Investimet publike të papaguara dhe faturat e energjisë elektrike ndër vite i kanë kushtuar shtrenjtë bashkisë së Lezhës, llogaritë bankare të së cilës janë nën sekuestro prej tre muajsh. Borxhi i mbartur ndër vite kap vlerën e 4 miliardë lekëve-ndërsa zyrtarët e Bashkisë ankohen se e kanë të pamundur t’i shlyejnë detyrimet përnjëherësh.
Nënkryetari i bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi i tha BIRN se pjesën më të madhe të borxheve e zënë faturat e papaguara të energjisë dhe punët publike, të cilat nuk janë likujduar.
“Rreth 4 miliard lekë është borxhi i trashëguar në Bashkinë e Lezhës. Aftësia paguese e bashkisë nuk ka qenë dhe ne kemi propozuar që të ndahet në këste për t’i paguar. Jemi në proces gjyqësor dhe presim atë çfarë do të vendosë gjykata,” tha Hafizi.
Një zë të rëndësishëm në portofolin e borxheve zë ish-komuna e Shëngjinit-sot njësi administrative e bashkisë së Lezhës. Ndërtimi në rrugën e Kunes u bë pa realizuar shpronësimin e banorëve, të cilët fituan së fundmi një betejë ligjore me bashkinë dhe siguruan një urdhër sekuestroje ndaj llogarive të saj bankare. Paralelisht me mungesën e shpronësimeve, ish-komuna e Shëngjinit i ka lënë në derë bashkisë kostot e papaguara të shëtitores së qytezës. Burimet zyrtare i thanë BIRN se vetë bashkia e Lezhës ka miliona lekë borxhe për investime të kryera në mungesë të parave.
Bllokimi i thesarit të bashkisë së Lezhës ka krijuar ngërç në aktivitetet e saj të përditshme si dhe ka krijuar probleme me shërbimet ndaj qytetarëve. Firmat kontraktore që merren me gjelbërimin dhe pastrimin e qytetit vazhdojnë të mos paguhen prej muajsh.
Nënkryetari Hafizi thotë se bashkia operon aktualisht me vështirësi të shumta, ndërsa ritmi i punës ka rënë për shkak të mospagesave.
“Kjo na ka vënë në vështirësi, pasi firmat që kryejne shërbime nuk janë paguar prej disa muajsh… Detyrimisht, kur nuk paguhen bie dhe ritmi i punës. Shpresoj që këtë sitiatë ta zgjidhim sa më shpejt,” shton Hafizi.
Të ardhurat e mbledhura gjatë vitit 2016 kanë bërë të mundur shlyerjen e 25 për qind të borxheve të bashkisë së Lezhës. Për të zgjidhur ngërçin e krijuar, Bashkia ka hapur proces gjyqësor kundër sekuestrimit të llogarive, duke kërkuar që borxhet t’i paguajë me këste. Tashmë do të jetë gjykata që do të thotë fjalën e fundit, ndërkohë që bllokimi i veprimeve financiare ka shkaktuar tanimë probleme në ofrimin e shërbimit për qytetarët e Lezhës.