Interviste2 Oct 2015

Rigels Balili: Luftë papunësisë në Delvinë

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 Qershor 2015, BIRN Albania intervistoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë Delvinë lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët. Më poshtë janë regjistruar premtimet e Z. Balili lidhur me mandatin e tij katërvjeçar.

Delvinë
Printo

Rigelsi Balili | Foto nga : Facebook

Rigelsi Balili | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Delvinës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për të zgjidhur problemin gjatë mandatit tuaj?

Problemi kryesor i bashkisë së re Delvinë dhe Vergo, me 18 mijë e 200 banorë, mbetet uji i pijshëm dhe punësimi. Zbatimi i një projekti që është gati tashmë do të zgjidhë problemin e ujit jo vetëm për banorët e Delvinës që kanë 3 vjet me mungesë të ujit nga burimi i Vrizit. Po duke ndërtuar një rrjet furnizimi me vetërrjedhje nga lumi i Kalasë, që buron nga Tatzati, fshat malor i bashkisë së re, zgjidhet problemi për të gjithë zonën, siç tregojnë dhe parametrat teknikë të projketit.

Ndërkohë për të zgjidhur papunësinë dhe ikjen e moshave të reja nga Delvina kam negociuar me një sipërmarrës grek që ka hapur një ‘call center’ në Sarandë dhe për të punësuar 100 vajza dhe gra dhe 100 burra të moshës 20 deri 25 vjeç. Kam folur me ta dhe mendoj se do të jetë një frymëmarrje për Delvinën. Lidhur me papunësinë kam nisur negociatat për hapjen e një fabrike fasonësh dhe për të kam kontaktuar dhe kam gati një projekt, edhe ky një bashkëpunim me një sipërmarrës të huaj.

Sipas filozofit Dvorkin: Politika ka të bëjë me qëllimet e përbashkëta të shoqërisë apo komunitetit dhe kjo synon përmirësimin e mirëqënies sociale ekonomike dhe politike të komuntitetit në tërësi. Unë gjithmonë kam menduar e punuar për t’i shërbyer njerëzve për t’i lehtesuar atyre vështirësitë dhe problemet. Ky motiv më ka dhënë gjithnjë kënaqësi dhe frymëzim. Eshtë pikërisht kjo që më nxit të merrem me politikë, për të bërë më shumë për qytetin tim, për t’i shërbyer njerëzve dhe për të kontribuar për përmirësimin e jetesës dhe mirëqenies. Mosha më jep mundesinë të jem sa më aktiv, mos të lodhem dhe mos të rëndohem.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore, apo shëndetësore në bashkinë e Delvinës?

Në qendër të çdo veprimi mbetet ligjshmëria, si dhe zbatimi i programit të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Kështu që do të zgjidhet problem i ujit të pijshëm, si dhe do të nxjerr bashkinë nga kolapsi ekonomik ose e thënë ndryshe nga “gropa e zezë” financiare ku e ka zhytur kryetari aktual. Do të nxis punësimin dhe do të favorizoj biznesin duke i ofruar kushte lehtësuese. Po ashtu ndërhyrje do të ketë edhe për zgjidhjen e konflikteve për pronat dhe kullotat, si dhe hipotekimin e tyre. Do të rikonstruktohen rrugë, kanalizimet e ujërave të zeza në qytet dhe fshatrat e bashkisë.

Problem pothuaj në të gjitha fshatrat është infrastruktura. Të paktë janë fshatrat me rrugë të rregulluara disi po jo përfundimisht. Rruga më e keqe është ajo që lidh Delvinën me fshatin Varfaj, për të cilën presim miratimin e projektit për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare.

Rehabilitimi i mjediseve shkollore dhe kopshteve të fëmijëve është pa dsikutim një prioritet. Unë edhe pa menduar për ambicien e kandidimit më parë kam qënë i vëmendshëm ndaj mungesave në infrastrukturën e gjimnazit ku kam mësuar vetë, duke mbështetur financiarisht rregullimin e një pjese të infrastrukturës së degraduar duke investuar 200 mijë lekë. Paralel me rikonstruksionin e shkollave dhe kopshteve ekzistuese, do të mundësojmë ndërtimin e këndeve të lojërave. Delvina nuk ka asnjë shkollë në standarde por ato janë katandisur si mos më keq. Gjithashtu, kam në program rikonstruksionin e stadiumit dhe të fushës së sportit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Delvinë dhe cilat janë ato?

Sot është e domosdoshme një shërbim me një administratë funksionale, në përbërje të së cilës të jenë specialistë të ndershëm e të aftë, të përkushtuar dhe me kredibilitet në komunitet, që të shërbejnë me përkushtim dhe ndërgjegje qytetarëve, që t’iu zgjidhin problemet dhe të jetojnë me hallete tyre.

Kryetari i mëparshëm në këto vite i bashkisë ka ndërtuar një administratë mbi motive njohjeje dhe miqësie, duke larguar nga puna intelektualët dhe specialistët për motive partiake. Policia bashkiake është jashtë detyre ndërkohë që qyteti është i mbushur me ndertime të jashtëligjshme. Konfliktet sociale në qytet janë shtuar nga mosfunksionimi i administratës si administratë që kryen detyra dhe mirëadministron qytetin, por si një administratë rrogëtarësh.

Zbatimi i ligjit ka mbetur vetëm një nocion. Banorët e një qyteti 3 vjet pa ujë të pijshëm vuajnë përpjekjet e pamjaftueshme të bashkisë për t’u ofruar shërbimet. Gjendja e kanalizimeve të ujrave të zeza, të ndriçimit public, të pastrimit dhe gjelbërimit është alarmante. Nuk është zbatuar vendimi i keshillit bashkiak për largimin e antenave të celularëve nga kinoteatri në qendër të qytetit. Futbollistët e ekipit “Bistrica” të qytetit të Delvinës kanë 3 vjet pa marrë rrogën.

Bashkia ka një vit pa paguar detyrimet e energjisë elektrike dhe ujit , ndërkohë që vazhdon të punësojë punonjës jashtë çdo kriteri. Madje në Delvinë është bërë normë trajtimi në mënyrë klienteliste dhe të njëanshme me ndihmë ekonomike, pa u bërë asnjë trasparencë për përdorimin e fondeve, futjen dhe daljen nga lista.

Parimi im është “që t’i gjejmë punës njeriun , dhe jo njeriut punën”. Ky parim do të jetë në qendër të vëmendjes dhe veprimit tim edhe për zgjedhjen e administratorit të Vergoit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Sistematikisht do organizohen takime me popullin për të dëgjuar vërejtjet dhe mendimet e tyre. Ne do t’iu japim atyre llogari për punën e bërë dhe do të marrim në konsideratë dhe do të vëmë në zbatim vërejtjet dhe mendimet e tyre. Do të ketë një bashkëpunim të afërt sistematik me këshillin e qytetit si dhe me partitë politike, përfshirë dhe opozitën në këshillin bashkiak, me organizatat joqeveritare, me biznesin, si dhe me institucionet e tjera për koordinimin dhe realizimin e objektivave të përcaktuara.

Cili është mendimi juaj për ndërtimin e landfillit për mbetjet në fshatin Bajkaj?

Ai do të jetë një gjelbërim i mbrojtur. Të mendosh që në çdo fshat ka konflikte edhe për vendgrumbullimet e plehrave, ndërkohë që kosha nuk ka. Një landfill në parametra bashkokohor që zgjidh problemin e përpunimit të mbetjeve, i jep fund përhapjes së plehrave nëpër territoret e bashkisë dhe fshatrave. Unë do të nis kthimin e shërbimit të pastrimit në shërbim publik dhe jo me firmë private, siç ka qenë deri tani. Aktualisht firma e pastrim – gjelbërimit merr një fond të konsiderueshëm nga bashkia e Delvinës, ndërsa puna e realizuar prej saj është e pakët, me mangësi dhe jo cilësore.

Qyteti i Delvinës ka aktulisht një problem të madh me ndotjen e ujit të pijshëm. Çfarë duhet të presin banorët e qytetit brenda vitit të parë të mandatit tuaj në këtë drejtim?

Zgjidhje përfundimtare është ndërtimi i ujësjellësit nga burimi i Kalasë, projekti i të cilit ka përfunduar. Unë me ekipin e punës, administratën e sektorit të shërbimeve, do të mirëmenaxhojmë përdorimin e ujit duke përmirësuar edhe rrjetin në rastet e amortizimit apo moslejimin e ndërhyrjeve në rrjet pa respektuar hartën e shpërndarjes dhe pa praninë e specialistit të bashkisë.

Delvina ka një larmishmëri minorancash. Çfarë do të bëni gjatë mandatit tuaj për të përmirësuar jetesën e këtyre minorancave si romët dhe egjiptianët?

Delvina dhe banorët e saj kanë një traditë të mikpritjes dhe fqinjësisë, të gjendjes në çdo kohë pranë fqinjit dhe mendoj se përmirësimi i jetës së këtyre minorancave shkon paralelel me gjithë shërbimet që marrin banorët. Natyrisht që do të ketë më shumë trasparencë dhe rregull në shpërndarjen e ndihmës ekonomike, si dhe në ofrimin e vendeve të reja të punës.

Arsimimi i fëmjëve rom dhe egjyptianë është një prioritet bashkë me rritjen e standartit të cilësisë së shkollave. Në jetojmë në harmoni në Delvinë dhe përsa i takon paragjykimeve ato nuk janë aq present në përditshmërinë e banorëve. Njësoj është varfëria apo mungesa e ujit, si dhe trasparenca e nevojshme e shërbimeve për të gjithë banorët.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rigjallërimin e artizanatit në Delvinë?

Artizanati në Delvinë është parë dhe si një mundësi e vetpunësimit në kushtet e shtëpisë nga shumë banorë që sigurojnë jetesën përmes punës së dorës, duke krijuar kështu dhe një treg të ri të punimeve. Bashkia e re do të jetë organizatore e panaireve nxitëse dhe mbështetëse të veprimtarive që reklamojnë punimet artizanale, duke respektuar çdo iniciativë sipërmarrëse me ofrimin e shërbimeve tona. Gjithashtu, do të organizojmë paketa promocioni me punimet nga Delvina përmes dhe suvenireve që do të tregtohen në afërsi të pikave me monumente kulture apo fetare. Artizanati në Delvinë nuk do të mbetet vetëm në kushtet e sigurimit të bukës së përditshme.