Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Roskovec?
Unë besoj që programi që unë kam paraqitur përgjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e një viti më parë dhe që më pas është kthyer në një dokument pune bazë, ishte dhe është një program pune bazë, i hartuar mbi nevojat më emergjente të qytetarëve të Bashkisë Roskovec. Nëse do të përcaktoje tre nga arritjet mes të tjerave do të përmendja: a)-Fillimi i zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore aq shumë të munguar (bëhet fjalë për rrugën në Kurjan, rruga në Vlosh, në Ngjeqar, unaza e qytetit, rruga në Jagoinë, në Velmish etj). b)- Zgjidhja e problemit të ujitjes për pjesën fushore të fermerëve pjesë e Bashkisë, që janë në gati 80% të territorit të saj. (Përmend këtu projektin e Bankës Botërore për rrjetin ujitës dhe ndërtimi i katër stacioneve të pompimit nga lumi i Semanit). c)-Ndërgjegjësimi i banorëve në pagesën e taksës lokale. Rritja e të ardhurave vendore nga 30% në momentin e parë, në shifrën e 55% që ndodhemi gjatë këtyre momenteve që flasim.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Hartimi dhe miratimi i disa dokumenteve të rëndësishme si Plani Pjesor Vendor i Qendrës së qytetit, ndërtimi i shtatores së “Bukuroshes së Strumit”, projekti i Bankës Botërore për ujitjen, diskutimi i taksave lokale të prapambetura, kërkonin si në drejtimin ligjor, por edhe atë moral përfshirjen e qytetarëve në diskutime dhe debate reale. Këto dëgjesa publike të realizuara me grupe të ndryshme interesi, kanë rritur interesin e qytetarëve dhe njëherë përgjegjësinë e stafit të administratës që unë drejtoj ndaj tyre
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfida e parë është dhe ngelet punësimi. Në këtë drejtim ne jemi ende duke menduar dhe punuar se cila do të jetë politika për uljen e nivelit të papunësisë si dhe përmirësimin e treguesve në këtë drejtim. Sfida e dytë është ndotja dhe mbrojtja e ambientit. Këto janë çështje të ndjeshme sidomos për Marinëzën dhe zonat përreth. Sfida e tretë është furnizimi me ujë të pijshëm sidomos për zonën e Marinëzës, por pa harruar këtu menaxhimin e ujit në të gjithë Bashkinë Roskovec.
A ka marrë bashkia e re të ardhura nga renta minerare e naftës dhe nëse po, sa janë këto të ardhura e përse janë përdorur?
Po Bashkia Roskovec është përfituese e rentës minerare për shkak të vendburimit të naftës në Marinëz. Shuma e përfituar deri tani është 42 milionë lekë dhe është marrë në muajin Tetor të vitit 2015. Një pjesë e kësaj shume është zbatuar në projektin e KUZ në fshatin Marinëz ndërsa një pjesë tjetër me KUZ në fshatin Kuman. Këto investime janë planifikuar me tre faza dhe brenda tre viteve mbyllet përfundimisht projekti dhe problemi i shumëvitshëm në këto fshatra, pjesë e bashkisë Roskovec
Çfarë mbështetje po jep Bashkia për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë e sidomos në mirëmbajtje të sistemit kullues? Si po ecet në drejtim të nxitjes së tregtimit dhe promovimit të produkteve bujqësorë, blegtoralë e veçanërisht ullirit dhe vajit të ullirit?
E përmenda edhe më lart që Bujqësia është një nga prioritetet kryesore të bashkisë Roskovec
Sistemi i ujitjes përmes projektit të Bankës Botërore dhe SP-it (gjithësej katër) i financuar edhe nga të ardhurat e bashkisë deri në sezonin e ardhshëm do të jetë i përfunduar për zonën fushore. Sfida jonë është menaxhimi i këtij shërbimi. Për kullimin kemi hatuar listat më emergjente të kanaleve dhe ka filluar puna për pastrimin e tyre. Mirëmbajtja është planifikuar si domosdoshmëri. Grumbullimi dhe magazinimi i produkteve është një tjetër sfidë që duhet mbështetur. Vaji i ullirit prodhim i pemës së ullirit në zonën kodrinore është mjaft i zhvilluar si produkt. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore që tashmë ka filluar dhe markimi i produktit është sfida e radhës për këtë zonë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë pjesës së mbetur të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin embetjeve urbane dhe ujërave të ndotur?
Menaxhimi i mbetjeve urbane përmes ndërtimit të një grope të re ekologjike dhe me kapacitet më të madh është detyra e radhës. Jemi duke planifikuar një zgjidhje definitive, përfundimtare që duhet të marrë ky problem dhe sidomos largimi përfundimtar i mbetjeve nga Marinëza.
Kemi hartuar marrëveshjen trepalëshe mes Bashkive Fier – Patos – Roskovec për ndërtimin e landfillit në funksion të këtij problemi, por sfida e jonë është menaxhimi i mbetjeve urbane në territorin tonë përmes grumbullimit selektimit dhe më pas përpunimit në këtë pikë të përbashkët depozitimi.