Analize26 Nov 2016

Përkatësia politike mban peng kryepleqtë e zgjedhur të Bulqizës

Një vit pas afatit ligjor, zgjedhja e 15 kryetarëve të fshatrave mbahet ende e bllokuar, pasi kandidatët e votuar nga komuniteti nuk i përkasin krahut politik që drejton bashkinë e Bulqizës.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Bulqizë
Printo

Melaim Damzi, kryetari i Bashkisë së Bulqizës. Foto:Facebook.

Melaim Damzi, kryetari i Bashkisë së Bulqizës. Foto:Facebook.

Dëfrim Hyka-një mbështetës tradicional i së djathtës u votua si kryetar i fshatit Zall Sopot të Bulqizës muaj më parë, por zgjedhja e tij u shoqërua me pakënaqësi dhe refuzim nga drejtuesit e bashkisë. Kandidatura e tij mbahet e bllokuar, ndonëse ligji për “Vetëqeverisjen vendore” përcakton që kryetarët e fshatrave duhet të zgjidhen 3 muaj pas konstituimit të këshillit bashkiak.

“Ndoshta kjo ka ardhur pasi unë jam i djathtë, ndërsa bashkia drejtohet nga e majta,” i tha Hyka BIRN duke rrudhur supet.

Dëfrim Hyka nuk është kryeplaku i vetëm në bashkinë veriore të Bulqizës, që është votuar nga komuniteti, por nuk pranohet nga drejtuesit e pushtetit vendor.  Katërmbëdhjetë   kryetarë të tjerë fshatrash mbahen ende pezull, duke përplasur drejtuesit e pushtetit vendor me banorët e këtyre fshatrave.

Pleqësia dhe kryetarët e fshatrave kanë patur një rol tejet të rëndësishëm në zgjidhjen e problematikave me të cilat përballen komunitetet. Me zbatimin e reformës administrativo-territoriale të krijimit të bashkive të mëdha, nevoja për këtë strukturë komunitare bëhet edhe më e veçantë dhe e rëndësishme.

Ligji për “Vetëqeverisjen vendore”  përcakton që kryetarët e fshatrave-një hallkë e rëndësishme përfaqësimi në ndarjen e re territoriale, duhet të zgjidhen jo më vonë se 3 muaj pas konstituimit të këshillit bashkiak. Në bashkinë e Bulqizës, procesi është zvarritur tej çdo afati ligjor, ndërkohë që 15 nga 61 kryetarë fshatrash mbeten ende të pakonfirmuar.

Fushata e zgjedhjes së kryetarëve të fshatrave, edhe pse në dukje e lehtë për t’u realizuar, hasi në kundërshtime jo vetëm nga banorët e fshatrave, por edhe nga vetë grupet e këshilltarëve të të gjitha krahëve të politikës. Në ato fshatra ku zgjedhja e kryetarëve u bë nga banorët, por nuk përkoi me krahun politik që drejton bashkinë, u kundërshtuan me pretendimin se zgjedhja e tyre s’ka qenë e rregullt. Në anën tjetër, banorë të Bulqizës kanë bërë peticione për kryetarë të emëruar-për të cilët thonë se nuk i kanë votuar.

Gjatë vitit 2016, këshilli bashkiak i Bulqizës ka shqyrtuar peticionet e banorëve të disa fshatrave në këtë bashki, të cilët ankohen se kryetarët nuk janë zgjedhur prej tyre, por janë emëruar në mënyrë të kundraligjshme.

Përballë kësaj situate, bashkia komandoi kryetarë të tjerë, të cilët mund ta ushtrojnë funksionin deri në gjashtë muaj. Por edhe ky afat ka kaluar!

Në korrik 2016, këshilli bashkiak i Bulqizës vendosi të miratojë listën me të gjithë kryetarët e njësive administrative dhe e dërgoi atë për miratim në Prefekturën e Qarkut Dibër. Prefekti çertifikoi zgjedhjet në 46 fshatra nga 61 gjithsej, ndërsa rekomandoi zgjedhje të reja për 15 prej tyre.

Ngërçi vazhdoi megjithatë, se një verifikim i kryer nga këshilli bashkiak arriti në përfundimin se zgjedhjet në këto fshatra ishin kryer në rregull. Megjithatë, prefekti refuzoi sërish t’i njihte kryetarët e zgjedhur nga komunitetet.

Myfit Duriçi, këshilltar i majtë në këshillin bashkiak të Bulqizës pranon zvarritjen jashtë çdo limiti ligjor në zgjedhjen e kryepleqve dhe fajëson për këtë drejtuesit e politikës lokale.

“Në mjaft fshatra, kryetarë u zgjodhën persona jo të afërt me kryebashkiakun. Ato nuk u pranuan nga administratori i njësisë, me pretendimin se nuk kanë votuar mbi 50 për qind e votuesve,” i tha ai BIRN.

“Shkurt dhe saktë, zvarritja jashtë çdo limiti ligjor e zgjedhjes së kryetarëve në fshatra, ka ardhur për dy arsye; ose nuk janë zgjedhur nga banorët dhe janë kontestuar prej tyre, ose janë zgjedhur persona jo të afërt me bashkinë dhe janë kundërshtuar prej saj,” thotë Duriçi.

Njësoj si Duriçi, edhe dy këshilltarë kundërshtarë që kanë monitoruar zgjedhjet në njësinë administrative të Zerqanit ndajnë të njëjtin mendim për problemin e krijuar.

Mentor Lala, këshilltar i djathtë dhe Arian Hoxha, këshilltar i majtë i thanë BIRN se zgjedhjet në 13 fshatrat e njësisë administrative u kryen konform ligjit, por po mbahen peng si pasojë e kundërshtive nga militantë politikë të së majtës.

“Zgjedhjet në këto fshatra janë zhvilluar konform ligjit, u dëshmua edhe nga grupi i punës së këshilltarëve që ngriti bashkia për verifikimin e të gjitha procedurave të zgjedhjes së kryetarëve të 61fshatrave të kësaj bashkie,” thanë dy këshilltarët.

“Kjo që po ndodh është e papranueshme dhe vlerësohet prej nesh një akt manipulativ,” përfunduan ata.