Lajm18 Jul 2017

Rrugët pa sinjalistikë burimi kryesor i aksidenteve në Shkodër

Policia e Shkodrës fajëson rrugët pa sinjalistikë për shumicën e aksidenteve të rënda që ndodhin në qark, ndërsa nënvizon se edhe debatet mediatike të krijuara nga viktimat e rrugës nuk kanë përbërë mjaftueshëm shtysë që autoritetet të ndërhyjnë mbi infrastrukturën e amortizuar. 

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

 

Rruga Shkodër- Velipojë pranë hidrovorit të Vilunit | Foto nga : Anila Dushi

Rruga Shkodër- Velipojë pranë hidrovorit të Vilunit | Foto nga : Anila Dushi

Katër të rinj humbën jetën një vit më parë pranë Hidrovorit të Vilunit, në rrugën Velipojë-Shkodër, pasi shoferi, një prej viktimave, nuk mundi të shquante kthesën e pashënuar me tabelë dhe makina përfundoi në kanalin tre metra të thellë.

“Aksidenti i 2 gushtit të kaluar ndodhi natën dhe mjeti vinte nga krahu tjetër pasi do lëvizte në drejtim të Shkodrës, për tu larguar nga Velipoja,” kujton Kolë Zefi, një banor i zonës i cili shtoi se edhe një i ri tjetër kishte humbur jetën më parë në të njetin vend në një aksident të ngjashëm.

“Ky krah akoma nuk ka asnjë tabelë, rruga është me gropa të mëdha dhe pa ndriçim,” u ankuza Zefi.

Aksidenti tragjik i Hidrovorit të Vilunit nuk është rasti i vetëm i aksidenteve për shkak të mungesës së sinjalistikës në qarkun e Shkodrës. Madje, sipas specialistit të qarkullimit rrugor Komisar Maxhun Hajdarit, rrugët e amortizuara të qarkut verior të Shqipërisë mbeten shkaku kryesor i aksidenteve rrugore.

“70% e aksidenteve në Shkodër ndodhin për shkak të infrastrukturës rrugore dhe mungesës së sinjalistikës, e cila edhe aty ku është nuk është funksionale,” tha Hajdari për BIRN.

Hajdari nënvizoi se rasti i Vilunit është tregues i këtij problemi, ndërsa shtoi se rruga që shpie në Velipojë nuk është i vetmi segment me rrezikshmëri të lartë në Shkodër.

“Zonat me rrezikshmëri më të lartë për aksidente janë zonat rurale, por dhe segmentet Shkodër- Vrakë, Shkodër-Postribë, Shkodër-Velipojë, Kryebushat – Vau Dejës, Vau Dejës- Koman,” shtoi ai.

Sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, me shtimin e pronësisë private të makinave gjatë dy dekadave të fundit, numri i aksidenteve me të dëmtuar është rritur në mënyrë eksponenciale në rrugët e Shqipërisë. Vertëm në vitin 2016-të janë regjistruar 2032 aksidente rrugore me të dëmtuar, nga të cilët janë plagosur 2778 persona dhe kanë humbur jetën 269 viktima.[kliko këtu për të dhënat]

Aksidenti ku humbën jetën 4 të rinjë në 2 Gusht 2016-të

Aksidenti ku humbën jetën 4 të rinjë në 2 Gusht 2016-të

Në Shkodër gjatë vitit 2016-të janë regjistruar 133 aksidente nga të cilët 27 persona kanë humbur jetën. Ndëkohë sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër vetëm në 6 muajt e pare të vitit 2017, në këtë qark  janë shënuar 26 aksidente, 11 prej të cilëve me pasojë vdekjen dhe 8 me plagosje të rënda.

Sipas Komisar Hajdarit, përveç infrastrukturës rrugore, aksidentet automobilistike vijnë gjithashtu nga mos zbatimit i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve.

Humbja e kontrollit si rezultat i përdorimit të aparateve celularë në timon, parakalimi i pakujdesshëm, drejtimi i automjeteve nën ndikimin e alkolit ose substancave narkotike, sjellin sipas tij një numër të kosiderueshëm të aksidenteve në rrugët e Shkodrës.

“Vetëm fundjavën e parë të muajit korrik, në Shkodër janë vendosur 140 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve (për përdorim të celularit)  dhe 38 drejtues janë dërguar në komisonin përkatës,” tha Hajdari.

Vdekja e katër të rinjëve në aksidentin rrugor pranë Hidrovorit të Vilunit përfshiu në gusht të vitit të kaluar në një debat me akuza të ndërsjellta Ministrinë e Brendshme, atë të Transporteve dhe Bashkinë e Shkodrës.

Policia deklaroi pas aksidentit se rruga e pashtruar dhe mungesa e sinjalistikës ishin shkak i daljes nga rruga të makinës. Në mënyrë gati ‘demonstrative’, punonjësit e policisë rrugore vendosën tre rradhë gomash në kthesë për të penguar daljen e makinave nga rruga, ku edhe më herët kishin ndodhur aksidente të rënda.

Autoriteti Shqiptar Rrugor e hoqi përgjegjësinë nga vetja duke deklaruar se rruga ishte nën administrimin e Bashkisë Shkodër, e cila nga ana e saj u ankua se i mungonin fondet buxhetore të mjaftueshme për rikonstruksion.

Një vit më vonë në vendin e ngjarjes përveç gomave që u vendosën nga policia është shtuar një pllakë përkujtimore prej familjarëve dhe një tabelë që tregon kthesën vetëm nga njëri drejtim i rrugës, ndërsa fondet e shumëpritura për rikonstruksionin e këtij segmenti të rrezikshëm rruge nuk janë materializuar akoma.

Administratori i njësisë administrative Velipojë Altin Kaçi, i tha BIRN se pasi kishin aplikuar me një projekt për financimin e rikonstruksionit të rrugës pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, FSHZH, mbeteshin në pritje të një përgjigjeje që vështirë se do të vinte brenda viti 2017.

Skena e aksidentit vdekjeprurës në 2 Gusht 2016-të | Foto nga : A. Dushi

Skena e aksidentit vdekjeprurës në 2 Gusht 2016-të | Foto nga : A. Dushi

“Duhet pritur vitit tjetër, sivjet nuk është nisur rikonstruksioni,” tha Kaçi.

Për Kolë Zefin rreziku që i kanoset turistëve në këtë aks rrugor nuk është i vogël.

“Ne vendasit e dimë dhe kemi kujdes kur lëvizim, por në stinën e verës kur  frekuentimi i plazhit është mjaft i madh, ato që vijnë nuk kanë si ta dinë këtë problem,” tha ai, ndërsa shtoi se “duket [se] nuk mjaftojnë 5 të vdekur. ”