Muharrem Rama-mjeku kirurg i koalicionit të majtë do të jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë së Dibrës, pasi rezultoi fitues me një diferencë prej rreth 4 mijë votash ndaj rivalit të tij të djathtë, Sherefedin Shehu.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi mbrëmjen e së hënës se në fund të numërimit të kutive në 118 qendrat e votimit, Muharrem Rama kishte fituar 56.3 për qind të votave kundrejt 43.7 për qind të fituara nga Sherefedin Shehu.
Në përfundim të procesit të numërimit, Muharrem Rama falënderoi qytetarët e Dibrës për mbështetjen masive, ndërsa tha se përmirësimi i infrastrukturës do të ishte puna e tij e parë në krye të Bashkisë.
“Sot për Dibrën fillon një epokë e re dhe ne do t’i bëjmë realitet të gjitha premtimet e fushatës,” deklaroi Rama nga KZAZ-ja me numër 19.
Muharrem Rama do të zërë vendin e lënë bosh nga Shukri Xhelili, ish-kryebashkiaku i arrestuar i Dibrës, pasi u filmua teksa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Njësoj si Rama, edhe Xhelili ishte përfaqësues i Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Kandidati i djathtë, Sherefedin Shehu pranoi humbjen dhe uroi përmes medias rivalin e tij pa u mbyllur ende procesi i numërimit. Por kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përdori tone të ashpra në komentin e tij të tërthortë për zgjedhjet në Dibër.
“E sotmja është një ditë e zezë për politikën shqiptare. Është dita kur politika dhe krimi u bënë njësh…” tha Basha gjatë ceremonisë përkujtimore për vrasjen e liderit të lëvizjes studentore të vitit 1990, Azem Hajdari.
E zhvilluar thuajse një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, beteja për Dibrën u projektua në Tiranë si një test elektoral për matjen e forcave mes dy blloqeve politike, po aq sa për funksionimin e koalicioneve në vetvete.
Pas një stine të ftohtë me LSI-në e Ilir Metës, Partia Socialiste testoi në Dibër aleancën e re me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, ndërkohë që e djathta në opozitë nuk arriti të shënonte “pikën e kthesës” për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Fushata 1-mujore u shoqërua me tension, incidente dhe akuza për blerje të votave, ndërsa mosbesimi i lartë mes partive politike përsëriti fenomenin e ndërrimit të komisionerëve, mëngjesin e ditës së votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se 53 për qind e banorëve të Dibrës morën pjesë në votime. Megjithatë, qyteti i Peshkopisë shënoi pjesëmarrjen më të ulët, rreth 36 për qind.