Z. Ismaili, cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë te drejtimit të bashkisë Vorë?
Gjatë vitit të parë të këtij mandati do të vlerësoja si arritje shërbimin qytetar sipas standardeve më të mira, duke e implementuar këtë shërbim edhe në dy njësite administrative Prezë dhe Bërxull. Është vendosur standardi i një komunikimi të mirë, i krijimit të një klime miqësore ndërmjet administratës dhe qytetarëve ku pritja e qytetarëve, zgjidhja në mënyrë sa më të shpejtë e problemeve, brenda kuadrit ligjor, ka qenë dhe do të jetë një mision i rëndësishëm në punën e bashkisë. Është synuar në mënyrë të vazhdueshme krijimi i një administrate e cila të përcjell vlera njerëzore dhe qytetare kudo, ku roli i qytetarit të jetë parësor dhe ku ai të shohë tek institucioni i bashkisë zgjidhjen e halleve dhe problemeve për të cilat bashkia është kompetente. Një premtim tjetër i realizuar gjatë vitit të parë të këtij mandati ka qenë dhe hartimi i planit të përgjithshëm vendor, PPV, si dokumenti që përcakton kushtet për zhvillimin e territorit përmes lejeve të ndërtimit duke bërë të mundur zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Po kështu, ka përfunduar procesi i hartimit të projekteve të investimeve në infrastrukturën publike për të gjithë territorin e bashkisë dhe kanë filluar procedurat për zbatimin e tyre. Një tjetër arritje do të përmendja formatizimin e regjistrit të aseteve publike në pronësi të bashkisë, duke synuar rritjen e të ardhurave të bashkisë, nëpërmjet përdorimit eficent të tyre, por në thelb duke synuar progresin, zhvillimin, mirëqenien e komunitetit të bashkisë.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Në lidhje me pjesëmarrjen e qytetareve dhe transparencën gjatë këtij viti, është punuar në drejtim të përditësimit të programit të transparencës, përditësimit të informacionit publik në faqen e bashkisë në internet. Gjithashtu, në çdo proces që parashikon pjesëmarrjen e qytetarëve, bëhet njoftimi publik online në faqen e bashkisë dhe në stendat e informimit publik. Bashkia Vorë është e hapur për qytetarët dhe në mënyrë të vazhdueshme merr opinionin publik të qytetarëve nëpërmjet dëgjesave, konsultimeve publike, anketimeve etj.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Vlerësojmë së tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia janë: ofrimi dhe sigurimi i shërbimeve në territorin e bashkisë me standarde të larta dhe me të njëjtën cilësi, si dhe në respektim te parimeve të ligjshmërisë, mos diskriminimit, objektivitetit, transparencës dhe proporcionalitetit; Përdorimi i burimeve natyrore, si zanafillë e progresit me baza të shëndosha, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të agrikulturës dhe strehimi social.
Z. Ismaili, keni deklaruar se punësimi është një ndër shqetësimet kryesore në Bashkinë Vorë. Një ndër premtimet tuaja ishte ngritja e departamentit të punësimit i cili do të merret me punësimin si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. A është ngritur ky departament, dhe sa është numri i të punësuarve, që ju keni mundur të realizoni gjatë këtij viti të mandatit tuaj?
Në vizionin dhe misionin tim, një nga alternativat e mia ka qenë dhe do të jetë punësimi. Për këtë vit kemi marrë disa hapa me qëllim rritjen e punësimit si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat. Zgjidhja e problemeve është që bashkia me politikat e saj të krijojë sa më shumë vende pune. Në këtë drejtim pranë Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë atashuar 3 punonjës, të cilët nëpërmjet kontaktimeve me subjekte private që ushtrojnë aktivitet në territorin e bashkisë, mundësojnë punësimin në sektorin privat. Gjithashtu, nëpërmjet zbatimit të politikave lehtësuese të bashkisë që lidhen me aplikimin e taksave me një nivel shumë më të ulët, krahasuar me taksat në dy bashkitë më të mëdha, bashkinë e Tiranës dhe në bashkinë e Durrësit, konkretisht taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e truallit dhe pasurisë, ka bërë që shumë investitorë vendas dhe të huaj të shprehin interes për të ushtruar aktivitet në territorin e bashkisë së Vorës duke çuar kështu edhe në rritjen e punësimit në sektorin privat.
Gjithashtu, në politikat tona ka qenë edhe punësimi i brezit të ri. Në administratën e bashkisë dhe dy njësitë administrative Prezë dhe Bërxull janë punësuar mbi 90 persona. Punësimi do të vazhdojë të jetë prioritet edhe në vazhdim dhe themi se në muajin shtator të këtij viti do të ngrihet dhe Departamenti i Punësimit dhe Rinisë duke i dhënë një dimension akoma më të madh punësimit, sidomos punësimit në sektorin privat të të rinjve që mbarojnë studimet e larta por edhe shumë specialisteve të profesioneve të ndryshme.
Infrastruktura rrugore dhe ujësjellësi janë identifikuar nga ju, si çështjet më problematike në Bashkinë Vorë. Gjatë vitit të parë të këtij mandati, cilat janë projektet që ju keni miratuar për të përmirësuar këtë sektor? A ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe puseve të reja të ujit në Vorë, Bërxull dhe Prezë?
Bashkia e Vorës, është ndër më të mirat në drejtim të kryerjes së investimeve. Rreth 60% e buxhetit është planifikuar për kryerjen e investimeve në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës, arsim, bujqësi etj. Bashkia është në pikun e saj të investimeve dhe gjithashtu vazhdon hartimi i një sërë projektesh në të cilat do të investojë në vitet në vazhdim . Kemi përfunduar një sërë projektesh në infrastrukturën rrugore dhe shume shpejt fillon puna brenda muajit gusht të këtij viti për kryerjen e një sërë investimesh të mëdha si:rruga Kodër –Bërxull , një investim me parametra europiane që zgjidh një problem të madh të kësaj zone. Rikonstruksioni i rrugës së Urës së Limuthit , që është në njësinë administrative Bërxullë, është investim i cili do t’i japi një dimension modern europian kësaj zone. Aktualisht kjo rrugë është shumë e dëmtuar dhe përbën pengesë për një qarkullim normal të mjeteve. Është bërë pastrimi dhe rehabilitimi i lumit Lanë, Bërxullë, Domje, e cili ka qenë një problem shqetësues për zonën në të cilën shtrihet. Është bërë kanalizimi i ujërave të zeza në disa lagje në Domje. Puna vazhdon me një sërë projektesh të tjera në infrastrukturën rrugore dhe ujore. Brenda një viti janë tejkaluar objektivat në këtë drejtim . Aktualisht vazhdon puna për ndërtimin e një depo uji 600 m3 në Kodër Bërxull. Në lidhje me ujësjellësin, aktualisht bashkia Vorë nuk ka atribut ligjor të investojë në ujësjellës. Nga ana jonë është kontaktuar disa herë me Ujësjellës Kanalizime Tiranë, e cila ka në përdorim rrjetin e ujësjellësit, për të filluar investimet në këtë sektor, por deri më tani UKT –ja nuk është treguar e gatshme që ujësjellësi të kalojë pranë Bashkisë Vore. Për njësitë Bërxullë dhe Prezë po nisim një sërë projektesh që të finalizojmë furnizimin normal me ujë të qytetareve.
A ka përfunduar rikonstruktimi dhe asfaltimi i të gjithë rrugëve dytësore dhe tretësore në qytetin e Vorës, si në lagjen e re Vorë, Kodër –Vorë, Marikaj, Lagje Dunga, Marqinet 1 dhe Marqinet 2, Shargë, Mucaj, Gjokaj, Picar –Dedej dhe Kuc?
Në lagjen e re Vore është lidhur kontrata e zbatimit me subjektin e kontraktuar dhe është në zbatim projekti me objekt, sistemim asfaltim i rrugëve të brendshme në lagjen e re Vorë. Në kodër Vorë projekti i rikonstruksionit të rrugëve është në përfundim të punimeve. Në fshatin Marikaj dhe lagjen Dunga janë lidhur dy kontrata zbatimi për rrugët Allcaushaj dhe atë të Toptanëve, në fshatin Marikaj. Në Marqinet 1 dhe Marqinet 2 janë lidhur kontrata zbatimi për dy segmente rrugore ndërsa në fshatin Shargë është lidhur kontrata rikonstruksionin e rrugës Pavarësia. Në fshatin Muçaj dhe Gjokaj ka përfunduar rikonstruksioni i rrugëve të brendshme, si rruga e zallit të Gjokajve, Rruga Pylli Balliut, Rruga Shehelerve, dhe Rruga Arave.
A ka përfunduar rikonstruksioni i rrugëve në fshatin Domje Prezë-Kala, Palaq, Gjec-Kodër, Gjec-Fushë e Ahmetaq?
Aktualisht jemi në momentin e lidhjes së kontratës për sistemimin dhe rikonstruksion të rrugës se fshatit Gjec-Fushë. Për segmentet e tjera po projektohen projektet e zbatimit dhe shumë shpejt do të financohen edhe ato.
Keni premtuar një epokë e re ndryshimi në Bërxull, çfarë projektesh keni realizuar aty?
Po, kemi premtuar një epoke të re ndryshimi dhe transformimi në Bërxullë dhe kjo po bëhet realitet në disa drejtime. E para – shërbimi qytetar. Kemi ngritur një administrate , ku rregulli, disiplina, përkushtimi për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve është parësore. Një pjesë e madhe e investimeve në infrastrukturën rrugore janë përqendruar në fshatin Bërxull. Aktualisht është lidhur kontrata e zbatimit për sistemimin e rrugës në Kodër Bërxull dhe shumë shpejt do lidhet edhe kontrata e zbatimit për sistemimin e Rrugës Ura e Limuthit – Qendër Bërxull. Gjithashtu fshati Bërxull është pjese e kontratës se Shërbimit të Pastrimit te zonës së Bashkisë Vorë.
Gjatë këtij viti të mandatit tuaj si kryetar i Bashkisë Vorë, a janë lehtësuar procedurat për dhënien e lejeve të serave, stallave apo ndërtesave te tjera që janë në funksion të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë? Ç’farë konkretisht?
Në lidhje me këtë, vlen të përmendim se referuar akteve ligjore dhe nënligjore janë thjeshtuar procedurat për dhënien e lejeve të serave, stallave apo ndërtesave të tjera që janë në funksion të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë. Konkretisht, të gjitha kërkesat për lejë dhe deklarimet paraprake me funksion bujqësor apo blegtoral janë trajtuar me procedure të përshpejtuar duke ulur kështu kohën nga aplikimi deri në miratimin e lejes.
Keni premtuar se projekti juaj për vitet, 2015-2019, është ai i qeverisjes së Bashkisë Vorë me taksa të ulëta e kushte lehtësuese për biznesin e vogël dhe të madh. Çfarë taksash keni ulur dhe çfarë masash keni ndërmarrë Ju për krijimin e kushteve sa më lehtësuese për biznesin në bashkinë tuaj?
Bashkia e Vorës ka qenë pjesë e ndryshimeve të ndarjes se re territoriale për vitin e parë fiskal. Në këtë drejtim është punuar për evidentimin e saktë të subjekteve taksapaguese dhe njehsimin e taksave dhe tarifave edhe për dy njësite administrative Prezë dhe Bërxull. Bashkia e Vorës ashtu sikurse përmenda më lart, ka nivelin me të ulët të taksave, krahasuar me dy bashkitë kryesore fqinje, Bashkia e Tiranës dhe ajo e Durrësit. Për vitin e ri fiskal do ndërmarrim një sërë masash të cilat do bëjnë të mundur uljen e taksave dhe tarifave duke synuar tërheqjen e investitorëve, rritjen e punësimit, zbutjen e varfërisë në territorin e bashkisë.