Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Lushnjë?
Reforma Territoriale që u votua me fitoren e Partisë Socialiste në Bashkinë Lushnjë ishte sfida e parë që ne përballuam. Ndërtimi dhe funksionimi i një strukture që duhet të drejtonte një territor disa herë më të madh duke i shërbyer një popullsie gati 3-fish i asaj ekzistuese në shërbime kërkonte një administratë profesionale, eficente. Gjashtë mujori i dytë i vitit 2015 ishte periudha e krijimit të kësaj strukture që do të zbatonte programin për të cilin ne u votuam në Qershor 2015.
Vizioni im për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Bashkisë Lushnjë mbështetet në tre programe. Në vitin e parë të qeverisjes ne kemi hedhur bazën për zbatimin e këtyre programeve. Bashkia Lushnjë është në përfundim të Planit të Përgjithshëm Vendor i cili do të përcaktoj zhvillimin e qendrave urbane dhe infrastrukturën mbështetëse si dhe përdorimin e tokës. Po kështu Bashkia Lushnjë ka miratuar Planin e Tranzicionit për sh.a “Ujësjellës-Kanalizime”. Ajo ka vënë në eficencë 202.5 km kanale të dyta dhe të treta duke mbështetur fuqimisht fermerët për fushatën e ujitjes të sezonit të verës.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Një bashki më e madhe do të thotë më shumë qytetarë të angazhuar në punë, por edhe detyrim më i madh moral, ligjor dhe qytetar për llogari-dhënie, se si shpenzohen taksat e qytetarëve, më shumë detyrim për të vjelur mendimin e tyre për një qytet të mirë shërbyer. Buxhetimi me pjesëmarrje në fillim të vitit 2016 u shoqërua me dëgjesa publike në 10 Njësitë Administrative, territoret e ish-komunave. Komisioni vendor qytetar u zgjerua me përfaqësues të territoreve të reja të Bashkisë Lushnjë të cilët janë jo vetën profesionistë në fusha të ndryshme, por janë edhe përfaqësues të komuniteteve ku ata jetojnë. Në bashkëpunim me PLGP/USAID dhe Institutin Shqiptar të Shkencave kemi prezantuar dy platforma për të promovuar një buxhet transparent në Bashkinë Lushnjë. Platformat janë: Monitorimi i Thesarit-Monitorimi Shpenzimeve dite pas dite. Si dhe – Money – Maping (Harta e Parave). Kështu nëpërmjet faqes on-line të bashkisë, qytetarët e thjeshtë mund të informohen se si shpenzohen të ardhurat e administratës vendore.
Cilat janë 3-sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni?
Kemi shumë sfida me të cilat po përballemi, por më kryesoret janë reformimi i administratës në përshtatje me shërbimet që kjo administratë do të kryejë: Front Office me Njësitë Administrative, Back office në strukturën qendrore, shërbim me një ndalesë me Bashkinë Qendër.
Sfidë kryesore dhe e rëndësishme është edhe Realizimi i Planit të Tranzicionit për Ujësjellës-Kanalizime sh.a, kjo bashkëlidhur fort me Reformën Kombëtare të Ujit. Sfidë ngelet edhe eficensa në mbledhjen e të ardhurave vendore duke ndërgjegjësuar qytetarët për detyrimet që ata kanë ndaj pushtetit vendor në taksa të pronës, të truallit, në tarifat e pastrimit etj. Të tria këto sfida janë pjesë e programit të punës së çdo drejtorie ato ndiqen dhe raportohen në vijimësi.
A keni realizuar premtimet tuaja për ndërhyrje në infrastrukturë rrugore, godinat shkollore shëndetësore për vitin e parë të mandatit tuaj?
Përveç realizimit të reformave të rëndësishme kombëtare, ne vazhdojmë me projektet e ndërhyrjeve në infrastrukturën rrugore në qytet dhe në Njësitë Administrative. Kështu së shpejti fillon puna me fazën e dytë të “Rrugës së Tiranës” punë e cila përfshin trotuare, ndriçim, mbjellje drurësh dekorativë etj. Nga ana tjetër po punohet në rrugët “Llazar Bozo” në qytet, rrugën “Dervish Gina” po në qytet, si dhe në aksin rrugor “Fier i Ri –Krutje”, që i përket njësisë administrative Krutje. Për ne prioritet mbeten ndërhyrjet në infrastrukturën shkollore dhe mjekësore. Kemi përfunduar rikonstruksionin e shkollës së mesme “18 Tetori” ndërsa shumë shpejt do të filloj rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Kongresi Lushnjës”. Gjatë vitit të parë të këtij mandati janë ndërtuar qendrat shëndetësore në lagjen “Kadri Qystri” në Lushnjë, qendra shëndetësore në fshatin Gjazë, në Kashtë Bardhë dhe të tjera. Për sezonin në vijimësi, sezonin e verës do të ndërhyhet në të gjitha godinat shkollore sidomos në tualete, riparime të pjesshme në kabinete etj, për të vënë në gatishmëri shkollat në vitin e ri mësimor që nuk është larg
Lushnja është bashkia më e rëndësishme e bujqësisë shqiptare. Çfarë keni bërë për zhvillimin e bujqësisë në lidhje me infrastrukturën rurale, me sistemin e vaditjes dhe kullimit?
Bashkia Lushnjë është një nga tetë bashkitë më të rëndësishme të vendit. Mund t’iu rendis disa nga avantazhet që e bëjnë bashkinë tonë shumë të rëndësishme sidomos në fushën e bujqësisë. Nuk duhet harruar që potencialet e prodhimit bujqësor janë nga më të lartat. Ne si bashki kemi sipërfaqet më të mëdha të serave në Shqipëri. Në territorin e Bashkisë sonë rriten të gjitha llojet e kulturave dhe kjo falë pozicionit gjeografik, por edhe falë tokës klimës dhe mbi të gjitha të fermerit tonë. Ne kemi shumëllojshmëri edhe për sa i përket gjësë së gjallë duke pretenduar se kemi kapacitete të mëdha prodhuese edhe në blegtori. Por mbi të gjitha ne kemi potenciale të rezervave ujore, një pjesë e të cilave është ende e pashfrytëzuar. Në bashkinë tonë ekzistojnë një numër i madh tregjesh për tregtimin e kulturave bujqësore si për konsumatorin vendas ashtu edhe atë të huaj. Numër të madh tregjesh kemi edhe për tregtimin e produkteve blegtorale për konsum vendas dhe eksport. Për të mbajtur këtë bashki me trendët më të larta të zhvillimeve në bujqësi, ne kemi ndërhyrë në infrastrukturën rurale me qëllim që të lehtësojmë daljen e prodhimit nga parcelat, ndërsa nga ana tjetër kemi vënë në eficensë të plotë rrjetin e kanaleve të dyta dhe të treta, që për hir të së vërtetës ishin bërë njësh me sipërfaqet e tokave bujqësore në këto 25 vjet. Në bashkëpunim me Bankën Botërore së shpejti do të nis rikonstruksioni i degës së kanalit të Krutjes, kanali i parë Thanë-Tërbuf që kap një gjatësi prej 26 km dhe me fondet e qeverisë do të ndërtohet unaza e Myzeqesë, e cila do të përshkoj pjesën më të madhe të fushës në Bashkinë Lushnjë. Synimi ynë është që potencialet tona natyrore dhe njerëzore t’i mbështesim me programe si dhe të rrisim punën tonë për marketimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të zonës sonë duke promovuar “Markën Lushnja”, premtim që padyshim do të realizohet saj punës në vitet e ardhshme.
A ka aktualisht shërbim pastrimi dhe të heqjes së mbeturinave në të gjithë territorin e bashkisë Lushnjë, apo shërbimi vijon të jetë i kufizuar vetëm në qytete?
Një nga kërkesat në zbatimin me sukses të Reformës Administrative Territoriale është kryerja e shërbimeve në të gjithë territorin e bashkisë së re. Sot shërbimi i pastrimit, i mbledhjes dhe transportit të mbeturinave është i shtrirë në të dhjeta njësitë administrative, me të njëjtat standarde që ofrohen edhe në qytet. Ky shërbim është shoqëruar edhe me një fushatë ndërgjegjësimi për të ulur volumin e mbetjeve duke shfrytëzuar kompostimin e mbeturinave bujqësore dhe blegtorale në pronat e fermerëve, kjo për të ndihmuar kështu në ruajtje dhe mbrojtje të mjedisit. Sot pas një viti janë realizuar disa nga premtimet e një fushate, por asnjëherë nuk mund të them se kemi bërë shumë për plotësimin e kërkesave dhe nevojave jetike që kanë qytetarët e bashkisë së re Lushnjë. Sfidat janë të vazhdueshme dhe për ne mbetet sfidë shërbimi ndaj qytetarit me cilësi dhe shpejtësi në çdo skaj të Bashkisë Lushnjë.