Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Këlcyrë?
Në përgjigje të interesimit tuaj unë do të përmendja si premtimi të përmbushura: 1)Projekti për sistemimin e plotë dhe kthimin në shëtitore të Përroit të fshatit Gur, Këlcyrë. 2) Rikonstruksioni i kanalit parësor vaditës në Njësinë Administrative Ballaban i cili vadit pjesën më të madhe të sipërfaqes së tokës bujqësore me shtrirje nga të dyja krahët. 3) Rikonstruksioni i plotë i shtëpisë së kulturës të qytetit Këlcyrë, me sallën, ambientet dhe sistemimin e krejt godinës duke e vënë atë për herë të parë në shërbim të komunitetit qysh nga ndërtimi i saj. 4) Fasadat e qytetit, e cila është në procedurën e fillimit të punimeve.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultime publike,etj)dhe transparencën gjatë këtij viti?
Vazhdimisht janë bërë takime me grupe të caktuara të qytetarëve për problematika të caktuara, është marrë mendimi i tyre në konsulta shoqërore, për probleme të ndryshme. Kemi zhvilluar takime me komunitetin për ‘buxhetimin gjinor’, në ambiente të ndryshme në zonën tonë dhe në shkollat e qytetit.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat kryesore me të cilat ndeshet sot bashkia jonë lidhen në radhë të parë me gjendjen tejet të rënduar të rrugëve rurale në zonë. Kemi planifikuar blerjen e një makine vetëshkarkuese, një fadrome me të cilat do të kryejmë ndërhyrje, riparime dhe mirëmbajtjen e tyre në kushtet më optimale të mundshme. Një tjetër problem madhor është papunësia e madhe sidomos tek të rinjtë. Jemi përpjekur që brenda mundësive ekonomike, financiare e kritereve sociale të punësojmë në sektorë të ndryshëm njerëz të aftë dhe me mundësi zgjedhje të gjendjes ekonomike të familjeve në nevojë. Një përpjekje tjetër është bërë dhe punësimi nëpërmjet firmave që kanë realizuar projekte të ndryshme si në ndërtimin e trotuareve në qytet, në rikonstruksionin e kanalit vaditës Ballaban, me mbjelljen e pemëve në qytet e të tjera. Një tjetër problematike lidhet me investimet në bujqësi, blegtori dhe ujësjellësit në fshatra. Jemi përpjekur dhe kemi realizuar e miratuar me Ministrinë e Çështjeve Vendore në bashkëpunim dhe me shkollën studimeve politike: Planin Operacional të Zhvillimit Lokal të Bashkisë Këlcyrë, i cili ofron me realizimin e tij mundësi jo vetëm punësimi, por edhe shndërrime të thella në jetën e qytetarëve.
Sa prej investimeve të bashkisë kanë prekur deri tani zonat rurale?
Pastrimi dhe rindërtimi i pjesshëm i kanaleve vaditës në zonat e Bashkisë Këlcyrë, Goricë, Sukë dhe Ballaban kanë ndikuar ndjeshëm në plotësimin e nevojave të fermerëve në këtë stinë të thellë vere. Investimi i realizuar në qytetin e Këlcyrës për ndërtimin e trotuareve dhe mbjelljen e pemëve ka sjellë impakt pozitiv në jetën e qytetarëve. Me ndërhyrjen e bashkisë janë realizuar blerje të pompave për ujin e pijshëm për fshatrat Bedyqas, Fshat i Ri, qytet Këlcyrë gjë që solli furnizimin e rregullt të banorëve si dhe zëvendësimin i tubacionit të ujit të pijshëm në Sukë i cili u dëmtua nga rrëshqitjet e dheut nga rënia e shirave të mëdha. Riparimi i stacionit të pompës së ujit të pijshëm Këlcyrë.
A ka përmirësime në sektorin e bujqësisë dhe cilat janë disa nga sfidat e saj?
Pastrimi dhe rindërtimi i pjesshëm dhe mirëmbajtja e kanaleve vaditës ka sjellë përmirësime në sektorin e bujqësisë. Sfidat kryesore janë pastrimi dhe mirëmbajtja e të gjitha kanaleve vaditëse në të gjithë zonën tonë, tërheqja e investimeve të ndryshme nga donatorë vendas dhe të huaj për diversifikimin dhe intensifikimin e prodhimeve bujqësore.
Keni ne stadin aktual mbështetje nga donator apo programe të huaja?
Mbështetje nga donator të huaj për investim në projekte kemi aktualisht nga pala italiane IADSA – CESVI ,për rikonstruksionin e plotë të shtëpisë së kulturës. Kemi bashkëpunim në projekte të ndryshme me organizatën CESVI gjatë tre vjetëve, dhe në vazhdim.