Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Bulqizë?
Pikë së pari do doja të ju falënderoja për këtë intervistë, sepse dhe media e shkruar dhe ajo vizive janë një mjet i mirë komunikimi me qytetarët, për pyetjet për të cilat ata kanë nevojë për përgjigje. Është ende herët të flas për arritjet e mia, sepse unë personalisht nuk do t’i quaja arritje, por fillim i zbatimit të ideve, të cilat pa përkrahjen dhe mbështetjen e gjithë qytetarëve, në radhë të parë dhe njerëzve të cilëve unë ju kam besuar përgjatë këtij rrugëtimi, nuk do kisha mundësi t’i realizoja, sepse mbetem me shpresë që me shumë punë, do t’i realizojmë.
Procesi i decentralizimit ka akoma vështirësitë e veta, por ne jemi munduar t’i përballojmë dhe besoj se ja kemi arritur. Krijimi i një administrate të shëndoshë dhe respektimi i parimit të transparencës ka qenë dhe arritja ime e parë sa i përket realizimit të ideve të mia personale.
Jam munduar që përkrah vetes të punësoj njerëz të cilët e duan punën, bashkëpunues me njëri tjetrin, të rinj entuziast dhe me vizion, të cilëve unë mendoj se ju kam ofruar të gjithë mbështetjen time për shprehjen e ideve dhe krijimin e mundësive për realizimin e tyre.
Sa i përket infrastrukturës rrugore dhe arsimore sipas planit operacional janë parashikuar shumë projekte për rikonstruksionin e institucioneve arsimore, dhe nisma e parë do jetë ajo e fillimit të punimeve për realizimin e dy projekteve në Njësinë Administrative Shupenzë, Rikonstruksioni i Shkollës së Mesme dhe asaj 9 – vjeçare. Problemet e vaditjes për sezonin veror, sivjet janë zgjidhur në kohën e duhur falë bashkëpunimit me banorët e fshatrave dhe gjetjen e një zgjidhje konform interesave të gjithsecilit prej tyre.
Çfarë ka bërë bashkia për sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Lidhur me respektimin e parimit të transparencës, e përmenda dhe pak më sipër ka qenë një dëshirë e imja, që çdo vendim i marrë nga ana jonë, të bëhet transparent, duke mos harruar që respektimi i parimit të transparencës është një fenomen të cilit i është kushtuar vëmendje jo vetëm nga pushteti qendror, por edhe ai ndërkombëtar.
Çdo vendim i Këshillit Bashkiak afishohet në tabelën e lajmërimeve pranë Bashkisë Bulqizë, dhe rrjeteve sociale, deri në hapjen e ëeb faqes zyrtare të bashkisë e cila është në proces krijimi.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Besoj se problemi më i madh është papunësia, për këtë të gjithë ne jemi të vetëdijshëm, aq më tepër unë. Më besoni se nuk ndjehem aspak mirë, kur çdo ditë në punë përpara zyrës sime, presin mbi 20 veta dhe jo për faktin se unë bezdisem, përkundrazi, jam i lumtur që bisedoj me ta dhe bashkohem me ta për zgjidhjen e problemit të tyre, por trishtohem, për shkak të mundësive të pakta që kam për t’i ndihmuar. Ndihem keq për shkak se nuk mund të përmbush detyrimin që kam ndaj tyre. Të gjithë duan punë, por vendet e punës janë të limituara. Gjithsesi unë mbetem me shpresë se kjo situatë do të përmirësohet sepse po mundohemi që të tërheqim investitorët e huaj që të investojnë. Ardhja e tyre këtu do na ndihmojë si në rritjen e ekonomisë ashtu edhe në hapjen e vendeve të reja të punësimit.
Keni premtuar që në vitin e parë të mandatit tuaj në krye të bashkisë të ndërhyni në infrastrukturën rrugore për rikonstruksionin e sistemim-asfaltimin e rrugëve Qafa e Buallit-Krastë, Ura e Serbinit-Zogje dhe Ura e Çerenecit-Ostren. Në infrastrukturën arsimore keni premtuar investime në të gjitha shkollat në përmirësimin kryesisht me mjete logjistike, për ta bërë efikas procesin mësimor. Ndërkohë keni premtuar ndërtim konsultoresh në fshatra dhe mjete transporti për rastet e urgjencave. Çfarë nga këta premtime keni realizuar?
Sa i përket infrastrukturës rrugore jemi në pritje të financimit të projekt-zbatimit për rikonstruksionin e 1.2 kilometrave në aksin Ura Serbinit – Kovashicë pas aplikimit të bërë te FZHZH në Maj të këtij viti. Është në përfundim procedura e prokurimit për zbatimin e punimeve të objektit; “Ndërtimi i Kopshtit Nr.1 në Lagjen Minatori”, jemi në pritje të fillimit të punimeve të një sërë objekteve për lyerje dhe meremetime në shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm përpara fillimit të vitit 2016-2017. Jemi akoma në pritje të finalizimit të marrëveshjes me PNUD për financimin e punimeve të rikonstruksionit ish Kopshtit të vjetër në Lagjen Minatori.
Por ne kemi aplikuar edhe për një sërë projektesh të infrastrukturës rrugore dhe arsimore referuar të gjitha thirrjeve për aplikim nga ministritë e linjës dhe nëpërmjet donacioneve të ndryshme të cilat janë të interesuara për bashkëpunim. Një bashkëpunim i yni që ia vlen të përmendet është dhe ai me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, e cila na ka ofruar mbështetjen maksimale lidhur me realizimin e projekteve, brenda dhe jashtë zonës kufitare. Nuk mungojnë edhe marrëveshjet e bashkëpunimit me shumë komuna jashtë dhe brenda zonës kufitare, respektivisht me atë të Prilepit dhe të Klosit lidhur me përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe rrugore dhe bashkëpunimin për fushën e turizmit dhe arsimit.
Sa janë të ardhurat e Bashkisë Bulqizë nga renta minerare dhe si i keni përdorur këto të ardhura?
Për periudhën deri më 31 maj 2016 janë marrë 8.2 milion lekë, por pritet të mblidhen edhe 12.2 milion lekë të tjera. Të ardhurat janë të përcaktuara sipas legjislacioneve në fuqi, si për pagat e administratës, ashtu edhe për financimin e projekteve.
A ka gjetur zgjidhje menaxhimi i mbeturinave përfshirë edhe njësitë administrative dhe nëse jo çfarë projektesh keni për këtë problem?
Bashkia Bulqizë ka si qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimit lidhur me mbetjet urbane nëpërmjet zhvillimit të instrumenteve të nevojshëm për të përmirësuar cilësinë e kushteve të jetesës për qytetarët e Bashkisë Bulqizë në këndvështrimin e kushteve të shëndetit dhe mjedisit urban. Për të realizuar objektivat e saj Bashkia Bulqizë është mbështetur me asistencë teknike në llogaritjen e kostos së shërbimeve dhe hartimin e planit lidhur me zbatimin e skemës dhe propozimeve për shtrirje në njësitë administrative nën juridiksionin e Bashkisë Bulqizë. Organizimi i shërbimit të mbledhjes transportit dhe asgjësimit të mbetjeve urbane përbën bazën e sistemit të menaxhimit të mbetjeve dhe përcakton mënyrën në të cilën organizohen elementët e sistemit. Hapat e menaxhimit të mbetjeve duhet të përqendrohen në mbledhjen e mbetjeve urbane, transportin e tyre dhe elementët e tjerë si ndarja e mbetjeve me qëllim stimulimin e riciklimit dhe edukimin mjedisor.
A ka bashkia guidë turistike dhe plan-programe për ta bërë atraktiv turizmin kulturor dhe veçanërisht atë malor?
Bulqiza ka potencialin e duhur pёr tё zhvilluar turizmin dhe madje tё kthehet nё njё destinacion tё mirёfilltë turistik. Trashëgimia natyrore dhe trashëgimia kulturore (materiale shpirtërore) dhe pёrmirёsimi i infrastrukturës nё pёrgjithёsi dhe asaj turistike nё veçanti janё elementёt qё do tёrheqin vёmendjen e turistëve vendas dhe tё huajve pёr tё vizituar Bulqizёn. Turizmi malor, turizmi rural, turizmi i bardhё, turizmi kulturor dhe ai i aventurës janë format e lëvizjes turistike me mundësi zhvillimi pёr bashkinё Bulqizё. Ne si bashki jemi në fazën e evidentimit, shqyrtimit të gjendjes aktuale dhe monitorimin e vazhdueshëm të potencialeve turistike natyrore dhe kulturore. Drejtoria e arsimit, turizmit, kulturës, rinisë dhe sportit ka hartuar guidën turistike dhe planin për zhvillimin e turizmit në territorin e bashkisë Bulqizë, duke theksuar zhvillimin e turizmit natyror dhe kulturor, duke qenë të fokusuar te përfitimet e komunitetit lokal, i cili aktualisht përballet me mundësi të kufizuara ekonomike. Përfitimet e pritura nga plani i turizmit përfshin: Rritje të mundësive të punësimit, të ardhura shtesë për ekonominë (bazë ose shtesë), infrastrukturë e përmirësuar dhe rritje të taksës mbi të ardhurat që do të kontribuonte në përmirësimin e kujdesit shëndetësor, arsimimit dhe zhvillimeve të tjera sociale, si dhe konfirmim të kulturës dhe traditës së krahinës, krijon mundësi për t‘i mbajtur të rinjtë dhe që të kthehen në vendlindje, shkëmbime kontaktesh me njerëz të kulturave të ndryshme.