Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Ura Vajgurore?
Drejtimi i një njësie të pushtetit vendor, njësi të dala këto nga reforma administrative, është sfidë e çdo kryetari të mandatuar për periudhën 2015-2019. Fillimi i mandatit për secilin nga ne përkonte me implementimin e reformës. Paralelisht me implementimin e saj nga ana jonë u punua për hartimin e projekt buxhetit afatmesëm 2016-2018 të njësisë Ura Vajgurore.
Hartuam një projekt buxhet ambicioz në investime duke zënë gati 39% të totalit të buxhetit, një pjesë të veçantë në këtë buxhet zë edhe projektimi. Mund të them me bindje që në saj të këtij buxheti, por dhe me ndihmën e dhënë nga F.ZH.R arritëm të mbajmë disa premtime kryesore që po i rendisim si më poshtë:
- Përfunduam projektin e “Rehabilitimi i zonës përgjatë lumit Osum dhe mbrojtjes së qytetit nga përmbytja”. Projekt i realizuar ky me të ardhurat e bashkisë.
- Përfituam financimin nga F.ZH.R për realizimin e këtij projekti, realizuam procedurën e prokurimit, së shpejti fillojnë punimet.
- Më në fund arritëm të realizojmë një premtim, i cili kishte 25 vjet që nuk kishte arritur të realizohej, familjet që shtrihen në zonën përgjatë lumit Osum, por jo vetëm, do të mund të përfitojnë nga ky projekt. Kjo zonë do të shndërrohet në një zonë atraktive për gjithë banorët e qytetit e më gjerë.
Në maj të këtij viti kemi nënshkruar kontratën për realizimin e “Sistemit të integruar të shërbimeve në bashkinë Ura Vajgurore”, sistem i cili do t’u vijë në ndihmë, jo vetëm administratës së bashkisë në kryerjen e funksioneve të saj, por çdo qytetari në aksesin e informacionit për ç’ka ndodh në lidhje me vendimmarrjen në bashki, çdokush do të dijë në çdo moment detyrimet që ka pranë kësaj bashkie apo edhe në cilën fazë të shqyrtimit administrativ ndodhet çdo aplikim i bërë pranë kësaj bashkie, etj. Në dhjetor të këtij viti përfundon implementimi dhe vënia në funksion e këtij sistemi.
Kemi përfunduar projektet për rehabilitimin e qendrave të 15 fshatrave dhe dy lagjeve të qytetit me të ardhurat e bashkisë rreth 16.500 m2 sheshe.
Së shpejti fillojnë procedurat për zbatimin e punimeve. Krijimi i qendrave të tilla do të bëjë të mundur rivitalizimin e jetës së banorëve të këtyre fshatrave, duke i kthyer hapësirat njerëzve, do të mund të zhvillojmë aktivitete të ndryshme argëtuese, pse mos edhe të nxisim debatin në qendra të tilla dhe të kultivojmë dëgjesat publike.
Do të vijojë puna për përfundimin e projekteve edhe për 18 fshatrat e tjerë, që shtrihen në juridiksionin e bashkisë.
Kanë përfunduar projektet e 8 kopshteve dhe të 6 qendrave shëndetësore që shtrihen në territorin e njësisë Ura Vajgurore nga të ardhurat e Bashkisë Ura Vajgurore. Së shpejti fillojnë procedurat për zbatimin e punimeve për kopshtet dhe qendrat shëndetësore me të ardhurat e bashkisë.
Është përfunduar studimi nga një operator ekonomik i licencuar për këtë qëllim, për përcaktimin e vend-depozitimit të mbetjeve urbane, vend i cili ndodhet në kufi të Sqepurit dhe Vokopolës. Referuar këtij vendi depozitimi është hartuar edhe analiza e kostos e këtij shërbimi, brenda dy javësh do të lidhet kontrata me operatorin ekonomik që është renditur i pari në procesin e konkurrimit.
Besoj se cilësia e ofrimit të këtij shërbimi do të rritet ndjeshëm në kushtet kur në njësitë e veçanta administrative ky shërbim është ofruar nga vet njësitë edhe pse nuk kanë pasur asnjë mjet teknologjik në inventar. Është programuar shpërndarja e 140 kontenierëve të rinj në territor.
Brenda këtij viti u realizuan punimet e fazës së parë të pedonales së qytetit, financim i FZHR-së. U hartua me të ardhurat e bashkisë projekti i fasadave të qytetit, i cili iu bashkangjit projektit të fazës së dytë të pedonales së qytetit.
Bashkia Ura Vajgurore është një nga 26 bashkitë, të cilat përfituan nga financimi për hartimin e përgjithshëm vendor. Në shtator të vitit 2016, ky plan përfundon.
Kemi nënshkruar aktmarrëveshjen me pedagogë të Universitetit Bujqësor të Kamzës, për dhënien e asistencës së duhur fermerit për kulturat që duhet të mbjellin dhe masat që duhet të marrin në raste të veçanta kur u dalin problematika gjatë kultivimit të produkteve të tyre. Është punuar në mënyrë intensive me hapjen e rrugëve të arave dhe hapjen e kanaleve kulluese.
Përfundoi projekti i rrugës Skrevan Donofros, një rrugë që bashkon dy njësi administrative atë të Cukalat me qendrën e Bashkisë Ura Vajgurore. Ndërtimi i kësaj rruge do të bëjë të mundur aksesin me të shpejtë në zonën e trashëgimisë kulturore atë të Dimalit.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
E para, pjesëmarrja qytetare kërkon edhe infrastrukturë krijimi i ambienteve të përshtatshme në të cilat të mund të mblidhemi e të bisedojmë. Pedonalja e re, qendrat e fshatrave do të ndihmojnë që këto konsulta apo dëgjesa të bëhen në vende të përshtatshme. Eksperiencë shumë e vlefshme e konsultave publike kanë qenë dëgjesat e shpeshta që janë bërë me aktorë të ndryshëm të njësisë, biznese, kryepleq, qytetarë, administratë, këshilltarë për planin e përgjithshëm vendor.
Sajë këtyre konsultave produkti do të jetë i një dobie të madhe. Konsultime të gjera dhe me të gjithë operatorët ekonomik kemi pasur edhe në hartimin e projekt buxhetit afatmesëm, si edhe në emërtimin e rrugëve në funksion të sistemit të adresave. Nga ana e bashkisë është hartuar programi i transparencës, i cili konsiston në ndjekjen e procedurave administrative në çdo hap nga subjekti që është pjesë e këtij procedimi, përveç kësaj në dispozicion të qytetarëve është vënë nr. i gjelbër 08007161. Sistemi i integruar i shërbimeve që do të përfundojë në dhjetor do t’i shërbejë rritjes së transparencës dhe aksesit të çdo qytetari në informacion.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
– Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm. Një nga premtimet elektorale ka qenë ndërtimi i ujësjellësit të ri të Urës Vajgurore, pasi ky komunitet ka vite me radhë që vuan jo vetëm nga mungesa e ujit, por nga cilësia e tij. Ky ujë rezulton i ndotur nga analizat si edhe mban erë të keqe. Është imediate ngritja e një rrjeti të ri për furnizimin me ujë.
-Është aplikuar pranë DPUK dhe FZHSH. Jo më shumë se para një jave, jemi bërë me dije se projekti i bashkisë Ura Vajgurore është një nga projektet që F.ZH.SH ka përzgjedhur dhe është duke u bërë studimin e fizibilitetit. Nëse çdo gjë shkon mirë, besojmë brenda vitit do ta rendisim edhe këtë si një nga premtimet e mbajtura. Ura Vajgurore ka përfunduar procesin e transferimit të asteve të ish-komunave dhe personelit në Drejtorinë e Ujësjellës sh.a. Do të punojmë në vazhdimësi që të rritet cilësia e ofrimit të këtij shërbimi.
Sfidë mbetet rehabilitimi i rrugëve rurale. Bashkia disponon disa projekte si: Ndërtimi i rrugës Skrevan-Donofros; zgjerimi i rrugëve në fshatin Drenovicë; ndërtimi i rrugës Donofrosë –Skrevan; devijimi i rrugës së Cukalatit; rruga “Sqepur”; ndërtimi i rrugës Konezbaltë. Asfaltimi i tyre nuk mund të përballohet me financim të bashkisë ndaj këto projekte kanë qenë aplikuar pranë F.ZH.SH dhe F.ZH.R për financim.
Në buxhetin afatmesëm janë parashikua rreth 24 milion lekë për mirëmbajtjen e rrugëve rurale.
Për këtë bashkia Ura Vajgurore bashkëpunon edhe me bizneset e guroreve që shtrihen në juridiksionin e saj që në disa raste, të marrin përsipër në përputhje me legjislacionin në fuqi furnizimin me çakull. Rehabilitimi i këtyre rrugëve është në funksion të fermerit, nxjerrjes së produktit të tyre në treg.
Sfidë ngelet ngritja e qendrës kulturore të bashkisë Ura Vajgurore. Ka përfunduar detyra e projektimit të ndërtimit të një teatri dhe disa ambienteve në të cilat do të zhvillohen aktivitete dhe do të zhvillohen talentet e bashkisë sonë. Pjesë e këtij projekti është edhe ngritja e një biblioteke. Kjo qendër kulturore është një qendër që i mungon shumë qytetit tonë, kjo e bën që vërtet të jetë një sfidë për ne. Realizimi i saj do të më bënte vërtet shumë të lumtur.
Si do të veprojë bashkia për zgjidhjen e problemit të menaxhimit të mbetjeve urbane në kushtet që bashkia vazhdon të mos ketë një vend depozitimi.
Nuk është e vërtetë që bashkia e Urës Vajgurore nuk ka një vend depozitimi, ajo ka një të tillë që prej majit të vitit 2016, vend i miratuar me vendim të këshillit bashkiak pas një studimi të bërë nga një operator i licencuar në këtë fushë. Nënshkrimi i kontratës me operatorin ekonomik fitues së shërbimit të pastrimit në Bashkinë Ura Vajgurore do të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit të pastrimit .
Çfarë do të bëjë bashkia për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në këtë zonë?
Siç e thamë edhe më lart, zgjidhja e këtij problemi është një nga sfidat tona. Jo më shumë se para një jave, jemi bërë me dije se projekti i bashkisë Ura Vajgurore është një nga projektet që F.ZH.SH ka përzgjedhur dhe është duke bërë studimin e fizibilitetit. Nëse çdo gjë shkon mirë, besojmë brenda vitit do ta rendisim edhe këtë në një nga premtimet e mbajtura.
Realizimi i këtij projekti do të zgjidhë një here e mirë këtë shqetësim.
Nëse nuk realizohet brenda vitit ky projekt, emergjent është pastrimi i pusit në Kaptazhin Urë Vajgurore dhe blerja e dy pompave centrifugal të reja për stacionin. Janë evidentuar gjithë problemet, ngelet për t’u zgjidhur edhe Ndërtimi i Ujësjellësit Syzezë, Qamicë, Polizhan. Edhe për këtë projekt kemi aplikuar pranë F.ZH.SH.
Në disa fshatra Malas Breg, Goriçan Çlirim, Gorican Qendër, Drenovicë, Samaticë, Rërez, Hingë, Kuç, Agim – është i nevojshëm ndërrimi i tubacioneve, për këtë problematikë do të bashkëpunojmë me drejtorinë e ujësjellësit, që në rastet kur nuk mund të mbulohet me të ardhurat e tyre, të realizohet nga bashkia.
Çfarë do të bëjë bashkia për problemin e ndotjes që vjen si pasojë e aktivitetit të përpunimit të gurit?
Ndotja e ambientit si pasojë e aktivitetit të operatorëve të përpunimi të gurit është një nga objektet kryesor të veprimtarisë së Bashkisë.
Krijimi i një brezi të gjelbër në këto gurore, në karrierat e braktisura, është pjesë edhe e planit të e përgjithshëm vendor. Hartimi i projekteve të veçanta për pyllëzimin e tyre do të pakësonte ndotjen dhe do ta bënte qytetin tonë më të jetueshëm. Me përfundimin e planit të përgjithshëm do të vijojmë me hartimin e projekteve të veçanta.
Për të evituar ndotjen, në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë ushtruar kontrolle, në lidhje me vënien në funksion të vendosjes së filtrave të lagjes për të shmangur efektin e pluhurizimit gjatë punës.
Pjesë e masave të Bashkisë ka qenë dhe organizimi i dëgjesave publike me të gjithë operatorët e përpunimit të materialeve inerte në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit Berat, në lidhje me ankesat e banorëve, si dhe detyrimin që kanë subjektet gjatë aktivitetit të tyre.
Cilat janë hapat konkretë që bashkia do të ndërmarrë në përmirësimin e infrastrukturës, ku ish-komunat kanë prodhime të mëdha bujqësore, por mungojnë rrugët që lidhin fshatrat mes tyre?
Kjo pyetje e ka marrë përgjigjen në atë të pyetjes së tretë. Nga Bashkia po punohet intensivisht për hapjen e kanaleve kulluese dhe rrugët e arave. Për rehabilitimin e rrugëve rurale në buxhet janë programuar 24 milion lekë. Jemi në fazën e realizimit të procedurës së prokurimit, kemi përfunduar preventivat për rrugët që do të ndërhyjmë me mirëmbajtje. Për projektet që disponojmë do të aplikojmë për përfitim financimi nga F.ZH.SH edhe F.ZH.R.
Çfarë do të bëjë bashkia për problemin e tregjeve të rrugës, ku në bashkinë e Urës Vajgurore, në zonën e ish-komunës Poshnje, tregtohet nëpër rrugë?
Bashkia e Urës Vajgurore është në fazën e bërjes së një studimi për ngritjen e tregut të përbashkët, i cili do të vendoset në fshatin Poshnje larg rrugës nacionale. Për këtë janë organizuar edhe takime me komunitetin dhe biznesin.
Është menduar që në qytetin e Urës Vajgurore të ndërtohet një treg për shitjen e bulmetit dhe fruta–perimeve, i cili do të funksionojë çdo ditë. Ky treg do të vendoset tek fusha e plepave.
Jemi në fazën e projektimit, pasi hartimi i projekteve të këtyre tregjeve është përfshirë si zë në buxhetin afatmesëm.
Përfundimi i projektit të tregut të Poshnjes do të kërkojë transferimin e pronësisë së sheshit në të cilin mendohet të ndërtohet ky shesh nga Ministria e Mbrojtjes në Bashkinë UraVajgurore.