Lajm29 May 2017

Këshilli i Arkeologjisë vendos ruajtjen dhe integrimin e zbulimeve pranë “Velierës”

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka vendosur këto ditë ruajtjen dhe integrimin e strukturave arkeologjike të zbuluara në katër muajt e fundit gjatë punimeve për realizimin e projektit “Veliera” në sheshin pranë portit detar të Durrësit.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Zbulimet arkeologjike pranë projektit “Veliera” në Durrës | Foto nga : Gezim Kabashi

Zbulimet arkeologjike pranë projektit “Veliera” në Durrës | Foto nga : Gezim Kabashi

Vendimi 102 i dt 17.05.2017 është bërë i njohur publikisht sot paradite dhe pritet që projekti me propozimet për ruajtje dhe integrim të zbulimeve të fundit t’i bëhen të njohura Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Ndërkaq, projektuesi dhe investitori i projektit “Veliera” duhet të gjejnë zgjidhje të reja për përfundimin e veprës, pa cënuar elementët arkeologjikë të zbuluar në zonën pranë kompleksit “Fly”.

Zbatimi i këtij vendimi mund të ndryshojë fatin e një territori prej rreth 500 metra katrore, i cili do të jetë i hapur për gërmime të mëtejshme arkeologjike, si dhe për vizitorët e interesuar për zbulimet e fundit në Durrës. Sipërfaqja me objekte arkeologjike që ndodhet përballë Torrës mesjetare të qytetit pritet të ndryshojë edhe elementët arkitektonikë, që do të përdoren për bazamentin e këmbës së katërt dhe të fundit të “Velierës”.  Gjatë punimeve të fazës së parë pilastri i saj ishte instaluar mbi muret e godinës së periudhës osmane të shekullit 19-të.

Bastioni fortifikues i qytetit, si ndërtim i shekullit 18-të; ngrehina e periudhës osmane, e ripërdorur si Konak i Princ Vidit në vitin 1913; pilastri i periudhës romake, në sondazhin nr 3, dhe strukturat e zbuluara në sondazhin nr 4 janë territoret me një sipërfaqe të përgjithshme prej afro 300 metra katrore, në të cilat ekipi i arkeologëve të drejtuar nga prof. as dr, Eduard Shehi ka punuar që nga fillimi i muajit shkurt të këtij viti.

Gërmimet e grupit të arkeologëve të Agjencisë Shpëtimit Arkeologjik dhe të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare kanë filluar dy muaj pas punimeve të firmës fituese të tenderit për rehabilitimin e sheshit publik përballë portit të Durrësit. Zbulimet që vijuan pak ditë më vonë në zonën A të rriskut arkeologjik shënuan edhe përplasjet e para të shoqërisë civile me bashkinë e Durrësit, që kishin si argument mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike.

Punimet e pakontrolluara të firmës shkaktuan protestat e shoqërisë civile dhe të shoqatave mjedisore, të cilat vijojnëedhe sot betejën ligjore për ndërprerjen e plotë të punimeve për projektin e “Velierës”.

Zbatimi i vendimit të fundit të KKA për integrimin e zbulimeve arkeologjike të kësaj zone përbën një “fitore si e Pirros” , sidoqoftë të rëndësishme në ruajtjen dhe muzealizimin e objekteve arkeologjike në qytetin antic.