qeveria qendrore dhe kështu ajo dyshohet për favorizim politik”, thuhet në raport.
Raporti vë në dukje shqetësimet e opozitës në lidhje me mënyrën se si janë vendosur kufijtë e njësive të reja territoriale dhe thotë se akuzat për manipulim te zgjedhjeve janë hedhur poshtë nga qeveria.
“Megjithatë, disa kufij të qarqeve elektorale janë çuditërisht disi të shtrembëruar (veçanërisht në bashkitë e Tiranës dhe Shkodrës), pa arsye të dukshme empirike”, – thuhet në raport.
Në përgjithësi, raporti e konsideron reformën e pushtetit lokal si në një fazë tranzicioni dhe vështirësie.
“Delegacioni ka marrë raportime mbi probleme të konsiderueshme në tranzicion në bashkitë e reja, – kryesisht prej mungesës së informacionit rreth kompetencave të reja, reduktimit të konsiderueshëm të fuqisë punëtore, pasigurisë buxhetore dhe ngarkesave të trashëguara financiare në nivel lokal”, përfundoi ai.