Agjencia Kombëtare Mjedisore deklaroi në një letër drejtuar aktivistëve më 23 mars se punimet e shumëdebatuara te parku i kryeqytetit po kryen pa leje mjedisore, por i njëjti institucion dymbëdhjetë orë më vonë e modifikoi deklaratën duke shtuar se sipas mendimit të tyre, punimet në fjalë nuk kanë nevojë për leje mjedisi.
Aktivistët e nismës #PerPubliken dhe #QytetaretpërParkun, iu drejtuan me një kërkesë javën e kaluar Ministrisë së Mjedisit për të pyetur nëse punimet e shumëdebatuara pranë liqenit artificial të Tiranës kishin apo jo leje mjedisi.
Agjencia Kombëtare Mjedisore iu përgjigj kërkesës së aktivistëve të mërkurën duke saktësuar se pranë këtij institucioni nuk ishte bërë asnjë aplikim për “Ndërtim të Projektit Pilot të këndit të lojërave për fëmijë në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës”. (Kliko këtu për të parë shkresën)
Zakonisht ndërtimet duhet të kenë leje paraprake ndërtimi të shoqëruar me leje mjedisore, e cili duhet të jepet në përfundim të një studimi mbi ndikimin në mjedis.
Gjithsesi, mëngjesin e të enjtes, ose vetëm 12 orë pas lëshimit të përgjigjes, Agjencisë Kombëtare Mjedisore, Julian Beqiri deklaroi se punimet e Bashkisë te Parku janë të ligjshme.
“Shtojca 2 te Ligji Nr.10 440, datë 7.7. 2011 Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis nuk e parashikon nevojën e një leje mjedisore projektin “kënd lojërash”, tha për BIRN Beqiri.
“Bashkia Tiranë obligohet të kryejë vetë brenda institucionit një vlerësim të ndikimit mjedisor për projektin e ndërmarrë, por kjo detyrë nuk i takon AKM”, shtoi ai.
Gjithsesi, aktivistët, mes të cilëve ka ekspertë të mjedisit dhe juristë, argumentojnë se qëndrimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është i palogjishëm dhe se Bashkia e Tiranës duhej të pajisej me leje mjedisi para se të prokuronte punimet fizike dhe para se të pajisej me leje ndërtimi.
“Për projektin e këndit të lojërave Bashkia duhej të ishte pajisur me dy leje, së pari lejen mjedisore të tipit C dhe së dyti vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis,” tha për BIRN një nga avokatët pranë aktivistëve.
“Ligji parashikon që parqet tematike duhet të pajisen me vlerësim paraprak të ndikimit në mjedis dhe pavarësisht lojës së fjalëve, këndi i lodrave te parku përfshihet te parqet tematike dhe ka detyrimin të marrë një leje të tillë”, shtoi avokati.
Qëndrimi i tyre mbështetet nga një numër organizatash mjedisore, të cilat kanë eksperiencë të gjatë në Shqipëri.
Organizatat mjedisore joqeveritare argumentuan se Bashkia Tiranë ka shkelur Nenet 23, 48 dhe 56 te Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”; Ligjin nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”; Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”; Ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000 “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” dhe Ligjin nr.10 440, datë 7.7. 2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
Aktivistët e pavarur kanë akuzuar bashkinë për mungesë të transparencës në projektin e këndit të lojërave dhe gjithashtu kanë denoncuar përdorimin e betonit dhe prerjen e pemëve në punimet e Bashkisë.
“Ligji shqiptar parashikon se nevojitet një leje kur ndërhyrja prek ekosistemin dhe përdoret betoni,” tha për BIRN Ardit Mekshiqi, aktivist.
“Ne do të ndërmarrim hapin ligjor të paditjes së Bashkisë Tiranë në gjykatën administrative dhe do t’i dërgojmë INUK një kërkesë për ndalim të punimeve, pasi ato janë të paligjshme,” shtoi ai.
Sipas aktivistit Ervin Goci, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk duhet ta bazojë përgjigjen e saj në planin teorik të bashkisë kur pretendohej se nuk do të priteshin pemët dhe nuk do të kishte shtrim të betonit.
“Ne kemi kërkuar që AKM të reagojë përballë fakteve të reja, ku aktivistët kanë dokumentuar që Bashkia ka prerë pemët dhe po shtron prej disa ditësh beton në park,” tha për BIRN Ervin Goci.
“Këmbëngulim që institucionet përkatëse të ndërhyjnë për ndërprerjen e punimeve të paligjshme dhe gjithashtu ju sigurojmë që protestat kundër këndit të lojërave do të vazhdojnë”, përfundoi ai.
Bashkia nga ana e saj pretendoi se ashtu siç konfirmon edhe kreu i AKM, institucioni nuk ka pasur nevojë të sigurojë një leje mjedisore për të filluar punimet e këndit të lojërave.
Sipas vendimit të datës 12 shkurt 2016 Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për këndin e lojërave të Liqeni Artificial, megjithëse vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e LSI pranë KKT.
Aktivistët e kanë denoncuar projektin si fillimin e urbanizimit të zonës së vetme të gjelbër të kryeqytetit dhe kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve.
Vendimi jotransparent i Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një kënd lojërash me vlerë rreth gjysmë milioni euro në parkun e madh të Tiranës është pritur me protesta të forta nga një larmishmëri aktivistësh ku përfshihen qytetarë, aktivistë mjedisorë dhe studentë, me mbështetjen e herëpashershme të elementëve partiakë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Protestuesit, të cilët thonë se bashkia ka shkelur një mori ligjesh në prokurimin dhe ndërtimin, janë përballur që prej tre javësh me forca të shumta policore të Policisë Bashkiake dhe asaj të Rendit si dhe me pronarë kompanish private. Pas disa protestave në rrugë, një grup aktivistësh kanë një javë që protestojnë vazhdimisht pranë vendit të ndërtimit, nga ku raportohet se një numër i madh betonierësh kanë hyrë dhe dalë duke derdhur beton në një mjedis që përgjatë dekadave të fundit ka qenë pyll në gjendje pothuajse natyrale me pak rrugë për këmbësorët.
Para nisjes së punimeve, bashkia preu një numër të konsiderueshëm pemësh për t’i hapur rrugë objekteve të ndryshme që po derdhen në beton.
Aktivistët janë përballur me heshtje të pazakontë mediatike si dhe me lajme që kanë rezultuar të pavërteta që kanë synuar të dëmtojnë protestën, përfshirë një lajm të rremë se ata kanë dhunuar një pronar kompanie nënkontraktore të punimeve në park.
Gjatë ditëve të fundit, aktivistët i bënë thirrje artistëve, shkrimtarëve dhe përkthyesve, krahas qytetarëve të tjerë që të realizojnë video. Një numër i konsiderueshëm artistësh i janë përgjigjur kërkesës së aktivistëve duke i bërë thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrit Edi Rama që të ndalojnë betonizimin e parkut. Mesazhet e tyre mund të shihen në www.facebook.com/qytetaretperparkun