Pas humbjes dërrmuese në zgjedhjet parlamentare, demokratët e Kavajës shpërthyen në festë në orën 3.00 të mëngjesit, pasi kandidati i tyre siguroi fitoren për bashkinë me një rezultat të ngushtë votash. Isa Sakja u shpall fitues me 28 vota ndaj rivalit të tij socialist, Dorian Murati duke ia rikthyer bashkinë të djathtëve pas qeverisjes 6-vjeçare të Elvis Rroshit, – i larguar për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
Në 84 kutitë e numëruara rezultati paraprak ka qenë 11,155 vota për Sakjen, 11,127 vota për Muratin dhe 1,960 vota për kandidatin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Maksim Kona.
Pas fitores, Sakja ka falenderuar bashkëqytetarët e tij përmes një statusi në Facebook dhe ka premtuar një mandat në shërbim të qytetarëve, pa i ndarë ata në të majtë dhe të djathtë.
“Faleminderit që qëndruat, luftuat dhe më besuat,” shkroi ai.
Edhe pse i ngushtë, rezultati për bashkinë e Kavajës ka sjellë një dozë entuziazmi për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Lajm i mrekullueshëm nga kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë. Urime të përzemërta qytetarëve të Kavajës për këtë ngadhënjim mbi krimin, korrupsionin dhe terrorin e bandave,” shkroi Basha në Facebook.
Kavaja ka një histori të ndryshimit radikal të votës. Një bastion i PD-së prej vitit 1991, ku Sali Berisha si deputet i saj në mazhoritar fitonte me rezultate spektakolare, në 2011 kavajasit votuan për kandidatin e PS-së Elvis Rroshin në krye të bashkisë. Rroshi e vendosi bashkinë e Kavajës në projektorët e politikës së madhe në Tiranë për shkak të së shkuarës së tij kriminale, ç’ka i kushtoi edhe mandatin e kryetarit të Bashkisë.
Zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Kavajës u shpallën fillimisht në datën 7 maj nga presidenti Bujar Nishani, por vetëm dy ditë para kësaj date, Rama tërhoqi kandidatin e tij me pretendimin se po u jepte një shans demokratëve që të braktisnin vendimin e tyre të asaj kohe për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare.
Pas marrëveshjes së 18 majit me Bashën, Rama ndërroi kandidatin Klodian Shehi me Dorian Muratin-një drejtues lokal i PS. BIRN raportoi më parë se ndonëse i shkarkuar, figura e Rroshit dominoi fushatën elektorale për bashkinë e Kavajës-e cila rezultoi në fund një votë kundër tij.