Interviste8 Sep 2016

Fredi Kokoneshi: Sfida më e madhe fokusimi te turizmi. Brenda 4 vitesh pastrojmë kanalet vaditëse

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Divjakës, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Kokoneshi lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Arben Velo BIRN Divjakë
Printo

Fredi Kokoneshi

Fredi Kokoneshi

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Divjakë?

Punët apo investimet që janë bërë gjatë 1 viti janë të shumta, por do të doja të theksoja ndërtimin për herë të parë të një Poliklinike e cila i shërben një popullsie rreth 54.000 banorë. Kjo poliklinikë është ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohorë dhe përveç shërbimeve bazë, ofron edhe  laboratorin e analizave, imazherinë, mjekun okulist, kardiolog, O.R.L, etj. Rehabilitimin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e shëtitores që lidhë zonën urbane me pyllin me pisha, e cila rritur në mënyrë të ndjeshme vizitueshmërinë e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta. Në të gjitha Njësitë Administrative dhe në bashkinë qendër është rritur cilësia e shërbimit, dhënia e informacionit apo kthimi i përgjigjeve të kërkesave të qytetarëve.

Çfarë ka bërë Bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Në drejtim të transparencës, Bashkia Divjakë përpara hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2016 ka zhvilluar takime me banorët e çdo Njësie Administrative me qëllim marrjen e informacionit për problemet që ata i shqetësojnë dhe përfshirjen e tyre në projekt-buxhet. Peshën kryesore të buxhetit të Bashkisë Divjakë për vitin 2016 e zënë bujqësia, investimet në Njësitë Administrative dhe shërbimi i pastrimit. Në mungesë të faqes zyrtare të Bashkisë (e cila ka pak ditë që është hapur), buxheti dhe paketa fiskale janë publikuar në adresën vendime.al. Gjithashtu, gjatë punës që po bëhet për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, janë të shumta takimet që janë zhvilluar me qytetarët qoftë për t’i informuar ata por edhe për të vjelë mendimin e tyre.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Duke qenë se Bashkia Divjakë është një zonë me bujqësi intensive, ujitja dhe kullimi është një sfidë që ne presim t’i japim zgjidhje së shpejti do te përfundojë projekti për sistemin e ujitjes, projekt i cili po hartohet në  bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe financim të Bankës Botërore që do t’i japë fund një herë e përgjithmonë kalvarit të gjatë të zvarritjeve të fermerëve. Plani i Përgjithshëm Vendor është një tjetër sfidë për të cilën ne jemi duke punuar fort dhe shpresojmë që gjatë këtij viti ta përfundojmë, kjo edhe falë mbështetjes së Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Por sfida më e madhe e bashkisë që unë drejtoj është kthimin e zonës me fokus turizmin. Për këtë arsye gjatë vitit 2015, u finalizuar projekti për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së plazhit dhe me kërkesën tonë, drejtoria e OSSHE vendosi të gjithë linjën elektrike brenda në tokë. Së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e pasarelës në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta  e cila do të lidhë disa atraksione turistike.

Çfarë mbështetjeje po jep Bashkia për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë, në mirëmbajtje të sistemit kullues dhe vaditës? Çfarë është bërë në drejtim të nxitjes së tregtimit dhe promovimit të produkteve bujqësorë, të Divjakës?

Në fillim të këtij viti Bashkia Divjakë ngriti Drejtorinë e Bujqësisë e cila po merret me këshillimin e orientimin e fermerëve për mbjelljen e kulturave bujqësore, por jo vetëm kaq, kjo drejtori njofton dhe ndihmon të gjithë fermerët që dëshirojnë të aplikojnë për të përfituar nga subvencionet dhe grandet që ofron qeveria qendrore. Bashkia Divjakë ka planifikuar që brenda 4 viteve të pastrohen të gjitha kanalet vaditëse e kulluese. Është një sfidë për të gjithë dukë marr parasysh që kanalet kanë 25 vite që nuk pastrohen, por ne jemi duke punuar me ritme të larta për ta arritur këtë objektiv. Aktualisht bashkia nuk po merret vetëm me pastrimin e kanaleve, por edhe me shtrimin e nivelimin e rrugëve të parcelave bujqësore, të cilat ndihmojnë fermerët në transportimin me lehtësi të prodhimeve.

Parku Kombëtar i Divjakës aktualisht duket se ka një numër të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje ndërsa në plazhin e Divjakës mungojnë shërbimet bazë, si furnizimi me energji elektrike. Çfarë është bërë për zhvillimin e turizmit të detit dhe natyrës?

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është në territorin administrativ të Bashkisë Divjakë, por ruhet dhe menaxhohet nga Ministria e Mjedisit. Gjatë viteve të fundit në brendësi të parkut nuk ka pasur asnjë ndërtim të ri me leje apo pa leje, por përgjatë vijës ranore të plazhit të Divjakës gjatë 3 muajve të verës operojnë disa biznese të vogla sezonale.

Me kënaqësi dëshiroj t’ju vë në dijeni se furnizimi me energji elektrike e zonës së plazhit bëhet pa ndërprerje kjo edhe falë punës që ka bërë Drejtoria e OSSHE për vendosjen e kabujve brenda në tokë. Në brendësi të parkut janë vendosur koshat për hedhjen e mbeturinave, janë ngritur kullat për vrojtimin e shpendëve të egër, janë vendosur tabelat informuese dhe orientuese për vizitorët si dhe tavolina e stola për të gjitha ata që duan të drekojnë në ajrin e pastër të pyllit me pisha. Duke marr parasysh rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë parkun kombëtar i cili është i paprekur nga dora e njeriut, bashkia është duke punuar për projektimin e një qendre informacioni turistik.

A ka Bashkia Divjakë shërbim pastrimi të shtrirë në të gjithë territorin e saj, përfshirë njësitë administrative Rremas e Gradisht, të cilat janë në distancë të konsiderueshme nga qyteti i Divjakës?

Shërbimi i pastrimit është një nga shërbimet me të cilat ne mburremi pasi gjatë mandatit tim të parë, investimi i parë ka qenë blerja e makinës teknologjike dhe koshave. Në çdo lagje të bashkisë qendër janë vendosur koshat e mbeturinave dhe pastrimi funksionin sipas një grafiku të mirëpërcaktuar dhe banorët janë të informuar. Të njëjtin model përdorëm edhe në njësitë administrative. Në muajin prill të këtij viti bashkia Divjakë bleu 800 kosha dhe 2 makina teknologjike të cilat janë vendosur në të katërta Njësitë Administrative, Tërbuf, Grabian, Remas dhe Gradishtë. Koshat janë vendosur në çdo lagje e fshat dhe grumbullimi e largimi i tyre bëhet nga  punonjësit e shërbimit të pastrimit të njësive sipas grafikut të përcaktuar.