Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Himarë?
- Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm i zonës turistike në të gjithë fshatrat bregdetare dhe qytetin e Himarës.
- Organizimi dhe funksionimi më i mirë i shërbimit të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë Himarë.
- Përfundimi i fazës së parë të shëtitores së qytetit Himarë dhe Qeparoit.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Bashkia i ka kushtuar një vend të veçantë sigurimit të pjesëmarrjes qytetare në aktivitetin gjithëvjetor të bashkisë. Për të realizuar këtë kemi përdorur të gjitha format e lajmërimeve për pjesëmarrje sa më të gjere të qytetarëve në çdo projekt apo ndërhyrje që bashkia ka menduar të realizojë. Është tërhequr mendimi i tyre në takime të organizuara që në shtator si për buxhetin, ashtu edhe për nivelin e taksave dhe për problematikat që kanë në çdo fshat, për prioritetet e bashkisë për këtë katërvjeçar.
Për transparencën kemi caktuar personin përgjegjës dhe po hedhim materialet në faqen e internetit të bashkisë duke respektuar të gjitha procedurat e ligjit mbi të drejtën e informimit
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Përfundimi i planit të Përgjithshëm Vendor i cili do të na japë mundësinë e planifikimit dhe kontrollit më të mirë të të gjithë territorit, integrimin e njësive të reja të bashkisë Himarë dhe mundësinë e zhvillimeve dhe ndërtimeve nga investitorë dhe qytetarë. Kjo do të realizohet në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak, MZHU-në si financues i projektit dhe KKT që e miraton.
Sistemimi i qendrës së qytetit, fshatrave historikë Dhërmi, Vuno, dhe sistemimi i plazheve Dhërmi, Jal të cilat duhet të përfundojnë para sezonit të ardhshëm turistik. Ky proces ka për qëllim mundësinë e shfrytëzimit të objekteve ekzistuese,kulturës dhe historisë për turizëm.
Fillimin e regjistrimit të parë sistematik të pronave, një kërkesë e vazhdueshme e jona drejtuar Zyrës së regjistrimit dhe Qeverisë. Ky është një proces i cili ka nisur disa herë në të kaluarën, por për mungesë të vullnetit politik nuk ka përfunduar asnjëherë. Pavarësisht renditjes është prioritare si sfidë dhe mendojmë që do të ulë tensionet artificiale që krijohen nga grupe të ndryshme interesi me dhe pa të drejtë.
Një prej objektivave tuaja një vit më parë, ka qenë zgjatja e sezonit turistik përtej dritares së ngushtë të korrikut dhe gushtit. Çfarë keni bërë për ta realizuar këtë qëllim dhe për ta kthyer zonën e bregut në destinacion turistik jashtë ditëve të verës?
Po është e drejtë, detyra jonë parësore për momentin në fushën e turizmit me kushtet që kemi është zgjatja e sezonit të tij. Për këtë ne kemi filluar punë në bashkëpunim me GIZ-in, i cili ka një eksperiencë të mirë me Veriun e Shqipërisë, për produkte të reja turistike duke shfrytëzuar të gjitha resurset që ofron bashkia e Himarës, natyrore (det, mal,lumenj, pyje, fshatra karakteristikë), kulturë dhe traditë (folklori, gatimi,ndërtimi).
Cili është projekti përfundimtar i shëtitores së Himarës dhe çfarë do të përfshijë ai?
Projekti i shëtitores së Himarës është pjesë e rehabilitimit të Qendrës së Himarës dhe si i tillë ai do të vazhdojë për këtë vit në drejtim të Portit. Do të mbyllet qendra e qytetit duke sistemuar rrugët, sheshet, trotuaret dhe parkimet për makinat, më pas do të vazhdohet me shëtitoren në drejtim të Potamit.
Çfarë po bëhet me mbeturinat e hequra nga fshatrat dhe qyteti i Himarës? A po funksionon landfilli?
Për këtë vit mbeturinat e bashkisë Himarë çohen në landifillin e Bajkajt në Delvinë, i cili funksionon normalisht dhe pa probleme. Të gjitha pikat e mëparshme të grumbullimit të mbeturinave në bashkinë e Himarës janë mbyllur. Po bëjmë përpjekje që në bashkëpunime me donatorët t’i rehabilitojmë këto pika të nxehta.