Së bashku me Hoxhën, Prokuroria e Krujës ka ngarkuar me përgjegjësi penale administratorin e kompanisë “Regli” shpk, Njazi Prençi, si dhe katëe ish-zyrtarë të bashkisë Krujë, përfshirë Xhuma Roshi, Indrit Fida dhe Spartak Shehu.
Prokuroria gjithashtu ka vendosur sekuestro preventive mbi të gjithë asetet e kompanisë “Regli”.
“Të gjithë këta persona akuzohen se kanë abuzuar me fondin e emergjencës, i cili u është akorduar për “Sistemimin e përroit, lagjia nr.1, Ura e Madhe-Krujë, me vlerë 20.5 milionë lekë me TVSH,” tha Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp të premten.
“Nga hetimi i Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se, vlera në terren e investimit në këtë projekt është shumë më e vogël, duke arritur në konkluzionin se ish-kryetari i Bashkisë dhe administratori i kompanisë që fitoi procedurën e prokurimit, kanë vjedhur mbi 8 milionë lekë të reja,” shtoi organi akuzës.
Prokuroria e ka nisur hetimin për këtë çështje në bazë të një kallëzimi të Bashkisë Krujë, të dorëzuar në fund të vitit 2015. Sipas Prokurorisë bashkia Krujë e ka konstatuar problematikën në terren, pas ankesave të qytetarëve të ndryshëm.
Në pranverën e vitit 2015, pak para zgjedhjeve lokale, bashkisë Krujë iu akordua fond emergjence nga ana e ministrisë së Brendshme për sistemimin e përroit, me qëllim shmangien e përmbytjeve, pasi në dimrin e vitit 2014 zona Ura e Madhe-Krujë u përmbyt nga shirat e shumtë.
Por, edhe pas sistemimit, situata e përmbytjeve nuk ishte shmangur dhe kjo u evidentua në dimrin e vitit 2015, kur zona u përmbyt sërish.
Pas padisë së bashkisë Krujë në Prokurori, në bazë të veprimeve proceduriale rezultoi se, ish-kryetari i Bashkisë, Shkëlzen Hoxha, në mars 2015 ka njoftuar 5 firma për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit për sistemimin e përroit. Nga shqyrtimi i procedurave, rezultoi se 2 prej 5 kompanive të ftuara, nuk i ishte bërë i ditur afati i dorëzimit të dokumentacionit. Këto dy kompani nuk morën pjesë në tender, për shkak të mungesës së dijenisë për datën. Ndërkohë, nga 3 kompanitë e tjera, u shpall fituese “Regli” shpk”.
“Sistemimi i përroit ishte parashikuar të përfundonte brenda dy muajve, pikërisht në Maj 2015. Por, rezulton se ai është përfunduar dhe marrë në dorëzim në 24 qershor 2015, një ditë pas zgjedhjeve lokale, në të cilat Shkëlzen Hoxha rezultoi humbës,” thotë Prokuroria.
“Projekti, i cili sipas dokumentacionit të nënshkruar nga ish-kryebashkiaku, ishte përfunduar brenda parametrave, rezultoi më pas nga hetimi i Prokurorisë se kishte mangësi të theksuara, shmangie nga projekti fillestar dhe ulje të ndjeshme të kostove të parashikuara,” përfundoi Prokuroria.