Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Gjirokastër?
Në fakt, vlerësoj se gjatë këtij viti të parë kemi bërë edhe përtej premtimeve. Gjithsesi, duke qenë se më kërkohen vetëm 3 po i listoj: Së pari, kemi premtuar një bashki më të pastër dhe ky është një premtim i mbajtur, edhe pse kemi akoma shumë punë për të bërë. Bashkia Gjirokastër sot ofron jo vetëm një mjedis më të pastër, por edhe cilësi më të mirë të shërbimit të pastrimit dhe shumë më shumë gjelbërim. Së dyti, kemi premtuar rikthimin e artit dhe kulturës në nivelet që Gjirokastra meriton dhe gjatë këtij viti të parë e kemi vërtetuar. Është një kalendar i plotë aktivitetesh artistike e kulturore, të shumëfishuara në numër, por edhe me një cilësi shumë të lartë. Më lejoni të përmend dy festivale filmash, që realizoheshin për herë, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Dea”. Së treti, kemi premtuar vëmendje të plotë ndaj zonave rurale që iu bashkangjitën Bashkisë Gjirokastër, ku problemet janë të shumta, veçanërisht në dy ish- komuna, sot Njësi Administrative e përkatësisht Cepo e Picar. Sot, pjesa më e madhe e fshatrave kanë ndriçim publik, fermerët e zonave marrin ujë nga kanalet vaditëse të rivendosura në funksion gjatë muajve të fundit, kanë pastrim, varreza publike të mirëmbajtura dhe investime për problemet më madhore.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Gjatë këtij viti të parë besojmë se kemi bërë shumë në këtë drejtim. Ngritja e komisioneve qytetare për çështje të ndryshme ka qenë një premtim i fushatës, i cili është mbajtur. Pranë Bashkisë Gjirokastër funksionojnë tashmë një sërë komisionesh të tilla, si komisioni për ekonominë, komisioni i bujqësisë dhe veterinarisë. Jemi drejt konsolidimit të komisioneve të tjera. Ndërkohë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me mediat, si lokale dhe kombëtare. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak zhvillohen gjithmonë të hapura, ndërsa çdo kërkesë për informacion e mbërritur nga qytetarë, grupe të ndryshme, OJF, media etj ka marrë përgjigje zyrtare brenda afateve ligjore. Natyrisht që është një proces i pandalshëm, që vazhdimisht kërkon përsosje.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
– Së pari, fuqizimi ekonomik i komunitetit. Edhe pse në këtë pjesë ndikim shumë të madh kanë politikat qendrore, bashkia do të luajë rolin e vet, kryesisht nëpërmjet mbështetjes dhe nxitjes për biznesin e vogël.
– Së dyti, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Bashkia Gjirokastër ka gjithë resurset historike, arkitektonike, kulturore e natyrore për ta ngritur turizmin në nivelin elitar. Por, përveç hartimit të një strategjie të plotë, e cila është duke u ndërtuar nga një grup pune me specialistë të fushës, për realizimin e këtij objektivi nevojitet ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, në mënyrë që atraksionet turistike që ndodhen në Njësitë Administrative të jenë lehtësisht të arritshme nga vizitorët.
– Së treti, integrimi i zonave rurale nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture bashkëkohore. Për fat të keq, në disa prej ish- komunave, sot Njësi Administrative infrastruktura lë shumë për të dëshiruar, pasi kanë munguar investimet. Jemi në kontakte të vazhdueshme si me qeverinë shqiptare ashtu edhe me donatorë të huaj për të mundësuar thithjen e fondeve në mënyrë që të ndërhyjmë në këtë drejtim.
Cilat kanë qenë disa nga problemet e hasura me reformën e re territoriale në Bashkinë që Ju drejtoni?
Reforma Administrativo – Territoriale që hyri në fuqi në vitin 2015, si reforma më e rëndësishme e kryer gjatë 25 viteve të fundit, natyrisht që sillte një sërë sfidash në zbatim. Janë 6 ish-komuna, sot Njësi Administrative, që iu bashkuan qytetit dhe krijuan Bashkinë Gjirokastër. Rritja e ndjeshme e territorit, por edhe numrit të popullsisë, solli me vete një sërë problematikash emergjente. Ngritja e strukturave që do të koordinonin ndërmjet tyre dhe komunitetit, për të sjellë zgjidhjen më të shpejtë ka qenë një nga problemet. Gjithashtu, një sërë institucionesh të reja u bënë pjesë e Bashkisë Gjirokastër, si Shërbimi Pyjor, Ujitja dhe Kullimi, Arsimi Parashkollor etj. Përshtatja sa më e natyrshme e këtyre shërbimeve ka qenë gjithashtu një tjetër sfidë. Por, nuk mund të lë pa përmendur mbështetjen që kemi pasur në këtë vit të parë të zbatimit të reformës të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Çështjeve Vendore. Jam e bindur se Gjirokastra është një nga bashkitë ku kjo reformë është zbatuar me sukses.
Cilat janë investimet më të rëndësishme këtë vit dhe cilat zona prekin?
Kur thoshim gjatë vitit 2015 se viti 2016 do ta kthente Gjirokastrën në një kantier ndërtimi, shumë njerëz ishin skeptikë dhe mosbesues. Por, sot ky është realiteti. Janë një sërë investimesh, një pjesë e të cilave ka nisur të kryhet dhe të tjera që do të fillojnë shumë shpejt. Qeveria shqiptare na ka ndihmuar shumë me investime tepër të rëndësishme e të konsiderueshme, që do t’i sjellin tjetër pamje Gjirokastrës. Investime të tjera janë parashikuar të kryhen me fonde nga buxheti i bashkisë. Më konkretisht po listoj një pjesë të këtyre investimeve, të ndara sipas buxheteve. (Lista në PDF)
Ju premtuat një ndryshim të situatës së Kalasë së Gjirokastrës në aspektin e menaxhimit të përbashkët me Ministrinë e Kulturës por ende në kala turistët presin dy bileta dhe premtimi duket se ende nuk është përmbushur?
Është një premtim pothuajse i mbajtur. Jemi duke përmbyllur detajet e fundit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Gjirokastër në lidhje me këtë çështje dhe besoj se shumë shpejt realiteti i deritanishëm i dy biletave do të jetë inekzistent.
Si po mbahen premtimet tuaja të bëra gjatë fushatës lidhur me Qendrën Historike që mbrohet nga UNESCO?
Në fakt, edhe pse administrimi dhe menaxhimi i Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe objekteve “Monument Kulture” është përgjegjësi dhe kompetencë e plotë e Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, bashkia nuk ndihet e përjashtuar dhe është pjesë e të gjitha përpjekjeve për rijetëzimin dhe promovimin e mëtejshëm të saj. E filluam me projektin e rijetëzimit të shtëpisë së lindjes së shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës dhe ky është një projekt shumë i suksesshëm. Në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare, Ministrinë e Kulturës dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, u bë i mundur hartimi i projektit të rikonstruksionit të pazarit karakteristik dhe kthimi i tij në pedonale; punimet fillojnë në muajin shtator dhe sezonin turistik 2017, turistët do të gjejnë një Gjirokastër të rikthyer në identitet. Pjesë e këtij projekti të rëndësishëm është edhe ngritja e shoqatës së bizneseve që ushtrojnë aktivitet në qendrën historike, çka do t’u japë atyre më shumë frymëmarrje. Nga ana tjetër, për herë të parë Bashkia Gjirokastër bëri të mundur publikimin e një guide të plotë për të gjithë resurset që zona jonë mbart. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë kremtuam 11- vjetorin e pranimit të Gjirokastrës në UNESCO me një festë të madhe që zgjati 3 ditë, e fokusuar në qendrën historike. Do të vazhdojmë ditë pas dite përpjekjet tona jo vetëm për të përmbushur premtimet, por për ta kthyer Gjirokastrën në kryeqendrën e trashëgimisë dhe turizmit.
A ofrohet aktualisht shërbimi i heqjes së mbeturinave në të gjithë territorin e bashkisë Gjirokastër? A mund të na jepni një përshkrim të numrit të mjeteve dhe njerëzve dhe volumit ditor të mbetjeve të hequra?
Pastrimi i bashkisë dhe largimi i mbetjeve është një tjetër sfidë e Bashkisë Gjirokastër. Aktualisht kryhet shërbim i përditshëm i heqjes së mbetjeve nga qyteti Gjirokastër dhe dy qendrat e Njësive Administrative, Asim Zeneli e Valare deri në vend-depozitimin e tyre, shërbim që kryhet nga Agjencia e Shërbimeve Publike; së fundmi bashkia Gjirokastër për të përmirësuar këtë sistem bëri të mundur blerjen e dy automjeteve teknologjike. Gjithashtu pjesë e këtij shërbimi është edhe trajtimi i mbetjeve urbane te sheshi i depozitimit. Këtë shërbim bashkia e realizon nëpërmjet dhënies me sipërmarrje private, mbështetur në prokurimin publik të fondit përkatës. Në vëmendje të këtij shërbimi ka qenë dhe studimi dhe projektimi nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Mjedisit të sheshit të depozitimit, që plotëson kushtet dhe parametrat për këtë qëllim. Jemi në fazën e hartimit të projekt- zbatimit. Në vit largohen rreth 12 mijë metër kub mbetje, apo e thënë ndryshe rreth 33 metër kub mbeturina çdo ditë.
Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Këshillit të Bashkisë dhe sa respektohet zëri i opozitës?
Mund të them që ka qenë ecuri normale, me ato problematikat që njihen tashmë në mbledhje të tilla. Ajo çfarë lë për të dëshiruar në shumë raste është niveli i debatit. Unë si kryetare e bashkisë, por edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak janë votuar nga komuniteti për të bërë të mundur marrjen e vendimeve më të mira në shërbim të tyre. Besoj se duhet të fokusohemi në këtë detyrë parësore që ne kemi dhe jo në debate politike, që nuk kanë vlerë. Anëtarët e opozitës në këtë këshill gëzojnë të njëjtat të drejta si dhe ata të mazhorancës.
Link: Investimet