Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Klos?
Periudha prej 1 viti gjatë së cilës unë kam marrë drejtimin e bashkisë Klos, është shumë e shkurtër për të realizuar premtimet e bëra nga ana ime gjatë fushatës elektorale. Megjithatë si arritje për këtë periudhë mund të veçoja: 1) Përmirësimin e infrastrukturës rrugore të bashkisë, ku me problematiket kane qene rrugët e Njësisë Administrative Xibër, Gurrë duke ndërhyrë e riparuar segmentet më problematike të rrugëve për të siguruar lëvizje normale të automjeteve në rrugët lidhëse të bashkisë me 3 njësitë administrative Suç, Gurrë dhe Xibër. 2.) Vënien në eficensë (riparimi dhe pastrimi) i gjithë rrjetit të kanaleve vaditëse. 3.) Riparimi i defekteve në ujësjellës (ndërhyrje në veprën e marrjes) për të shtuar sasinë e ujit të pijshëm dhe përmirësimin e cilësisë së tij.
4.)Janë hartuar dhe janë të gatshme për financim 15 projekte në: rrugë, ura, ambiente sportive, kulturore etj.
Çfarë ka bërë bashkia për sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike) dhe transparencës gjatë këtij viti?
Për të siguruar pjesëmarrjen qytetare dhe për të rritur transparencën me komunitetin, para hartimit dhe detajimit të buxhetit të bashkisë Klos për vitin 2016, janë zhvilluar dëgjesa publike me komunitetin në qytetin Klos dhe në të 3 njësitë administrative Suç, Gurrë dhe Xibër. Mendime dhe sugjerime nga këto takime janë marrë parasysh dhe janë përfshirë në hartimin dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë për vitin 2016. Në takime kanë marrë pjesë të gjithë shtresat si pensionistë, arsimtarë, mjekë, kryetar fshatrash, anëtarë këshilli të forcave të ndryshme politike etj.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re në të ardhmen janë: Hartimi dhe miratimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Klos (Përfshirë dhe Njësitë Administrative Xibër, Suç, Gurrë). Përmirësimi i infrastrukturës rrugore veçanërisht në Njësinë Administrative Xibër. Përmirësimi i infrastrukturës së vaditjes në gjithë Bashkinë Klos.
Në fushatën arsimore të kësaj vere, çfarë ndërhyrje keni planifikuar për t’i bërë funksionale për mësim e edukim godinat shkollore, kopshtet e çerdhet e fëmijëve?
Bashkia ka prokuruar fondet e planifikuara nga buxheti i saj për lyerjen dhe riparimin e të gjithë ambienteve shkollore, kopshteve dhe çerdheve në territorin e saj. Është lidhur kontrata me firmën fituese e cila vazhdon punën për lyerjen dhe riparimin e këtyre ambienteve. Në funksion të shtimit dhe zhvillimit të aktiviteteve sportive e kulturore në shkolla e jashtë saj bashkia Klos gjatë këtij vitit ka bërë të mundur ndërtimin e 5 fushave minifutbolli dhe fushave basketbolli. Aktualisht janë kryer shërbime si lyrje, riparim çatish, suvatime, riparim dyersh, brava dritare në rreth 75 % të objekteve arsimore që janë në Bashkinë Klos. Janë blerë soba zjarri, për çdo shkollë të Bashkisë Klos. Do të blihen materialet e pastrimit për çdo shkollë dhe materialet elektrike dhe xhama.
Kanali i Klosit për vaditjen e Luginës së Matit, aktualisht është i bllokuar, duke lënë kështu në të thatë jo pak por 1200 hektarë tokë. Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?
Kanali vaditës ka qenë në vit një burim ankesash të fermerëve të zonës duke mos funksionuar në kohën e duhur. Kjo ka ardhur si rezultat i keq menaxhimit nga Bordi i Kullimit Mat dhe shoqata e vaditjes. Ky kanal akoma nuk është funksional pasi hartimi i preventivave dhe tenderimi i tyre nuk janë bërë në kohën e duhur çka ka sjellë një vonesë në furnizimin me ujë vaditës të fermerëve të zonës time. Për zgjidhjen e situatës kam bërë takime me Bordin e Kullimit, kam dërguar shkresa në Ministrinë e Bujqësisë dhe kam kontaktuar personalisht me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë. Këtë vit nën përkushtimin tim duke pasur vëmendjen time kam realizuar një akt marrëveshje me Bordin e Kullimit që ky aset i Bordit të Kullimit të menaxhohet nga Bashkia Klos. Për këtë kam emëruar 10 punonjës me kontratë pune provizore që të bëjnë të mundur menaxhim sa më të mirë të vaditjes. Aktualisht uji i kanalit vaditës sot ka dalë në fundin e Bashkisë Klos deri në fshatin Mallunxë të Bashkisë Mat.
A ka aktualisht shërbim pastrimi dhe të heqjes së mbeturinave në të gjithë territorin e Bashkisë Klos,apo shërbimi vijon të jetë i kufizuar vetëm në qytet?
Bashkia Klos ka një kontratë shtatë vjeçare me një operator privat i cili kryen shërbimin e pastrimit të qytetit në zërat; fshirje të rrugëve e shesheve në qytetit Klos, grumbullim e largim të mbetjeve urbane, larje të shesheve e rrugëve në qytetin Klos. Në Njësitë Administrative vetëm në disa lagje të grupuara kemi vendosur disa kontejnerë për grumbullimin e largimin e mbetjeve. Kemi në plan që të bëjmë të mundur një studim për shtrirjen e pastrimit në Njësitë Administrative.
Cilat janë disa nga projektet që pritet të gjejnë zbatim për sistemimin- asfaltimin e rrugëve që lidhin fshatrat me qendrën e bashkisë Klos?
Dëshiroj që këtë pyetje ta ndaja në dy elemente tepër të rëndësishëm. Së pari: Jemi në fazën e hartimit të projekteve prioritare si: Projekti i Muzeut të Bashkisë, projekti sistemim-asfaltim i rrugë Ura e Halilit-Ura e pazarit Vjetër, i rrugës Pleshe-Cërujë, a i rrugës Cëruje –Patin. Projekti ndërtimit të tregut të qytetit Klos, projekti i rikonstruksionit urban të qytetit Klos. Projekti rikonstruksionit urban të Lagjes Velsmali-Dakuci. Projekti i Qendrës Kulturore Klos. Projekti i ndërtimit të kanale vaditëse dhe projekti i ndërtimit të një mini-stadiumi. Të gjitha këto projekte do të jenë të gatshme brenda 4 muajsh për të kërkuar financimin e tyre pranë donatorëve.
Se dyti projekte të gatshme të cilat i kemi dhe presim të gjejnë donacionet janë: Sistemimi e asfaltimi rrugët e brendshme në qytetin Klos përshihet edhe unaza e qytetit Klos, rruga Klos-Bel-Unjatë, rruga Qaf Uk-Skaredh, rruga Lagja Shahinaj-fshati Bejnë dhe ndërtimi i kanalit vaditës për katër fshatrat e njësisë Suç.