Tre vjet më parë, Mirsad Basha, një i ri nga Shkodra i pasionuar me fotografinë, sportin dhe mjedisin e përdori për herë të parë profilin e tij në Facebook për një kauzë publike. I revoltuar nga projekti për sjelljen në Shqipëri të lëndëve kimike, Basha tregon se asokohe postoi një reagim dhe organizoi një protestë, me mbështetjen e familjarëve dhe miqve që iu bashkuan thirrjes së tij.
Tre vjet më pas, Mirsad Bashën dhe grupin e bashkëpunëtorëve të tij e gjen gjithkund në Shkodër; nga shtëpitë e të moshuarve tek fushatat për dhurim gjaku, aktivitetet për mbrojtjen e mjedisit apo ditët poetike të edicionit të tetë të festivalit të poezisë së pabotuar.
Prej dhjetorit 2014, Basha dhe miqtë e tij kanë krijuar grupimin Eko-Mendje-një zë i pavarur dhe i angazhuar në problematikat e qytetit të Shkodrës. Lëvizja lindi në hapësirën e lënë bosh nga shoqëria civile për vite të tëra në qytetin e Shkodrës dhe fitoi simpatinë dhe mbështetjen e banorëve të këtij qyteti.
“Emri i grupimit do të thotë të mendosh pastër në raport me njerëzit dhe natyrën. Është OJF mjedisore –sociale, por ndryshe nga të tjerat kjo nuk ka marrë asnjë projekt… jo se nuk duhen paratë për të bërë punë që ne realisht i bëjmë, por qëllimi ynë është të përfshihen sa më shumë njerëz,” thotë Basha për BIRN.
Anëtarët e Eko-Mendje janë njerëz të zakonshëm, që nuk pushtojnë ekranet e televizorëve apo faqet e gazetave, por që me punën e tyre po ngjallin vullnetarizmin në qytetin më të rëndësishëm të Shqipërisë së Veriut.
Gjatë dy viteve të fundit, Eko-Mendje ka organizuar një sërë aktivitetesh në pastrimin e lulishteve dhe mjedisit, në promovimin e natyrës përmes shëtitjeve me biçikletë, në aktivitetet sociale për shtresat vulnerabël dhe në një sërë fushatash për dhurim gjaku.
Gjithçka bëhet vullnetarisht, pa rrahur gjoksin dhe pa promovuar individë, me donacione të vogla individuale që mbesin anonime, përfshirë dhe ato që japin individë të veçantë që vlerësojnë punën e tyre.
Mirsad Basha, ideatori dhe drejtuesi i Eko-Mendje thotë se qëllimi i këtij grupimi është nxitja e vullnetarizmit dhe e angazhimit qytetar. Për disa të diela radhazi, ata organizuan nismën “Udhëto me biçikletë”; një përpjekje për të ringjallur traditën e dikurshme të Shkodrës.
Angazhimi me të moshuarit apo shtresat në nevojë është tanimë pjesë e përhershme e aktiviteteve të të rinjve shkodranë.
”Këto kategori nuk është se kanë nevojë për ushqim apo veshje, pasi ato u sigurohen nga institucionet rezidenciale ku ato jetojnë, ato kanë nevojë për dashuri. Ndaj çdo ditë të mërkurë ne bëjmë diçka për ta. Të moshuarit i nxjerrim shëtitje, i kemi dërguar dhe në pishinë, diskutojmë me ta, i përfshijmë në aktivitetet tona gjithmonë sipas mundësive dhe dëshirave të tyre,” tregon Basha.
Aktivitete të tilla janë tanimë periodike. Vullnetarët e Eko-Mendje shëtisin apo pinë një kafe me të moshuarit, e ndonjëherë organizojnë mbrëmje me muzikë të viteve ’70, kinema verore apo piknik në liqen.
Fushatat e dhurimit të gjakut kanë qenë gjithashtu të rëndësishme dhe efikase, pasi aktivistët e Eko-Mendje nuk i bëjnë gjërat pasivisht. Ata kanë vendosur kontakte me urgjencën e spitalit dhe bëjnë thirrje në kohë reale, sa herë ka nevojë për një grup gjaku të caktuar.
Eko-Mendje përdor rrjetet sociale për t’u dhënë zë kauzave të tyre, duke rritur numrin e njerëzve që u bashkohen atyre. Faqja e grupimit në rrjetin social të Facebookut luan rolin e një selie prej nga shpërndahen mesazhet dhe aktivitetet e Eko-Mendje. Aty shfaqen idetë e reja dhe nismat e grupimit, po aq sa pasioni për të përfshirë sa më shumë njerëz në këto nisma.
Ndërsa kanë tërhequr pas vetes mjaft qytetarë, jo të gjithë në Shkodër i shohin me sy të mirë aktivitetet e Eko-Mendje. Protestat e tyre kanë ngjallur shpeshherë shqetësim tek njerëzit që kanë përgjegjësi mbi gjërat që nuk shkojnë mirë, ndërsa aktorët politikë kanë nxituar t’i përdorin ato për qëllimet e tyre.
“Për kauzat që ngremë, na pyesin nëse jemi kundër njerëzve që e kanë për detyrë t’i bëjnë këto punë. Ne nuk jemi kundër askujt, por advokimi dhe puna që bëjmë është në të mirë të qytetit dhe njerëzve…” thotë ai.
Sipas Mirsad Bashës, shoqëria civile ndjehet e kërcënuar kur nuk është e përfshirë me politikën. Ai vetë tregon raste kur është përballur me sulme, kundërshtime apo edhe tentativa joshjeje përmes donacionesh apo sponsorizimesh.
“Nuk kemi pranuar, pasi kjo do të devijonte qëllimin e Eko-Mendje, duke bërë që të mos jetë ajo e ëndrrave që duhen realizuar,” thotë ai.
Basha tregon se politika tenton të mbajë peng aktivitetet e shoqërisë civile dhe tenton shpeshherë t’i përdorë ato për interesin e vet. Ai ngulmon se thirrjet e tyre i drejtohen komunitetit pa dallim, ndërsa qëllimi i tyre është ndihma për njerëzit në nevojë apo rregullimi i diçkaje që nuk shkon mirë.
“Në rast se ne bëjmë punën e dikujt, nuk ka pse të ketë reagime negative sepse nuk kemi gjë më ta. Ne u themi hajde bashkohu me ne. Ndodh që dhe paragjykohemi. Por ne nuk kemi fonde, as projekte, as financime,” thotë Basha.
“Eko Mendje është lëvizje mjedisore-sociale dhe asgjë më shumë,” përfundon ai.