Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Korçë?
Zgjerimi i territorit të Bashkisë Korçë dhe përfshirja edhe e njësive administrative në të solli një koncept të ri qeverisjeje dhe administrimi i cili për mua dhe stafin u perceptua si një sfidë. Synimi primar dhe final për ne ishte ai i implementimit të modelit të suksesshëm që ne kishim në Bashkinë e Korçës dhe që padyshim duhet të shtrihej edhe në të gjitha njësitë që na u bashkuan. Duke qenë të gjithë banorët dëshmitarë të ndryshimit që ka pësuar Korça në këto vite, në programin tim isha fokusuar tek një spektër i gjerë ndërhyrjesh dhe ndryshimesh. Për pjesën e fshatrave nga dita e parë e mandatit tim, emergjente ishte ndërhyrja në kanalet vaditës dhe kullues si një pikë themelore për t’ua përmirësuar dhe lehtësuar kushtet e punës fermerëve të cilët prej vitesh përballeshin me këto vështirësi. Janë me dhjetëra kanale të rikthyera në funksion gjatë këtij viti dhe qindra familje fermerë të cilat këtë vit punën e tokave bujqësore e patën më të lehtë dhe të garantuar sa i takon marrjes së produkteve nga kultivimi i kulturave bujqësore dhe pemëtarisë. Një vit më parë kishim programuar edhe ndërhyrjen në fshatrat turistik për të garantuar ruajtjen e vlerave historike e kulturore, por edhe për të ofruar kushte më të mira për turistët. Investimi më madhor i cili po vazhdon të realizohet është ai në fshatin Voskopojë ku edhe me mbështetjen e qeverisë po punohet paralelisht në restaurimin e disa prej kishave, por edhe në rehabilitimin e rrugëve të brendshme të fshatit, shesheve kryesore, ndriçimin etj. Përgjatë këtij viti edhe në qytetin e Korçës nuk kanë reshtur edhe ndërhyrjet madhore në disa pjesë të rëndësishme. Është drejt përfundimit projekti i rijetësimit tek Pazari i Vjetër i Korçës ku pas restaurimit të gjithë godinave ka nisur faza e rivitalizimit përmes së cilës ky ansambël historik do të kthehet në një pol të zhvillimit ekonomik-turistik. Së shpejti edhe Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë do të hapë dyert pas ndërhyrjes rrënjësore që po bëhet atje dhe godina do të karakterizohet nga një fasadë moderne ndërsa interieri i saj vjen me standarde bashkëkohore. Projekti madhor po ashtu i godinës së re të Muzeut të Artit Mesjetar është drejt fundit dhe shumë shpejt atje do të ekspozohet dhe konservohet një nga pasuritë dhe vlerat e qytetit, fondi me mëse 7000 ikona të këtij muzeu. Projekti më i madh që ka nisur që në muajin korrik është rikonstruksioni dhe modernizimi i Shëtitores “Fan S. Noli” që nga Fabrika e Birrës e deri tek ‘Policia e Vjetër’. Financuar nga fondet IPA të Komisionit Europian, kjo ndërhyrje në një nga akset më të rëndësishme të qytetit parashikon asfaltime, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim çka do të bëjë shumë shpejt të mundur kthimin e kësaj rruge në një aks të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik në qytet. Një tjetër pikë për të cilën është punuar fort janë terrenet Sportive që janë shtuar dhe ndërhyrjet për rikonstruksionin e disa shkollave. Në shtator mbi 450 nxënës do të nisin mësimin në ambientet e reja të shkollës 9-vjeçare “Stavri Themeli” ku ne ndërhymë në fasadë, ambientet e brendshme, palestër, oborr, rrethimin me kangjella etj duke e shndërruar këtë shkollë në një institucion arsimor me parametra modernë. Sikundër ishte premtuar në vitin e parë për të rinjtë u hap dhe funksionon Qendra Rinore tek ish- Shtëpia e Oficerëve.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Në 9 vjet qeverisje lokale të së majtës në Korçë, vendimmarrja jonë për çdo ndryshim është bërë duke marrë mbështetjen nga banorët dhe grupet e interesit. Projektet e vazhdueshme dhe planet e zhvillimit kanë qenë të konsultuara në mënyrë sistematike me qytetarët, duke përdorur mekanizma të njohur dhe të rinj për këtë qëllim. Pranë Bashkisë Korçë funksionon prej disa vitesh Komisioni Qytetar, si organ oponent dhe konsultativ për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në qytet. Pas 21 qershorit, ky komision është zgjeruar edhe me përfaqësues nga fshatrat që i bashkohen bashkisë së re. Anketimet me grupet e interesit që preken nga çdo ndryshim si dhe takimet në çdo lagje vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë periodike në mënyrë që të krijohet hapësira e nevojshme për të qenë pranë qytetarëve dhe sa më të hapur me ta. Hartimi i përvitshëm i buxhetit është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet me pjesëmarrjen e banorëve të territorit të bashkisë së re. Me zgjerimin e territorit ku pjesë e Bashkisë Korçë janë edhe disa fshatra të thella malore ne shkojmë në çdo fshat për të dëgjuar nevojat, kërkesat dhe propozimet e banorëve, me qëllim që t’u japim prioritetin e duhur dhe ti orientojmë sa më objektivisht ato.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Vetë qeverisja lokale është një sfidë në vetvete pasi nevojat e banorëve janë të shumta në raport me kohën dhe nga ana tjetër çdokush prej tyre meriton që të marrë vëmendjen e duhur nga kjo qeverisje. Ne kemi nisur punën duke u njohur së pari me kërkesat dhe shqetësimet e banorëve, duke u fokusuar tek më të rëndësishmet në mënyrë që t’i prioritizojmë ato dhe tu japim zgjidhje sa më parë të jetë e mundur. Kalimi i shumë institucioneve në varësinë dhe menaxhimin e Bashkisë ka sjellë vështirësitë e veta por për ne kjo çështje është kapërcyer përmes punës së mirë organizuar dhe bashkëpunimit të stafit i cili ka mirë menaxhuar çdo aspekt të këtyre ndryshimeve.
Sfidë ka qenë edhe krijimi i të njëjtit standard infrastrukturor dhe urbanistik me Korçën për çdo fshat dhe njësi që na është bashkuar por ky proces do kohën e vet dhe ne kemi nisur punën për ti dhënë zgjidhje atyre që kanë qenë ndërhyrjet më emergjente për ta zgjeruar spektrin ku ne parashikojmë të ndërhyjmë gradualisht. Në objektivat e mia kam vendosur që çdo pjesë e Bashkisë Korçë të ketë përmirësime të ndjeshme dhe të ofrojë standarde më të mira jetese për çdo banor.
Pas Korçës e cila prej disa vitesh e ka zgjidhur përfundimisht problematikën e rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, a ka arritur bashkia të ndërhyjë për garantimin e të njëjtit standard me rrjet të rehabilituar kanalizimesh, ujë të pijshëm në çdo fshat? Po në aspektin infrastrukturor a ka pasur gjatë këtij viti rrugë e sheshe të rikonstruktuara?
Në bashkëpunim me UKKO ne kemi bërë evidentimin e situatës ekzistuese kryesisht në sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm si dhe janë hartuar menjëherë projektet paraprake për investimet e domosdoshme në këtë fushë. Kemi aplikuar për financim të këtyre projekteve pranë programit “Ujësjellësa rurale”, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të KFË për 5 projekte në vlerën rreth 2.2 milionë euro dhe jemi në pritje të sigurimit të financimeve për to dhe për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi të trashëguar vit pas viti.
Në aspektin infrastrukturor një numër i konsiderueshëm sheshesh , rrugësh kryesore por edhe rrugë midis lagjeve në disa fshatra janë rikonstruktuar ndërsa aktualisht vazhdon puna për të përmirësuar infrastrukturën në fshatrat të tjerë ku përveç asfaltit, kalldrëmit, gjelbërimit dhe vendosjes së bimësisë dekorative në sheshe punohet edhe për ndriçimin e munguar të tyre.
Menaxhimi i mbetjeve urbane si një situatë alarmante sidomos në fshatrat e ish-komunave, si është trajtuar dhe a është gjetur një zgjidhje konkrete për sistemin e grumbullimit të mbetjeve urbane në të gjitha fshatrat që iu bashkuan territorit të bashkisë së re?
Zgjidhja e problematikave të depozitimit të mbetjeve në ish-komunat ka qenë një nga prioritetet e punës tonë gjatë këtij viti. Jemi përqendruar në aksionet për eliminimin e mbetjeve që kanë qenë të grumbulluara në vite në disa pika problematike të fshatrave, si dhe është bërë kujdes për mënyrën e depozitimit të mbetjeve në pikat e autorizuara. Disa nga këto pika si ato të njësive Mollaj, Drenovë etj, janë mbyllur përfundimisht duke e kaluar depozitimin e mbetjeve në fushën e mbetjeve të Korçës. Ndërkohe jemi duke punuar për të finalizuar projektin e landfillit të Maliqit dhe në fillim të vitit 2017 depozitimi i mbetjeve të Bashkisë Korçë do të bëhet në këtë landfill me standarde europiane.
Pjesë e bashkisë janë bërë edhe disa nga fshatrat më të njohura malore si Dardha, Voskopoja, Vithkuqi etj, si është mbështetur zhvillimi i mëtejshëm i turizmit malor në to dhe a i është kushtuar vëmendje promovimit të vlerave kulturore, kulinarisë dhe elementëve të tjerë që gjenden tek to?
Në vëmendje të veçantë të punës tonë kanë qenë edhe projektet në fshatrat turistike të Bashkisë Korçë. Projekti më madhor është ai i Voskopojës. Ky projekt do ta transformojë krejtësisht Voskopojën duke shtruar të gjitha rrugët me kalldrëm, ndriçimin publik si dhe restauruar disa nga kishat. Ndërhyrje më të vogla, por jo me më pak impakt janë realizuar edhe në Dardhë. Për të promovuar edhe vlerat e zonave të tjera në kemi zhvendosur disa festa dhe aktivitete të cilat ishin kthyer në traditë për Korçën. Aktivitete si festa e lakrorit e cila këtë vit u zhvillua në fshatin Polenë apo Festa e Mollëve e cila do të bëhet në Mollaj etj, janë një mënyrë shumë e mirë për të bërë të njohura dhe për të ngjallur interesin ndaj vlerave që ato bartin.
Si është punuar me fermerët e Korçës për orientimin e tyre lidhur me shfrytëzimin në mënyrë sa më efektive të tokave bujqësore? A ka menduar bashkia t’u vijë në ndihmë edhe sa i takon promovimit të kulturave tradicionale dhe tregtimit të tyre?
Në programin tim elektoral, unë kam prezantuar një kapitull të veçantë dedikuar zhvillimit të fshatit, program i cili parashikon jo vetëm projekte për zhvillimin infrastrukturor, por edhe paketa projektesh dedikuar bujqësisë, punësimit, të rinjve, moshës së tretë, projekte të cilat në kompleks do të bëjnë të mundur që edhe këto zona ku banon gati 30% e banorëve të territorit të bashkisë të hyjnë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, që edhe banorët e këtyre zonave tu hapet një perspektivë e re. Projektet më të mëdha të cilat kanë gjetur zbatim të menjëhershëm në pjesën rurale kanë qenë ato që lidhen me përmirësimin e sistemeve te vaditjes e kullimit te tokave bujqësore. Thuajse në pjesën më të madhe fermerët e bashkisë së Korçës janë përballur me shumë barriera sa i takon infrastrukturës e cila u lehtëson atyre punën ndaj dhe ne kemi bërë vlerësimet e menjëhershme duke përcaktuar edhe prioritetet mbështetur në ndërhyrjet që konsiderohen më emergjente. Në 6 muajt e parë janë pastruar 21 km kanale kullues ndërsa prej muajit tetor e deri në mars të vitit të ardhshëm do të pastrohen 25,6 km. Kemi hasur një situatë të vështirë pasi kemi konstatuar edhe mbeturina të vjetra mbi 20 vjeçare rreth 900 m3 të tilla, por tashmë kjo gjendje është pastruar dhe normalizuar. Ndërhyrje të konsiderueshme janë bërë edhe për rehabilitimin e rrjetit ujitës duke bërë të mundur furnizimin me ujë të tokave në të gjithë territorin që mbulon Bashkia e Korçës. Janë pastruar kanalet, veshur me beton, janë vendosur 166 porta në pritat e shpërndarjes së ujit etj. Kemi filluar edhe ndërhyrjen në rikonstruksionin e rrugëve të parcelave për të lehtësuar aksesin e fermerëve në tokat bujqësore. Deri tani kjo ndërhyrje është realizuar në fshatrat Bulgarec, Dishnicë, Dvoran , Ravonik, Voskop etj dhe do të zgjerohet edhe më tej si një prej kërkesave më të domosdoshme sa i takon shfrytëzimit efektiv të tokës bujqësore nga fermerët e Korçës.
Shumë prej zonave të pasura me pyje janë dëmtuar si pasojë e prerjeve të paligjshme. A ka pasur një plan ndërhyrje për mbrojtjen e tyre dhe a është punuar për rigjenerimin?
Kjo është një prej problematikave më shqetësuese që nga dëmtimet e këtyre sipërfaqeve si pasojë e prerjeve pa kriter e deri tek procesionarja që prej vitesh është një kërcënim i pyjeve të zonës sonë. Veç ngritjes së strukturave dhe punës së vazhdueshme për këtë qëllim kemi projekte konkrete si Rigjenerimi i Parkut Kombëtar “Bredhi i Drenovës” (Bozdoveci), rigjenerimi i të gjitha sipërfaqeve pyjore në bashkinë e re, rigjenerimi i kurorës së gjelbër të Moravës. Gjithashtu do të shtojmë parqet dhe territoret e gjelbëruara edhe brenda qytetit. Kemi bashkëpunuar edhe me institucionet e tjera dhe policinë për ndalimin e fenomenit të prerjes së druve pa leje, në zbatim të moratoriumit. Përveç fazës së transferimit të kadastrës pyjore tek Bashkia Korçë, paralelisht kemi punuar në terren për evidentimin e problematikave si dhe zbatimin e VKM për sigurimin e druve të zjarrit për ngrohje për popullatën. Padyshim që në të ardhmen do të zënë vëmendje të veçantë projektet e ripyllëzimit.
Sa ndërhyrje janë realizuar në infrastrukturën e kopshteve, shkollave, çerdheve dhe qendrave shëndetësore në bashkinë e Korçës?
Pa diskutim të gjitha shkollat e territorit të bashkisë të re do të rikonstruktohen, do të përmirësohen kushtet në kopshte dhe çerdhe sepse ky është një ndër objektivat kryesorë që ndikon në përmirësimin e standardeve dhe zhvillimin e arsimit. Në prag të vitit të ri shkollor janë 66 shkolla, kopshte dhe çerdhe ku është ndërhyrë me rikonstruksione të plota apo të pjesshme sipas nevojave që paraqisnin. Këtë shtator mbi 450 nxënës në Shkollën “Stavri Themeli” në qytet, do të nisin mësimin në shkollën tërësisht të rikonstruktuar ndërsa më herët përfundoi rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare në fshatin Dersnik, Njësia Administrative Voskop. Gjithashtu brenda muajit shtator përfundon ndërtimi i shkollës së Ciklit të Ulët, fshati Marjan, si dhe rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare, fshati Gjonbabas në njësinë Administrative të Lekasit. Në prag të vitit të ri mësimor ndërhymë edhe në të gjitha shkollat me punimet riparuese për të siguruar infrastrukturë sa më të mirë për nxënësit. Gjatë këtij viti dhe në vazhdim kemi punuar edhe për ndërtimin e 15 terreneve sportive të reja në shkollat e bashkisë së madhe. Ndërhyrja në qendrat shëndetësore është një detyrim që ne kemi ndaj banorëve të kësaj bashkie. Domosdoshmëria e krijimit të kushteve optimale për marrjen e shërbimit shëndetësor ka bërë që të evidentojmë rastet më problematike dhe të konkretizojmë ndërhyrjen. Pak javë më parë është përuruar qendra e re shëndetësore në fshatin Kuç i Zi e cila ofron kushte më të mira për kujdesin shëndetësor ndaj banorëve.