Temperaturat në qytetin e Shkodrës janë ulur sërish nën zero, por kjo nuk i ka ndaluar aspak disa banorë të zonave të nënShkodrës të hyjnë në një grevë urie në kërkim të dëmshpërblimeve të përmbytjeve të viteve 2010- 2011. Janë 8 persona që tashmë janë ngujuar në lulishten përballë bashkisë së qytetit.
Pas tentativës së dështuar për ta zhvilluar grevën e urisë në mjediset e prefekturës, Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci, Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu janë ulur në stolat e lulishtes dhe janë shprehur të vendosur për ti shkuar deri në fund protestës së tyre. Grevistët kanë vetëm një kerkesë, atë të marrjes së dëmshpërblimit.
Për përfaqësuesin e qeverisë në Shkoder, prefektin Paulin Radovani, i cili doli të mërkurën në një konferencë për shtyp, kërkesat e banorëve qëndrojnë, pavarësisht se, sipas tij, greva nuk është opsioni i duhur në këto temperatura.
Sipas të dhënave të institucionit të prefekturës në Shkodër, gjatë përmbytjeve të viteve 2010- 2011 janë dëmtuar në banesa 5924 familje, 260 biznese si dhe 7581 familje kanë pësuar dëme në bujqësi, blegtori dhe bimë dekorative.
Familjet e permbytura akuzuan komisionet për përcaktimin e dëmeve për të dhëna të gabuara dhe vlerësime selektive. Një nga arsyet e kërkimit të dëshmpërblimeve në këto momente është edhe miratimi i dëmshpërblimeve nga Këshilli i Ministrave për banorët në jug të vendit. Gjatë protestave të ndryshme ka pasur vazhdimisht edhe bllokime të akseve rrugove që kanë çuar si pasojë në arestime dhe procese gjyqësore.
Qeveria shqiptare ka vendosur që duke qënë se demi është shkaktuar nga KESH, të dëmshpërblejë vetëm dëmet për 4 biznese si dhe dëmet në kultura bujqësore me vlerë 1 mld e 106 milionë lekë, dëmshpërblim i cili është ndarë në masën 49% përara zgjedhjeve të vitit 2013. Në qershor te vitit 2013 u ndërpre për të mos rifilluar më. Ndërkohë dëmet në banesa dhe biznese janë vlerësuar në zero.