Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Lezhë?
Nga përvoja e gjatë si drejtues i pushtetit vendor, kam konsideruar kurdoherë se marrëdhëniet me njerëzit, komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, tërheqja e mendimit të tyre janë faktorë vendimtarë në evidentimin e problematikave dhe përcaktimin e prioriteteve, me qëllim angazhimin për t’u dhënë zgjidhje kërkesave imediate dhe për të krijuar një këndvështrim afatgjatë për drejtimet e zhvillimit të Lezhës në vitet e ardhshme. Pas riorganizimit administrativo – territorial dhe përpjekjeve të përditshme për zgjidhjen e problemeve të ngritura gjatë fushatës elektorale, përballemi me pengesa të gjithanshme dhe vështirësi të konsiderueshme për trajtimin e barabartë të qytetarëve, nevojën akute të përmirësimit të shërbimeve ndaj tyre, kontrollin dhe administrimin territorit dhe aspekte të tjera që burojnë nga vartësia e interesave të njerëzve tek Pushteti Vendor. Njësitë e reja vendore përfaqësojnë standard të ri organizimi, kërkojnë nivel të ri angazhimi dhe mentalitet të ri drejtimi. Në përcaktimin e prioriteteve afatshkurtra, mund të përmendim tre premtime të fushatës, të cilat me vënien në rrugën e zgjidhjes po japin impakt pozitiv në çdo familje lezhjane: a.) Një administratë profesionale, e përkushtuar dhe në shërbim te qytetarëve. Bashkia Lezhë me një popullsi banuese prej 134 mijë banorësh, ndarë në 9 Njësi Administrative dhe qytetin e Lezhës që përbën qendrën administrative, është ndër bashkitë e mëdha të vendit, me vlera kulturore e historike, me resurse të njohura turistike, rezerva e mundësi të mëdha zhvillimi me kontribut në ekonominë e vendit. Për këto arsye, vlerësuam që pas riorganizimit territorial i cili do të sillte riorganizimin administrativ, të bëhej një vlerësim objektiv, i saktë, mbi bazë profesionalizmi dhe integriteti të specialistëve dhe punonjësve ekzistues apo të përzgjedhur si pjesë e Administratës, Agjencive në vartësi dhe Njësive Administrative. Duhet theksuar se, me organizimin e ri, delegimin e funksioneve të reja në Njësitë e te Qeverisjes Vendore, rrjedhimisht shtimin e kompetencave të tyre, si dhe zgjerimin e juridiksionit territorial, është bërë e domosdoshme rritja e numrit të të punësuarve me qëllim plotësimin e pritshmërie të qytetarëve, përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre në kohë, me cilësi dhe korrektesë. Integriteti moral, niveli i lartë profesional si dhe përkushtimi ndaj qytetarëve janë elementët që përcaktojnë fillimin dhe vijimësinë e marrëdhënies së punës së specialistëve, bazuar ne legjislacionin në fuqi si atë “Për Nëpunësin Civil”, dhe Kodin e Punës. Riformatimi i Administratës së Bashkisë, ngritja e Agjencive dhe strukturave të tyre, përgatitja e strukturave të Njësive Administrative duke ruajtur sektorët e shërbimeve më të domosdoshme ndaj qytetarëve në Njësi, është bërë brenda kornizave ligjore duke vlerësuar kontributin e specialistëve të mëparshëm dhe respektuar aftësitë profesionale, integritetin moral dhe legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës. b.) Ulje e taksave dhe e tarifave vendore në masën 30%. Viti i 2016 përkon me vitin e parë të hartimit të paketës fiskale në një këndvështrim të integruar. Taksat dhe tarifat vendore duhet të jenë në masë të tillë sa, Bashkia pikë së pari të ofrojë shërbimin, sigurinë e vijimësinë e më tej, taksapaguesi të paguajë për shërbimin e mirë menaxhuar. Duke vlerësuar situatën e biznesit në përgjithësi, dhe marrë në konsideratë rënien e ekonomisë individuale e familjare, kemi parë të arsyeshme që një pjesë e ndjeshme e taksave dhe tarifave vendore të reduktohen në masën 30%. Konkretisht, taksa e ndërtesës është ulur nga 300 lek/m2 në 210 lek/m2; taksa e tokës bujqësore, në të gjitha kategoritë, është ulur nga 200 lek/m2 në 140 lek/m2; taksa e tabelës dhe reklamës është ulur nga 45 000 lek/m2 në 31500 lek/m2. Ky ishte një premtim elektoral i mbajtur i cili do të reflektojë në ecurinë pozitive të biznesit dhe ekonomive familjare. c.)Lezha qytet i bukur, i pastër, i gjelbër, i ndriçuar. Në vitin 2015 në periudhën përpara zgjedhjeve, Lezha u shndërrua në një zonë ku gërmohej, por nuk punohej. U hapën kantiere pune me një prapaskenë politike, që sollën më shumë anomali se sa shërbyen në zgjidhjen e shpejtë të problemeve të qytetarëve. Kjo situatë ishte e para vështirësi me të cilën u përballëm menjëherë pas fillimit të ushtrimit të mandatit. Megjithatë, në më pak se 12 muaj qeverisje efektive, ia dolëm që të sistemonim Njësinë Administrative Lezhë, duke asfaltuar rrugët sidomos në pjesët e dëmtuara nga zbatimi i projektit të Ujësjellësit, duke ndriçuar gjithë zonën si dhe kthyer në identitet, zonat e gjelbra, të cilat i kanë munguar qytetit nga neglizhenca dhe jo pamundësia. Përveç rehabilitimit të lulishteve në Lagjen “Besëlidhja”, bllokun “11 Janari” dhe sistemimit të pjesëve të gjelbra në zonën rreth Katedrales, këtë vit Lezha do të ketë një lulishte të re me sipërfaqe 2000 m2 e kombinuar dhe me 100 vende parkimi, në zonën përballë gjimnazit “Hydajet Lezha”. Theksoj se hapësira boshe në Sheshin ‘Gjergj Kastrioti’ veçanërisht lulishtja në krah të tij, duhet rishikuar me qëllim shtimin e hapësirës së gjelbër të saj. Një shesh i gjelbëruar, është ajo çfarë banorët e Lezhës preferojnë për të kaluar kohën e lirë. Kemi përmbyllur me sukses planin e integruar të menaxhimit të mbetjeve. I ndarë në 3 zona shërbimi, duke grupuar njësitë administrative në 3 grupe, plani i menaxhimit të mbetjeve do të jetë sfida e radhës e kaluar me sukses nga Bashkia, stafi i saj, operatorët dhe qytetarët. Lezha është një qytet i bukur që dallohet për harmoni fetare, diversitetin kulturor dhe etnik në kushtet e lëvizjeve demografike, qe gjithmonë rritet e zhvillohet me ritme të larta. Prandaj, do të jenë në rendin e përparësive, zhvillimi i kulturës e turizmit, ruajtja dhe mirëmbajtja e monumenteve historike dhe natyrës, për t’i vënë ato në shërbim të zhvillimit të turizmit dhe Lezhës së të ardhmes.
Çfarë ka bërë bashkia për sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Duke e konsideruar ushtrimin e pushtetit si interpretim të vullnetit të popullit dhe në interes të tij, deri në fund të mandatit do të punoj duke pasur si alternativë të parë të punëve premtimet e bëra në fushatë, megjithëse kushtet ekonomike, mundësitë e limituara financiare imponojnë ndryshim të përparësive, por pa prekur asnjëherë qëllimin kryesor që gjithçka të bëhet në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve lezhjanë të cilët më kanë votëbesuar dhe u jam mirënjohës pafund. Konsultat me qytetarët, organizimin e takimeve të administratorëve çdo javë në Njësi të ndryshme Administrative, pjesëmarrja e qytetarëve në këto takime janë formë që po aplikohet dhe do të jetë pjesë e metodës sonë të punës pasi sa më kërkues të jenë qytetarët aq më transparente është qeverisja. Aspekt i komunikimit të vazhdueshëm me qytetaret është publikimi në faqen zyrtare të bashkisë të çdo aktiviteti si dhe vendimmarrje. Në kushtet e riorganizimit territorial-administrativ, çdo plan zhvillimi apo zbatimi, çdo projekt i iniciuar nga kushdo, duhet parë në këndvështrim të integruar. Kjo dikton si domosdoshmëri konsultimin me grupet e interesit dhe publikun në përgjithësi në çdo vendimmarrje të Bashkisë. Kjo praktikë është respektuar gjatë diskutimit të Planit të Përgjithshëm Vendor (aktualisht, në fazën përmbyllëse), Strategjia Territoriale (në fazën përmbyllëse), Planit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (gati për zbatim), etj. Shtoj faktin se të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak janë të hapura për qytetarët, grupet e interesit dhe mediat. Zyra e Shërbimit me një Ndalesë, është në dispozicion të qytetarëve të cilët paraqesin ankesat dhe kërkesat e tyre dhe marrin përgjigje nga specialistët menjëherë, dhe brenda afateve ligjore kur kërkohet trajtim teknik, interpretim juridik apo konsultim i specializuar. Së shpejti, Zyra e Shërbimit me një Ndalesë, përveç Lezhës dhe Shëngjinit, do të ketë edhe në Njësitë Administrative Shënkoll e Balldre.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Së pari, theksoj se me vënien në zbatim të planit të integruar të menaxhimit të mbetjeve, Bashkia Lezhë, do ta ketë një problem të superuar me sukses çështjen e pastrimit. Ne Administrimin e një bashkie me një komunitet të konsiderueshëm njerëzish, problematikat janë të shumta, sfidat po ashtu, por do veçoja: Së pari, përfundimi me sukses, i Planit të Përgjithshëm Vendor për Lezhën, zonat përreth, Shëngjinin dhe hartimin e Strategjisë Territoriale për gjithë Lezhën si një ndër zonat më të populluara të vendit me resurse të jashtëzakonshme që rritet e zhvillohet dhe është ndër trevat rrezatuese për historinë, kulturën, qytetarinë, njerëzit dhe peizazhin që e rrethon. Së dyti, Lezha, së shpejti do te jetë një atraksion dhe destinacion turistik në të gjitha stinët e vitit. Lezha tashmë përfaqëson një model të konsoliduar të turizmit elitar bregdetar si dhe ka të zhvilluar turizmin malor, arkeologjik, historik, kulturor, fetar e gastronomik. Për këtë arsye, me një promovim bashkëkohor brenda dhe jashtë vendit, me një përkushtim serioz të të gjithë faktorëve dhe aktorëve në shërbim të turizmit, Lezha së shpejti do të përbëjë një paketë turistike shumë dimensionale dhe të suksesshme. Së treti, përqendrimi i forcave e shfrytëzimi i mundësive dhe kushteve të favorshme për zhvillimin e bujqësisë si dhe ekonomisë në përgjithësi do të jetë objekt i punës së agjencive dhe specialistëve të bujqësisë të cilët tashmë janë funksion prioritar i pushtetit lokal. Që këtë vit megjithëse me fonde dhe mjete të kufizuara kemi filluar ndërhyrjet në kanalet kulluese e vaditëse me qëllim, eliminimin e përmbytjeve, që mbeten një tjetër sfidë për Bashkinë e Lezhës, për kushtet gjeografike të zonës që ndodhet pothuajse në nivelin e detit. Në kushtet kur infrastruktura shkollore trashëgon probleme të theksuara, ndërhyrjet imediate në infrastrukturën shkollore, sidomos ndërtimi i kopshtit dhe çerdhes së qytetit, janë sfidë që do përballuar, në shërbim të fëmijëve që përfaqësojnë të ardhmen dhe kërkojnë përkushtim si drejtues i pushtetit vendor dhe si prind.
Lezha ka problem, pasi nuk ka parkingje dhe kryesisht në verë bëhet një kaos i vërtetë. Si keni menduar ta zgjidhni ketë problematikë?
Çështja e vendeve të parkimit të automjeteve është realisht problem për Lezhën. Me sistemimin konformom ligjit të hapësirave publike, të zonave në mes të lagjeve, është arritur një përmirësim i cili kërkon edhe mirëkuptimin qytetar me gjithë problemet që janë krijuar. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, ka shpallur fitues projektin e Bashkisë Lezhë “Lulishte dhe parking përballë Gjimnazit “Hydajet Lezha”, në lagjen kryesore, për t’i dhënë jetë lulishtes me sipërfaqe 2000 m2 dhe parking me mbi 150 vende në një ndër zonat më të populluara të qytetit. Gjithashtu rikonstruksioni total i rrugës “Shtraus” ka bërë të mundur shtimin e një korsie parkimi dhe lehtësimin e trafikut në qytet. Përfundimi i projekteve të rrugëve në bllokun 11.2 ha, ka bërë të mundur shtimin e vend-parkimeve dhe lehtësimin e lëvizjeve në qytet. Ndërkohë, në prag të sezonit turistik, me qëllim lehtësimin e trafikut në zonën e Shëngjinit, Bashkia ka ndërhyrë duke zgjeruar, sistemuar dhe asfaltuar rrugën Sakë-Kune në drejtim të Antag-ut duke siguruar një hyrje të re në drejtim të plazhit.
Keni premtuar asfaltimin e rrugës së Torovicës dhe zgjidhjen e problemit të përmbytjes në këtë zonë. Aktualisht 5 mijë banorë të kësaj zone janë të izoluar nga mungesa e rrugës, ndërsa toka nuk jep rendiment, pasi përmbytet. Pse nuk është ndërhyrë?
Zona e Torovicës përbën zonën me problemet më të thella në Bashkinë Lezhë. Si e tillë, ka vëmendjen më të madhe për asfaltimin e rrugës së shkatërruar. Theksojmë se kjo rrugë është rrugë nacionale dhe nuk është në inventarin tonë. Megjithatë, Bashkia Lezhë ka aplikuar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projektin e asfaltimit të rrugës Balldre-Torovicë-Bent, në një gjatësi 19400 m. Në rast të një përgjigje negative, me mundësitë e saj Bashkia Lezhë do të bëjë një rikonstruksion të kësaj rruge që është shqetësim për banorët e zonës dhe turistët që lëvizin nga Lezha dhe zonat e tjera për në Velipojë. Me delegimin e kompetencave në fushë të vaditjes dhe kullimit, tharja e Kënetës së Torovicës do të jetë prioritet me qëllim ndalimin e përmbytjes së tokës, që sjell pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë e banorëve të asaj zone që administrojnë një ndër fushat më pjellore të vendit.
Ujërat e zeza të qytetit derdhen të gjitha në lumin Drin dhe më pas në det. Kur do zgjidhet ky problem?
Problemet e KUZ dhe largimi e ujërave nga qyteti janë të trashëguara dhe burojnë edhe nga fakti se qyteti i Lezhës është rritur shumë në vitet e fundit dhe në ndërtimet e reja nuk janë ruajtur kondicionet urbane dhe nuk janë mbajtur parasysh kërkesat ligjore për rrjetin inxhinierik nëntokësor. Zgjidhja përfundimtare nuk mund të arrihet menjëherë pasi kërkohet kohë, studime dhe burime financiare të konsiderueshme që Bashkia nuk mund t’i sigurojë. E vërteta është se një pjesë e ujërave të zeza dërgohen në impiantin e ngritur për këtë qëllim në Sakë, zonë në mes Lezhës e Shëngjinit e ngritur për të dy qytetet. Kjo ende nuk realizohet për të gjitha lagjet e Lezhës për arsye të mundësive financiare apo problemeve të tjera. Kjo do të mbetet në projektet tona me qëllim zgjidhjen përfundimtare e cila do të vijë edhe në kushtet e përfundimit e ujësjellësit dhe kalimit të tij në pronësi të Bashkisë dhe pas marrjes në administrim ai do të ketë edhe sektorë të posaçëm për mirëmbajtjen e KUZ dhe ujërave të bardha në qytet.
Në plazhin e Shëngjinit ka mungesë të hapësirave publike në plazh. Pse nuk është respektuar ligji dhe e gjithë vija bregdetare është zaptuar nga privatë?
Menaxhimi korrekt i plazheve të Shëngjinit, Tales, Kune-Vainit dhe Ranës së Hedhun, është kryefjala e angazhimit të Bashkisë Lezhë në prag dhe në vijim të sezonit. Lezha ka një vijë bregdetare prej 27 km nga Rana e Hedhun në kufi me Rrjollin deri në grykëderdhjen e lumit Mat, prej të cilave 21 janë plazh në shërbim të qytetarëve. Nga Task-Forca e ngritur për administrimin e plazhit të Shëngjinit është respektuar raporti plazh privat 80%-; plazh publik 20% si dhe çdo kërkesë tjetër e përcaktuar sipas Vendimit nr. 369 datë 18.05.2016 “Për miratimin e Rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së Stacionit të Plazhit”. Respektimi i kërkesave të Rregullores së lartpërmendur, pastrimi në vijimësi i rërës dhe menaxhimi korrekt i mbetjeve, ndriçimi, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, zgjerimi dhe sistemimi përfundimtar i rrugës drejt Antag-ut, sigurimi i rendit dhe qetësisë dhe shërbimit shëndetësor, do të bëjnë që në këtë sezon turistik të jemi sa më afër pushuesve dhe shohim më tej drejt realizimit të objektivave mbi turizmin.
Keni premtuar ujësjellës dhe kanalizime të ujërave të zeza, por në disa fshatra si dhe në Shëngjin vijojnë të jenë problem. Kur do të nisin këto investime?
Premtimi ynë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e ujësjellësve si dhe pastrimin e sistemimin përfundimtar të kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetet Lezhë dhe Shëngjin dhe në zona të tjera dhe qendra administrative janë në proces studimi, projektimi dhe planifikimi. Problemet kryesore të Bashkisë në sektorin e ujësjellësve dhe KUZ si; rikonstruksioni i ujësjellësit të fshatit Piraj, ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Troshan, kanalizimi i ujërave të zeza dhe zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm në Njësitë Administrative Shëngjin, Balldre, Dajç rikonstruksion i ujësjellësit Kalivaç-Gjobardhaj, ndërtimi i ujësjellësve të rinj për fshatrat Spiten, Markatomaj dhe Zejmen, janë projektet që kërkojnë kohën dhe burime të konsiderueshme financiare. Për këto po punojmë për të tërhequr investime nga donatorë të ndryshëm pasi mundësitë tona janë të kufizuara. Në muajin qershor, Këshilli i Bashkisë miratoi Buxhetin e Bashkisë për vitin 2016, i cili me gjithë kufizimet për shkak të nivelit të ulët të grantit është një mundësi që po e shfrytëzojmë që të konkretizojmë premtimet tona. Nisur nga përvoja në administrim të pushtetit vendor, me gjithë kushtet jo të favorshme financiare që na imponohen, kam besim dhe kam provuar se ia kam dalë duke gjetur rrugë e shfrytëzuar çdo mundësi për plotësimin e pritshmërive të qytetarëve të Lezhës. Megjithatë, duke qenë i bindur në administrim korrekt të të ardhurave të Bashkisë, në një ofrim të investitorëve të huaj si dhe në një trajtim objektiv, me paanshmëri politike nga pushteti qendror, jam optimist se do ia dalim të zgjidhim me sukses çdo problem dhe të konkretizojmë çdo projekt për Lezhën.
Rrugët e qytetit Lezhë duke përfshirë edhe zonat periferike, vijojnë të jenë të shkatërruara që prej nisjes së punimeve të ujësjellësit. Kjo situatë vijon prej një viti. Pse nuk janë riparuar?
Në prag fushate, për qëllime elektorale, Lezha u shndërrua në një zonë ku hapeshin e mbylleshin gropa e kanale, ku ishte e pashmangshme që punimet e pakontrolluara dhe zbatuara pa një plan konkret, të mos e jepnin pasojën në muajt e parë të pas zgjedhjeve vendore. Ne pothuaj 12 muaj qeverisje, të cilën me gjithë vështirësitë e fillimit, problemeve të akumuluara dhe domosdoshmërisë së administrimit dhe kontrollit të të gjithë territorit të Bashkisë, e konsideroj efektive, kemi arritur të sistemojmë dhe asfaltojmë rrugët brenda qytetit, të lidhim çdo lagje, të shtrijmë ndriçimin kudo dhe t’u kthejmë qytetarëve hapësirat e gjelbra duke synuar zgjerimin e tyre në muajt në vijim. Infrastruktura e qytetit dhe veçanërisht në lagjet periferike ka gjithmonë nevojë por kjo do të bëhet në kohën e duhur me cilësinë e kërkuar dhe në mënyrë sistematike pa prishur qarkullimin në qytet dhe qetësinë e qytetarëve.
A ka aktualisht shërbim pastrimi dhe të heqjes së mbeturinave në të gjithë territorin e bashkisë Lezhë, përfshirë bregdetin apo shërbimi vijon të jetë i kufizuar vetëm në qytete?
Aktualisht, çdo njësi administrative e Lezhës është e mbuluar me shërbim të pastrimit. Megjithëse ende funksionon shërbimi i pastrimit i rregulluar sipas ndarjes së vjetër territoriale, nuk ka pasur neglizhim të asnjë zone dhe operatorët qëndrojnë korrekt në zbatimin e kontratave. Me qëllim unifikimin e shërbimit të pastrimit për një menaxhim sa më korrekt dhe efektiv të mbetjeve, kemi hartuar Planin e Integruar të Menaxhimit të Mbetjeve. Për lehtësi implementimi, Bashkia Lezhë është ndarë në 3 Zona Shërbimi, duke grupuar Njësitë Administrative sipas afërsisë territoriale dhe frymës së zhvillimit. Shumë shpejt, presim të vihet në zbatim plani i ri i integruar i menaxhimit të mbetjeve, i cili besojmë se do t’i përshtatet më së miri kërkesave të Lezhës, si një zonë turistike elitare, shumë dimensionale. Për sezonin e verës, Bashkia ka kontraktuar punonjës me kontratë të përkohshme pune në zonat bregdetare në plazhet e Shëngjinit dhe Tales dhe po ndjekim përmes një Task-Force të posaçme me policinë bashkiake dhe IVMT të gjithë problematikën që nga pastërtia në plazhe, ruajtja e qetësisë publike, ndalimin e zhurmave, forcimin e kontrollit të ushqimit dhe deri në kontrollin e pikave të shitjes së gazit për të rritur sigurinë e jetës së qytetarëve dhe turistëve që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në plazhet e Shëngjinit dhe Tales. Bashkia e Lezhës dhe Njësitë Administrative Shëngjin e Shënkoll ofrojnë gjithçka në këtë sezon turistik për pushuesit vendas apo të huaj, një qytet të pastër e mikpritës, kushte të mira akomodimi për turistët, rërën e pastër, çmime konkurruese dhe mbi gjithçka njerëz mikpritës dhe bujarë.